E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i fundit diplomatik, më i suksesshmi në histori

… Gjatë një viti, që nga takimi ynë i fundit diplomacia shqiptare ka përjetuar aktivitetin më të ngjeshur dhe pa dyshim më të suksesshëm në historinë e saj.
Në Samitin historik të Bukureshtit Shqipëria e mori ftesën për në NATO, nënshkroi ne korrik protokollin e anëtarësimit dhe po pret ratifikimin e tij nga të gjitha vendet anëtare me synim anëtarësimin me të drejta të plota para Samitit të Strasburgut.
Pas ezaurimit pa rezultat të negociatave shtesë, Kosova shpalli pavarësinë dhe u fut në rrugën pa kthim të integrimeve euro-atlantike.
Procesi i ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian ka ecur në përputhje me parashikimet dhe pritet të përfundojë brenda vitit.
Marrëveshja e lehtësimit të vizave u negociua, hyri në fuqi dhe po zbatohet. Që prej muajit mars ne jemi angazhuar në dialogun me BE-në për heqjen e vizave për hapësirën Schengen, dialog i cili ka arritur në një fazë dhe dimension të rëndësishëm dhe konkret.
Në fund të vitit 2007 Shqipëria, e para nga vendet e rajonit, u bë anëtare e Procesit të Barcelonës, i cili, në Samitin e korrikut në Parisi, u transformua në Bashkimin për Mesdheun.
Në periudhën Maj-Tetor 2008 Shqipëria mori Presidencën e BEDZ dhe e përmbylli atë me sukses të plotë duke kryesuar nënshkrimin e një numër marrëveshjesh dhe dokumentesh të rëndësishme në një periudhë të vështirë për rajonin e Detit të Zi.
… Në të njëjtën kohë, MPJ dhe Shërbimi i Jashtëm avancuan edhe më tej procesin e reformave duke modernizuar dhe afruar praktikat tona me ato që zbatohen në vendet perëndimore, kryesisht ato të BE-së.
Në çdo hap të këtij aktiviteti të ngjeshur dhe voluminoz, në çdo diskutim dhe negociatë të suksesshme, në çdo debat, dhe këto kanë qenë të shpeshta vitin që shkoi, ka spikatur përkushtimi, vendosmëria dhe profesionaliteti i diplomacisë shqiptare, në shërbim të interesave të Republikës dhe atyre kombëtare.
Por, dy janë ngjarjet më madhore me rëndësi si për Shqipërinë ashtu edhe për rajonin që dëshiroj ti veçoj: ftesa për në NATO dhe pavarësimi i Kosovës.
Samiti i Bukureshtit, siç pritej, kurorëzoi përpjekjet tona për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO duke bërë kështu realitet njërën pjesë të ëndrrës euroatlantike shqiptare. Shqipëria në NATO do të thotë Shqipëria demokratike e sigurt dhe e zhvilluar. Ecuria e deritanishme në këtë proces, i cili pret të marrë konfirmimin përfundimtar në Samitin e prillit 2009, ka vërtetuar se Shqipëria është tashmë një demokraci funksionale dhe e stabilizuar, e gatshme për të marrë përgjegjësi më të mëdha dhe për të kontribuar bashkërisht me partnerët e tjerë në forcimin e paqes dhe sigurisë në Evropë.
17 shkurti i këtij viti, dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës u dha fund dilemave dhe paqartësive, hamendjeve dhe hezitimeve, skenarëve dhe opsioneve. Ai kulmoi, në momentin e duhur, një proces që kishte filluar të shterej. Shpallja e pavarësisë në një proces të bashkërenduar me aktorët më të mëdhenj e të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar, mbasi u shfrytëzua me vëmendje e durim çdo mundësi kompromisi, i dha fund procesit të trishtuar të shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë. Për ne ka qenë dhe mbetet e qartë se pavarësia ishte zgjidhja e vetme, më e drejtë e në përputhje me realitetin dhe me të drejtën e një populli evropian të jetojë në liri e fqinjësi të mirë.
… Ftesa për në NATO dhe nënshkrimi e ratifikimi i protokolleve të anëtarësimit shënon kurorëzimin e përpjekjeve të gjata dhe të vendosura të Shqipërisë dhe arritjeve të saj. Për të është dashur një punë e gjatë dhe e madhe, këmbëngulje dhe përkushtim i palëkundur si dhe ndihma e vyer e miqve dhe partnerëve tanë në Aleancë.
Gjatë këtyre viteve, Shqipëria shënoi progres të dukshëm në të gjitha reformat e saj. Ajo forcoi institucionet e saj demokratike dhe shtetin ligjor.
