E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, 8 dosjet e shqiptarëve që fituan në Strasburg

Strasburgu është kthyer në një tempull drejtësie edhe për pronarët shqiptarë. Vijon të rritet numri i shqiptarëve të cilët gjithnjë e më shumë po i drejtohen Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, për të kërkuar të drejtën e tyre. Gjatë vitit 2009, numërohen mbi 10 çështje në Strasburg, ku pjesa më e madhe e tyre kërkojnë të drejtën e pronës. Në vitin e kaluar janë disa familje shqiptare që kanë fituar gjyqin në Strasburg, pasi kanë kaluar të gjitha hapat e gjyqësorit në Shqipëri. Vihet re se në Strasburg nuk ka vetëm çështje pronash nga Shqipëria, por mjaft shqiptarë të tjerë i janë drejtuar Gjykatës Evropiane edhe për shumë çështje të tjera.
Familja Hamzaraj nga Lushnja ka fituar të drejtën e pronës së saj në Strasburg. Kjo familje kërkonte një pronë prej 576 metrash katrorë të njohur nga komisioni i pronave, por që shteti asnjëherë nuk e dëmshpërbleu. Gjykata Evropiane vendosi që shteti shqiptar të paguajë një gjobë totale prej 17500 eurosh për dëmet e shkaktuara ndaj kësaj familjeje. Një tjetër familje lushnjare ka fituar në Strasburg në vitin 2009. Familja Nuri kërkoi që të kthehet prona e saj e njohur nga ligji dhe komisionet. Prona e tyre kishte 3 ndërtesa me sipërfaqe 1350 metra katrorë si dhe truall prej 540 metrash katrorë. Gjykata vendosi që shteti shqiptar të paguajë një shumë prej 71500 eurosh si dëm ekonomik dhe një shumë prej 5000 eurosh si dëm joekonomik. Një tjetër çështje u fitua nga Strasburg nga një qytetar nga Dibra, i cili pretendonte se shteti nuk i ka paguar pagesën e invaliditetit. Gjykata vendosi që shteti shqiptar të paguajë një shumë prej 6000 eurosh si dëm joekonomik.
Pjesëtarët dhe trashëgimtarët e familjes Vrioni fituan të drejtën e pronës së tyre në Strasburg, duke e detyruar shtetin shqiptar të paguajë një shumë prej 450 mijë eurosh. Trashëgimtarët kërkuan të drejtën e pronësisë së një vile në Tiranë me një truall prej 1377 metrash katrorë. Gjykata vendosi që shteti shqiptar të paguajë një shumë prej 450 000 eurosh plus edhe taksat që kanë ardhur nga dëmet ekonomike dhe joekonomike. Pjesa dërmuese e padive ndaj shtetit shqiptar janë çështjet e pazgjidhura të pronave, mosekzekutim i vendimeve të formës së prerë dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut. Nga proceset që kanë përfunduar, kur shteti ka humbur përballë paditësve nëpërmjet një fondi të posaçëm të akorduar nga qeveria është bërë e mundur dëmshpërblimi i fitueseve. Deri tani Strasburgu është shprehur disa herë në disfavor të Shqipërisë, por duke llogaritur edhe vendimet për pranimin e ankimeve, Gjykata e të Drejtave të Njeriut ka vendosur shumë herë më tepër kundër shtetit tonë, kur nuk ka pranuar kërkesën për mospranimin e padive. Duke pasur parasysh faktin se procedurat për aplikim në Strasburg janë të thjeshta, një numër i konsiderueshëm dosjesh mbërrin çdo vit nga Shqipëria në këtë gjykatë. Fillimisht aplikuesi dërgon një letër në adresë të Gjykatës së Strasburgut, me të cilën kërkon që të nisë një procedurë shqyrtimi të pretendimeve të tij. Gjykata dërgon formularin e ankimit, si dhe akte të tjera sqaruese dhe informuese, të gjitha në gjuhën shqipe. Formulari plotësohet dhe së bashku me fotokopje të thjeshta të dokumenteve të tjera provuese i dërgohet gjykatës. Në rast se çështja përbën objekt shqyrtimi nga gjykata, dokumentet e ankuesit i dërgohen qeverisë shqiptare, e cila ftohet të paraqesë opinionet, komentet dhe vëzhgimet e saj për çështjen.

