E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe flet për “Gërdec” të dytë, Beqja: Situata nuk është aq alarmante

Në mungesë të kryetarit PS po shfaq kontradikta në mënyrën e reagimit ndaj situatës së përmbytjeve. Dje kishte dy qëndrime të kundërta nga dy deputetë të saj. Respektivisht deputeti i Shkodrës, Ilir Beqja që ndodhej pranë zonave të përmbytura, akuzoi kryeministrin se po përhapte panik të kotë dhe tha se situata nuk është aq alarmante, ndërsa deputeti tjetër Erion Braçe fliste për përmasat e një “Gerdeci” të dytë dhe u bënte thirrje njerëzve që të largoheshin nga zonat e prekura. Beqja, i cili ka qenë aktiv që në ditët e para të përmbytjeve, tha se nuk ka vend për panik. Ndërsa Braçe nga Tirana u ka kërkuar banorëve të zonave të përmbytura, të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre dhe të shmangin, sipas tij, kështu një "Gërdec" të dytë njerëzor që nuk mund të mbulohet. “E shoh me sy dhe e ndiej me zemër, çdo shqiptar të Shkodrës për të apeluar tek ata! Largohuni! Kjo është sakrifica juaj. Qeveria ka lënë vetëm një mundësi në këto kushte, shkarkimin e ujit në sasi të mëdha nga liqenet e hidrocentralet dhe zgjerimin e zonës së katastrofës nën ujë! Largohuni! Kjo është sakrifica juaj për të shpëtuar jetën e mijëra shqiptarëve të tjerë nga rreziku i thyerjes së digave, vënë në këtë rrezik nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Nëse Gërdeci material po konsumohet, ju keni në dorë të ndalni "Gërdecin" njerëzor”, - u shpreh Braçe. Sipas Braçes, katastrofa e përmbytjeve vjen nga paaftësia e qeverisë dhe këto akuza nuk kanë bazë politike, por janë fakte të renditura që çdokush mund t’i gjejë shumë lehtë në faqen zyrtare të METE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›