E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama i interesuar për strategji elektorale, jo për vende pune

31-03-2013 / Nga Lulzim Basha

Më pak se dy vite më parë, isha i nderuar që u zgjodha Kryebashkiak i Tiranës nga bashkëqytetarët e mi. Që nga ajo ditë, ne i kemi dhënë fund konfliktit politik që po dëmtonte kryeqytetin tonë, motorin ekonomik të vendit, dhe kemi bërë gjithçka për të krijuar vende pune. Tirana sot, pas 23 vjetësh ka planin e saj urbanistik, i cili duke krijuar kushte transparente dhe të ndershme, do të sjellë vende pune me sigurinë që ofron në treg, duke inkurajuar zhvillim të qëndrueshëm e të përgjegjshëm, dhe duke i mbyllur rrugën arbitraritetit dhe favoreve  në dhënien e lejeve të ndërtimit. Dhe ne kemi punuar fort për të iniciuar projekte të reja që do ta zgjerojnë ekonominë tonë dhe do të krijojnë vende pune. Me dhjetëra projekte të shtrimit të rrugëve dhe blloqeve kanë hapur mbi 1400 vende pune vetëm gjatë një viti. Hoqëm dhe reduktuam 60 taksa dhe tarifa vendore, ulem me 30 për qind taksat për disa kategori biznesesh të vogla. Shkurtuam në 7 ditë dhe në një sportel të vetëm marrjen e një leje apo licence në Bashkinë e Tiranës. Që nga Gushti i vitit 2011 e deri më sot, në qytetin tonë janë shtuar 3 400 biznese të reja, janë rritur dhe zgjeruar shumë biznese ekzistuese duke bërë të mundur shtimin me 8500 të numrit të të punësuarve ne Tiranë. Fondi i Garancive për punësimin e të rinjve të Tiranës do të nisë nga puna në javët e ardhshme duke mundësuar kreditim të shpejtë e me interesa të ulëta të bizneseve të reja që hapin të rinjtë e te rejat në kryeqytet. Vetëm përmes Qendrës së Karrierës, të ngritur në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, ne ia dolëm të punësojmë mbi 1000 të rinj gjatë vitit 2012. Në fund të muajit Prill nis puna për bulevardin e ri dhe po gjatë muajit prill hapet tenderi ndërkombëtar për terminalin multimodal të pasagjerëve, ndërsa vijon puna për projektin e tramit me financim të qeverisë franceze dhe Bashkimit Europian. Këto janë investime të rëndësishme për Tiranën moderne dhe Europiane, por hapin edhe mijëra vendeve të reja pune për qytetarët tanë. Më në fund, Bashkia e Tiranës nuk bllokon projekte si unaza e re e Tiranës, që punëson drejtpërdrejt shume njerëz, rrit ekonominë tonë, duke e bërë më të lehtë transportin e mallrave dhe shërbimeve, duke krijuar edhe më shumë vende pune. Një kryebashkiak nuk mund të bëjë gjithçka, por si kryebashkiak jam përpjekur të bëj maksimumin për krijimin e vendeve të punës. Ish kryetari nuk ishte i interesuar në këtë drejtim të themi të drejtën, ai nuk ishte i interesuar as të ishte kryebashkiak sepse, siç e dini, ai kishte një tjetër punë…, si kryetar i PS-së, ku prioritet kryesor nuk ishin interesat tuaja…nuk ishit ju të parët…, e para ishte lufta politike për një motiv, për strategjinë e tij elektorale. Nuk është kjo mënyra se si i shoh unë gjërat, dhe nuk është kjo mënyra se si i shohim ne gjërat – ne besojmë se qytetarët janë të parët, se ju jeni të parët. Ish kryetari deklaroi madje se nuk ishte punë e tij të krijonte vende pune, dhe kështu e merrni me mend vetë se si është bilanci i tij. Bashkia nuk kishte një drejtori të investimeve direkte, sepse ai nuk ishte i interesuar në thithjen e investimeve dhe krijimin e vendeve te punës. Bashkia nuk kishte një zyrë turistike, sepse ai nuk ishte i interesuar në krijimin e vendeve të punës nga turizmi. Dhe Bashkia nuk kishte një drejtori të veçantë për politikat e punësimit, sepse ai nuk ishte i interesuar për krijimin e shanseve për punësim duke ndërmjetësuar mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve. As bëhej fjalë për ulje taksash apo fonde për të nxitur dhe garantuar punësimin. Ja pse ata që e njohin më së miri, qytetarët e Tiranës, e refuzuan Ramën në vitin 2011. Sepse ai nuk ishte i interesuar në krijimin e vendeve të punës – ai ishte i interesuar vetëm në strategji elektorale. Dhe sot e kësaj dite ai sërish është i interesuar vetëm në strategji elektorale. Edhe sot, Rama përpiqet të sjellë konfliktin e tij politik në Bashkinë e Tiranës me sulme false politike që gatuhen në sallonin e tij…, sepse konflikti politik është e vetmja gjë që ai di të bëjë. Por sot Bashkia e Tiranës është e hapur për këdo, dhe unë i takoj qytetarët personalisht çdo të premte. E di se nuk mund të zgjidh çdo problem të tyre, por kur mundem nuk gjej kënaqësi më të madhe se sa kjo, dhe përpiqem çdo ditë të bëj më të mirën. Nëse duam të hapim vende të reja pune, ne duhet të zgjedhim dikë që jo vetëm është i interesuar për këtë, por që do të punojë nga mëngjesi në mesnatë për punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve të tij. Ne na duhet Sali Berisha. Kryeministri ka një plan realist dhe konkret për punësimin – është një plan që përfshin qeverisjen vendore dhe e bën partnere në përpjekjen e tij për të rritur ekonominë dhe krijuar vende te reja pune. Në mënyrë që të shtohen vendet e punës, që një sipërmarrës të hapë një biznes të ri, që një biznes i vogël të rritet e të bëhet i mesëm  - ne na duhet projekti i Sali Berishës. Kryeministri e ka të qartë, ai e di se kemi bërë shumë, se kemi akoma më shumë për të bërë  - dhe ai është gati për punën që na pret.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›