Vendimet e Gjykatës së Strasburgut në vitin 2009

Çështja Hamzaraj kundër Shqipërisë

Kërkuesi shqiptar kërkoi të drejtën e pronës prej 576 metrash katrorë në qytetin e Lushnjës. Toka ka qenë e zënë, ndërsa familja nuk u kompensua dot. Gjykata vendosi zbatimin e vendimit si dhe gjobiti shtetin shqiptar me 17500 euro për dëmin ndaj familjes. Vendimi mban datën 3 shkurt 2009.

Çështja Nuri kundër Shqipërisë

Kërkuesi shqiptar kërkoi të drejtën e pronës, për kthim të pronës së njohur nga Komisioni në Lushnjë ku ndodhen dy vila dhe një ndërtesë trekatëshe me sipërfaqe 1350 metra katrorë si dhe truall prej 540 metrash katrorë. Gjykata vendosi që shteti shqiptar të paguajë një shumë prej 71500 eurosh si dëm ekonomik dhe një shumë prej 5000 eurosh si dëm joekonomik. Vendimi mban datën 3 shkurt 2009.

Çështja Dauti kundër Shqipërisë

Ankimuesi kërkoi të drejtën e invaliditetit. Sipas tij, shteti shqiptar nuk i ka njohur të drejtën e pagesës së invaliditetit. Gjykata vendosi që shteti shqiptar të paguajë një shumë prej 6000 eurosh si dëm joekonomik. Vendimi mban datën 3 shkurt 2009.

Çështja Vrioni dhe të tjerët kundër Shqipërisë

Ankimuesit kërkojnë të drejtën e pronësisë së një vile në Tiranë me një truall prej 1377 metrash katrorë. Gjykata vendosi që shteti shqiptar të paguajë një shumë prej 450 000 eurosh plus edhe taksat që kanë ardhur nga dëmet ekonomike dhe joekonomike. Vendimi mban datën 24 mars 2009.

Strasburgu, të fituarit e të humburit

Shumë familje shqiptare kanë kërkuar të drejtën në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe një pjesë e tyre kanë arritur në triumfojnë. Kryesisht, pas viteve 2000, disa familje kanë kërkuar pronat në Strasburg dhe krahas kompensimit për pronën, kanë fituar edhe kompensimet për dëmet ekonomike që kanë pësuar në vite. Deri tani janë disa miliona euro që shteti shqiptar ka humbur ndaj qytetarëve të vet. Gjatë vitit 2008 u humbën 4 çështje pronash në Gjykatën e Strasburgut, të cilat i kushtuan vendit tonë një shumë prej 129 502 966 lekësh të reja. Çështje të tilla si Gjonbocari, Beshiri apo Ramadhi kanë dalë fitimtare. Nga viti 1999 deri më sot janë dërguar nga shteti shqiptar mbi 150 çështje, nga të cilat Gjykata e Strasburgut ka pranuar të shqyrtojë 76. Deri në fundin e vitit 2008, kjo gjykatë ka dalë me 16 vendime, nga të cilat shteti ynë është ndëshkuar në 8 prej tyre. Dënimet kanë qenë si financiare, ashtu edhe legjislative. Pavarësisht shumave financiare, vërejtjet thelbësore që Gjykata e Strasburgut ka bërë ndaj shtetit shqiptar kanë qenë me një rëndësi të veçantë edhe për anën legjislative, duke i kërkuar në radhë të parë përshtatjen e Konventës Evropiane me ligjet shqiptare.

Familjet që kanë fituar në Strasburg në vite

Ramadhi kundër Shqipërisë, 8 275 176 lekë

Bajrami kundër Shqipërisë, 3 071 000 lekë

Driza kundër Shqipërisë, 69 300 000 lekë

Marini kundër Shqipërisë, 42 197 490 lekë

Gjonbocari kundër Shqipërisë, 6 036 800 lekë

Beshiri kundër Shqipërisë, 15 489 000 lekë

Qufaj Co kundër Shqipërisë, 8 856 000 lekë

Dybeku kundër Shqipërisë, 622 500 lekë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›