Ekonomia shqiptare gëzon një rritje me ritme nga më të shpejtat në rajon dhe me potenciale të mëdha për të ardhmen. Klima e biznesit është mjaft e favorshme dhe gjithnjë e më tërheqëse për investitorët e huaj. Reformat zgjedhore dhe ajo në fushën e drejtësisë po përparojnë me shpejtësi, të mbështetura nga një konsensus i fuqishëm politik.
Shqipëria është shtyllë e stabilitetit në rajon. Politika jonë e jashtme rrezaton moderim, dialog dhe bashkëpunim rajonal, si vlera të saj thelbësore. Shqipëria dhe shqiptarët besojnë dhe mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë plebishitare projektin evropian dhe euro-atlantik të rajonit.
Forcat e armatosura shqiptare kanë ndërmarrë një transformim dhe modernizim thelbësor dhe sot shërbejnë krenarë, krah për krah, aleatëve të tyre në NATO.
Ftesa në Samitin e Bukureshtit dhe ngjarjet që rrodhën janë konfirmim i këtyre arritjeve.
Ratifikimi i protokollit nga të gjitha vendet anëtare përbën një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet tona me ta dhe me Aleancën në tërësi. Ajo është shenjë e besimit të palëkundur tek Shqipëria si një shtyllë stabiliteti dhe faktor sigurie e paqe por në të njëjtën kohë, një investim i mëtejshëm në demokracinë dhe shtetin ligjor, ekonominë e tregut të lirë dhe të drejtat e njeriut, dhe reformat e pakthyeshme që Shqipëria ka ndërmarrë e po ndërmerr çdo ditë në funksion të forcimit dhe konsolidimit të tyre.
Me Bashkimin Evropian dhe 27 vendet e tij anëtare Shqipëria vazhdon të zhvillojë një marrëdhënie bashkëpunimi të gjithanshëm, solid dhe të pakthyeshëm. Ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit është në përfundim dhe marrëveshja interim është zbatuar pa asnjë pengesë apo hezitim. Ndihmës së BE-së ne i jemi përgjigjur jo vetëm me mirënjohjen e natyrshme, por së pari, me angazhime konkrete, me programe pune të përbashkëta e të bashkërenduara si në fushën e mirëqeverisjes, funksionimin institucional, zhvillimin ekonomik, luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit etj, dhe me rezultate të dukshme. Unë kam besim se analizat dhe konkluzionet tona do të përkojnë me ato të raportit të progresit të Komisionit Evropian që do të publikohet pas disa ditësh e i cili përbën një analizë te rëndësishme të zhvillimit të vendit në harkun kohor njëvjeçar. Përtej fjalëve, deklaratave apo dëshirave, në fund të fundit ajo që ka rëndësi është realiteti dhe në këtë fundviti 2008 ka më shumë se një gjë për të thënë: raporti i fundit i Bankës Botërore mbi klimën e biznesit në Shqipëri dhe vlerësimi në tërësi i reformave, raporti i Transparency International mbi rezultatet e luftës kundër korrupsionit, një vështrim tërësor pozitiv për situatën e përgjithshme në vend, gjithë ajo paketë reformash thelbësore e të guximshme kanë dhënë rezultate konkrete e të prekshme, janë provë e qartë se ne respektojmë angazhimet tona. Ne presim të marrim raportin e progresit 2008 dhe do të shohim me vëmendjen që meritojnë konkluzionet dhe rekomandimet.
… Edhe pse Terrorizmi global mbetet ende një kërcënim serioz për demokracinë, është me vend të theksohet se mobilizimi ndërkombëtar, bashkëpunimi i gjerë dhe i gjithanshëm - në kuadër të të cilit Shqipëria nuk ka kursyer asgjë - ka dhënë rezultate shumë inkurajuese. Demokracitë nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse tu bëjnë ballë dhe të fitojnë sfidat në fushën e sigurisë dhe të mbrojnë popullsitë e tyre, zhvillimin ekonomik dhe vlerat e përbashkëta. Shqipëria do të jetë gjithnjë seriozisht dhe tërësisht e angazhuar përkrah partnerëve të saj.
Gjatë një viti anëtare në Bordin e Guvernatorëve të IAEA-s në përputhje me angazhimet, Shqipëria ka luajtur rolin që i takon duke marrë përgjegjësitë e duhura. Shqipëria ka qenë aktive në mbështetje dhe në mbrojtje të rolit të Agjencisë, në mënyrë të veçantë për vendimet që sigurojnë një sistem masash mbrojtëse dhe kanë karakter universal. Bota nuk ka nevojë për rreziqe shtesë prandaj edhe duhet siguruar përdorimi i energjisë atomike ekskluzivisht për qëllime paqësore, ndërkombëtarisht të verifikuara, transparente dhe në përputhje me parametrat e sigurisë maksimale.
