Basha dhe Topalli, përshëndesin punën e Trupit Diplomatik shqiptar
Dje vazhdoi punimet Konferenca e ambasadorëve shqiptarë në botë. Në ditën e djeshme të Konferencës merrnin pjesë edhe ambasadorë te Trupit Diplomatik te akredituar në Tiranë.
I pranishëm ishte edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, si dhe Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli.
Në fjalën e tij ministri Basha nënvizoi se, “Ky takim përbën një moment të veçantë për të analizuar punën dhe aktivitetin tonë nga njëra anë dhe për të diskutuar parametrat e situatës aktuale në vend, të zhvillimeve gjeopolitike përreth nesh dhe në tërësi në arenën ndërkombëtare”.
Ministri Basha ka bërë të qarta dhe direktivat e qeverisë, duke analizuar atë çka është arritur, sfidat që lidhen dhe me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kreu i Ministrisë së Jashtme nënvizoi faktin se “Gjatë një viti, diplomacia shqiptare ka përjetuar aktivitetin më të ngjeshur dhe pa dyshim më të suksesshëm në historinë e saj”.
Në këtë kontekst Ministri Basha numërojë një sërë arritjesh historike të qeverisë.
Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë në takimin me Ambasadorët vlerësoi veprimtarinë e ambasadorëve në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë vendit, në funksion të zbatimit të objektivave të politikës sonë të jashtme.
”Dëshiroj vetëm të përsëris se si dje, po ashtu sot e aq me shumë nesër, roli juaj është i rëndësishëm, i veçantë, për më tepër për një vend si Shqipëria që ka aq shumë kohë për të rimarrë, në një botë ku koha është e artë, dinamika e pandalshme, konkurrenca gjithnjë e më e madhe, dhe siç e tregon edhe kriza e tanishme financiare, sfidat dhe të papriturat nuk janë asnjëherë larg”, u shpreh Topalli.
Duke ju kujtuar ambasadorëve detyrën parësore, promovimin e reformave dhe efekteve të tyre, Topalli shtoi se, “vendi dhe shoqëria presin me të drejtë një cilësi të punës dhe aktivitetit të Trupit tonë Diplomatik në përputhje me cilësinë e zhvillimit të vendit, në përputhje me cilësinë që kërkon trajtimi me sukses i sfidave me të cilat ballafaqohet Shqipëria, rajoni dhe kontinenti si dhe në përputhje me kërkesën e natyrshme të qytetarëve shqiptarë për të gjetur tek vendi i tyre dhe përfaqësuesit e tyre, dinjitetin, profesionalizmin, gatishmërinë, shërbimin publik dhe mbrojtjen e përhershme”.
...