E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama fshatrave - Jam antipolitikan, nuk bëj asnjë premtim

Dje në Gramsh Edvini ka regjistruar rekorde komedie, teksa u ka treguar fshatarëve se si mbillej toka e se si rritej trangulli, por edhe ka çuditur mediat, kur ka pohuar se ai s’bën premtime e s’është i interesuar të qeverisë. Mendja e tij endet veç tek mbijetesa dhe lufta civile me Ilir Metën në Tiranë, prandaj edhe fshatrave, ai s’shkon për programe qeverisëse, por për të mbledhur parapolitikanë për përplasjen finale me Ilir Kokonën dhe të tjerët që duan t’i marrin imunitetin dhe godinën e Partisë Socialiste

Në një fshat të thellë të Gramshit, Edi Rama ka ndjerë dje se nuk po i ecte leksioni se si mbillej toka, si rritej trangulli e si punoheshin tokat e papunuara, prandaj - çka barku, i nxjerr bardhaku - ka nxituar të hedhë bombën: “unë s’jam politikan, unë s’premtoj, unë s’bëj dot qeverisjen, vetëm unë jam kot,...”. Ky leksion antipolitik, frazat e një njeriu që s’merrte përsipër asgjë, që s’kishte asnjë alternativë, por veç ju lutet që ta mbajnë mirë e t’i japin votat, pasi s’jeton dot pa pushtet, ka tronditur gramshiotët e Skënderbegasit, të cilët ishin mbledhur për të dëgjuar një politikan të rëndësishëm të ardhur nga Tirana. Në fshatin Skëndërbegas, atje ku s’ka pothuajse fare tokë, Edvini u dëgjua dje të shqiptonte alternativën krejt primitive të rritjes së sipërfaqes së punueshme, si një metodë për të rritur prodhimin. “Mos more, thanë fshatarët, po ku t’i marrim tokat, t’ia shkëpusim malit?”. Hija e Enver Hoxhës ishte kudo dje në frazat antipolitike të Edi Ramës, i cili krizën e politikës në qendër, është përpjekur ta fshehë e ta shkarkojë atje në fshat, atje ku s’ia dinë hyneret e Pezës, e as spastrimet e Tiranës, ndaj armiqve partiakë që po anojnë me Ilir Metën.
“Gjëja më e lehtë që unë mund të bëj, është të premtoj çfarë ju doni dhe t'ju them do bëjmë këto të gjitha, u tha dje Skënderbegasve të Gramshit, Edvini. Por, unë nuk e bëj këtë gjë, nuk kam ardhur t'ju bëj premtime për të gjitha gjërat që ju doni, sepse kjo është e pamundur”.
Pyetja pse del Edi Rama fshatrave ka marrë përgjigje në kohë të ndryshme gjatë këtyre 3 viteve, mori një përgjigje dërrmuese edhe në humbjen masive të zgjedhjeve vendore të 2007-s, por thagmat e turit të fundit, po konfirmojnë se kemi arritur në një fazë të mbrame të kalbëzimit të strukturave partiake të PS-së. Edi Rama s’ka nevojë më për struktura partie, s’ka nevojë as për programe partiake e as struktura qeverisëse, meqë tashmë nuk është ky objektivi i vërtetë i tij.
Terminologjia “përtej së majtës e së djathtës”, apo refreni i djeshëm se “Edi Rama nuk është politikan e ai nuk premton” tregojnë përpjekjen meskine për të mbledhur sa të mundet konsensuse politike mbipartiake, të cilat do t’i ketë si imunitet, pas 2009-s, kur drejtësia me të vërtetë do të duhet të nisë të veprojë mbi mosveprimet e shpërdorimet në Bashkinë e Tiranës. Kjo mbështetje mediokre do t’i shërbejë hëpërhë kryetarit të PS-së që t’i prishë shtëpinë Ilir Kokonës, meqë ai kaloi me Ilir Metën, e më vonë të kushtëzojë sa të mundet në parlament, apo nëpër rrugë, hetimet parlamentare e ato të drejtësisë për dosjet e bashkisë së Tiranës, që qysh më 2005 kishin arritur 600 milionë dollarë shpërdorimet, sipas një raporti të agjencive të specializuara.
Frazat e djeshme në Gramsh ishin një zhvillim i ri në historinë e privatizimit të Partisë Socialiste dhe shndërrimin e saj në një establishment jopolitik e paraushtarak, veç në mbrojtje të aferave korruptive të Edvinit. Dje u mor vesh se Rama s’është i interesuar për qeverisjen, as se si do të rritet mirëqenia në fshat. Ai ishte në Skënderbegas, por mendjen e kishte tek operacionet e Policisë Ndërtimore në Tiranë, atje ku edhe po mbahet beteja e vërtetë politike e Edvinit. Ajo është një betejë për mbijetesë, s’ka lidhje me qeverinë, prandaj edhe nuk i duhet askujt që shqetësohet për alternativat qeverisëse të pas 2009-s. Dje në Gramsh ne kemi humbur shpresat se forca kryesore politike e opozitës ka aspirata qeverisëse, por njëkohësisht edhe kemi perceptuar se e djathta do të duhet të konkurrojë mes vetes, nëse do të dëshirojë të përmirësojë qeverisjen, gjatë mandatit të vet të dytë qeverisës.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›