Ne jemi të interesuar dhe do të vazhdojmë të kontribuojmë për të pasur një OKB të fortë, funksionale dhe të suksesshme, si zemra e sistemit shumëpalësh global dhe jemi të gatshëm të shtojmë kontributin tonë në favor të bashkëpunimit ndërkombëtar, paqes, sigurisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Presidenti i Republikës e theksoi qartë këtë angazhim në debatin e përgjithshëm të sesionit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kriza e thellë financiare e kësaj vjeshte na kujtoi edhe një herë, në mënyrë brutale dhe të pamëshirshme, se jetojmë në një botë tërësisht të ndërvarur dhe për t’iu përgjigjur suksesshëm problemeve dhe krizave, si politike ashtu edhe ekonomike, tregtare ashtu dhe financiare nevojitet, përveç rregullave të lojës më të qarta, edhe një mekanizëm efektiv për të parandaluar krizat, siguruar rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Është e qartë dhe e paevitueshme: sfidat globale mund të marrin përgjigjen e duhur vetëm nëpërmjet një mekanizmi koordinimi global dhe të ndërvarur. Kësaj nuk mund t’i shmanget më askush dhe kombet, të vogla apo të mëdha, të pasura apo të varfra, do të duhet të bashkëpunojnë, të ndihmojnë njëri-tjetrin. Ne shprehim kënaqësinë për reagimin e koordinuar që Bashkimi Evropian, nën udhëheqjen e Presidencës Franceze, po i jep problematikës së krizës financiare.
Me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, Shqipëria ka një marrëdhënie të veçantë. Shqipëria është anëtare e OSBE-së dhe njëlloj e interesuar si vendet e tjera anëtare për fuqizimin e saj dhe të aktivitetit të saj. Prej disa vitesh ne punojmë në mënyrë të suksesshme me praninë e saj në Shqipëri, e cila, duhet theksuar, ka dhënë një ndihmë të çmuar në zhvillimet demokratike në vend. Është pikërisht ky rekord i Pranisë, analiza e detajuar e një aktiviteti shumëdimensional që na ka çuar në konkluzionin dhe gatishmërinë për të ndërtuar një marrëdhënie më të ngushtë me Praninë, duke e përqendruar aksionin e saj në fushat dhe aspektet për të cilat ne mendojmë se ajo ka ekselencën për të ndihmuar rrugëtimin tonë në përmbushjen e prioriteteve madhore të programit tonë të zhvillimit, me theks të veçantë në reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi. Pas pak ditësh unë do të shkoj në Këshillin Permanent në Vjenë për të diskutuar edhe më tej për marrëdhëniet tona të sotme dhe të ardhme me OSBE-në.
… Objektivat tona për anëtarësim në NATO, anëtarësim në Bashkimin Evropian, për një diplomaci aktive e profesionale të lidhur në mënyrë të qenësishme me përmirësimin e imazhit dhe tërheqjen e investitorëve e turizmit të huaj, për një rol më të madh në rajon e në Evropë, na çojnë natyrshëm në parashikimin e mjeteve në përputhje me synimet tona. Pa këtë ne nuk do të jemi në gjendje as të rekrutojmë më të mirët e as tu përgjigjemi sfidave dhe mbrojtjes së interesave tona në lartësinë e kërkuar.
Por nga ana tjetër, prej anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm duhet punë serioze e cilësore, profesionalizëm i shtuar e angazhim i vazhdueshëm. Shërbimi i Jashtëm ka ndër detyrat thelbësore të ofrojë mbrojtje të shkëlqyer të interesave të vendit e të shtetasve. Çdonjëri prej jush, në fund të ditës, duhet të jetë në gjendje t’i përgjigjet pyetjes se çfarë ka bërë që vendi i tij të njihet më shumë, që numri i miqve të jetë më i lartë, nëse shtetasit shqiptarë apo të huaj kanë gjetur tek përfaqësia imazhin e ripërtërirë të vendit, cilësinë dhe profesionalizmin e shërbimit më të mirë publik, ndihmën dhe asistencën e pakufizuar brenda përgjegjësive dhe detyrave. Ambasadori dhe bashkëpunëtorët e tij, si pjesë e Administratës Civile duhet të dinë të prezantojnë në çdo kohë vendin, vlerat e tij të trashëgimisë e të kulturës, në dritën e zhvillimit dhe dinamikën e avancimit të përgjithshëm.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›