E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama hesht për përmbytjet

Kreu i PS-së akoma nuk ka bërë një deklaratë për situatën e rëndë në vend. Sipas burimeve në PS, ai ndodhet jashtë vendit për pushime
Veriu i vendit po kalon një situatë të vështirë, ku shumë fshatra janë përmbytur dhe qindra familjeve u është dashur të lënë shtëpitë. Ndërkohë që e gjithë vëmendja e opinionit publik dhe e politikës është kthyer nga katastrofa që po rritet çdo ditë, mungon një zë, një zë që nuk duhej të mungonte, zëri i kreut të opozitës. Kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht kryebashkiak i Tiranës, Edi Rama, është i vetmi politikan që nuk është interesuar për situatën dhe nuk ka shprehur solidaritetin e tij me njerëzit që po përjetojnë këtë traumë pas përmbytjeve që nisën ditët e para të vitit të ri dhe po vazhdojnë ende. Minimumi që mund të pritet prej kreut të opozitës në raste të tilla, është solidariteti i tij, prania e tij fizike pranë këtyre njerëzve ose në pamundësi nëpërmjet mediave, ndërkohë që opozita optimalisht duhet të ofrojë zgjidhjet e veta dhe të hapë një debat për mundësitë e përballimit të situatës dhe transparencën ndaj saj. Pavarësisht deklaratave të deputetëve dhe zëdhënëses së selisë rozë, gjithkush e kupton se PS nuk po artikulohet në këtë situatë, ku qeveria është ngritur në këmbë dhe e ka bërë çështjen e ditës, madje Kryeministri i vendit po flet për një katastrofë të mundshme në rast se reshjet vazhdojnë.
Po ku është Edi Rama? Pse s’po flet ai për një situatë që po zë edicionet e lajmeve për disa ditë me radhe? Përgjigjja që vjen nga selia rozë, është e thatë dhe më shumë pragmatiste, ndodhet jashtë vendit, domethënë është i pamundur fizikisht për të qenë i pranishëm në këtë ngjarje të jashtëzakonshme. I pamundur fizikisht për politikanët që mbajnë detyra të tilla mund të ishte një justifikim nëse ai do të ishte i sëmurë, por burime nga selia rozë nuk e pohojnë këtë. Ndërkohë, burime jozyrtare thonë se ai ndodhet për pushime, duke ndjekur një rit tradicional të pushimeve dimërore, ndërkohë që verën e kaloi në parti pas humbjes së zgjedhjeve dhe përpjekjeve për të riforcuar pozitat në parti. Por nëse Rama është me pushime, siç duket se ka gjasë, do të ishte me vend që t’i ndërpriste ato për të treguar se opozita është aktive, është pranë njerëzve që po viktimizohen nga një fatkeqësi natyrore. Është tashmë një rregull që në raste fatkeqësish krerët e shtetit dhe të opozitës i ndërpresin pushimet, duke dhënë kështu një mesazh që politika është pranë njerëzve. Mund të kujtojmë këtu kryqëzimin që iu bë Fatos Nanos pse nuk ishte fizikisht në Shqipëri në tragjedinë e 9 Janarit.
Dhe pse nuk ka në dorë pushtetin për të reaguar ndaj situatës, PS-ja mund të tregojë se si do të reagonte ajo nëse do të ishte në pushtet. Në rastin më të mirë të hapë një debat për mënyrën se si po reagon qeveria, të japë eksperiencën e saj të qeverisjes së mëparshme, të nxjerrë ekspertët e saj të flasin për mënyrën se si duhen apo s’duhen hapur portat e hidrocentraleve etj. Në mungesë të qenies fizike të kryetarit të saj, PS-ja po bën çdo ditë deklarata që nuk duken afër asnjë prej këtyre opsioneve. Edhe pse deputetët e zonës së Shkodrës dhe të Lezhës kanë vajtur pranë zonave të përmbytura dhe kanë kritikuar dhe qeverinë që atje, zërat e tyre mbeten të mbytur pa praninë fizike të kryetarit të tyre, që është kryetari i opozitë së sotme dhe që në raste të tilla katastrofash natyrore prania fizike e politikanëve që pretendojnë të vijnë në pushtet nesër, shihet si një lloj testimi për aftësinë e tyre të të reaguarit në raste të ngjashme. Ndërkohë që Rama po përgatitet të organizojë turin e tretë të protestave me argumentin “në mbrojtje të demokracisë”, nuk merr iniciativën për të organizuar të paktën një tryezë ekspertësh për çështjen e përmbytjeve. Në mungesë të liderit, nga PS-ja herë vijnë thirrje ndaj banorëve që të largohen nga shtëpitë, herë vijnë akuza ndaj qeverisë që nuk po e menaxhon situatën apo ndaj Ina Ramës që të hetojë ose të largohet. Ndërkohë që kolegu i tij opozitar, Erion Veliaj, bëri dje një deklaratë për shtyp, ku jepte disa opsione për kompensimin e të prekurve nga përmbytja, Rama nuk është shfaqur akoma në TV të flasë për këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›