E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet Gjilani

Më pak se gjysma e votave të Gjilanit janë hetuar dhe rinumëruar të mërkurën në Qendrën e Numërimit të Rezultateve.

Nga 127 vendvotime, 57 janë hapur dhe hetuar nën llupën e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Sipas burimeve të Expressit, në një vendvotim janë konstatuar shkelje. Bëhet fjalë për fshatin Pasjan të Komunës së Gjilanit. Për anulimin e kutive të këtij fshati, ndërkaq, pritet të vendosë KQZ’ja.

Një zyrtar i KQZ’së, në kushte anonimiteti, tha se rinumërimi i 57 kutive përputhen plotësisht me numërimin e parë. Po i njëjti zyrtar sqaroi se nga kutitë e numëruara, PDK’ja prinë me 1200 vota. Mirëpo, asgjë nuk është definitive, pa u numëruar dhe hetuar të gjitha kutitë.

I gjithë procesi i hetimit dhe rinumërimit të votave, të mërkurën, sipas Koordinatorit të QNR’së, Burim Ahmetaj, ka shkuar si duhet.

“52 vendvotime janë përfunduar me sukses. Nga këto kuti nuk ka pasur shumë parregullsi dhe procesi ka shkuar pa probleme”, ka thënë ai.

Për shkak të Krishtlindjeve Ortodokse, të enjten nuk do të ketë hetim dhe as rinumërim të votave. Nëse gjithçka shkon sipas planit të KQZ’së, atëherë deri të premten në mbrëmje pritet të përfundojë i tërë hetimi dhe rinumërimi i votave të Gjilanit.

“Jemi në rrugë të mirë për të përfunduar hetimin dhe numërimin e të gjitha votave të Gjilanit deri në fund të kësaj jave”, ka thënë Ahmetaj.

Ndryshe, të mërkurën në mëngjes, KQZ’ja dhe QNR’ja janë vonuar për disa orë në fillimin e procesit të verifikimit të votave të Gjilanit për shkak të paralajmërimit të LDK’së për bojkot të procesit. Përkundër mungesës së vëzhguesve të LDK’së, procesi i hetimit dhe numërimit të votave ka vazhduar me praninë e vëzhguesve të PDK’së dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare. Mirëpo, më vonë nga Qendra e LDK’së janë dërguar 15 vëzhgues për të përcjellë punën e numërimit të votave. Përkundër mungesës së vëzhguesve të LDK’së, procesi i hetimit dhe numërimit të votave ka vazhduar.

Kryetarja e KQZ’së, Nesrin Lushta ka dhënë urdhër për fillimin e hetimeve dhe numërimeve të votave, proces ky që ka shkuar paralel.

“Nuk kam informata lidhur me ndonjë bojkot, por vëzhguesit e të gjitha subjekteve janë njoftuar dhe procesi do të shkojë siç është paraparë”, ka thënë Lushta, e cila ka qëndruar gjatë tërë ditës në QNR.

Këtë bojkot e kishte paralajmëruar kandidati i LDK’së për Kryetar të Komunës së Gjilanit, Fatmir Rexhepi, i cili ka vazhduar edhe gjatë ditës të quajë veprimin e KQZ’së si antikushtetues.

Gjatë ditës së mërkurë, LDK’ja së bashku me partitë që mbështetën Fatmir Rexhepin për Kryetar të Gjilanit, kanë reaguar duke i quajtur antikushtetuese hetimet dhe rinumërimet e KQZ’së.

“KQZ’ja në asnjë mënyrë nuk ka mundur dhe nuk mund të marrë rolin e hetuesit, por vetëm të zbatojë vendimet e organit tjetër kompetent, ashtu siç parashihet edhe me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës”, ka qenë reagimi i koalicionit të LDK’së për Komunën e Gjilanit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›