E Diel, 1 Nëntor 2026

“Edi Rama ka frikë nga Shqipëria që ndryshon, përhap panik dhe spekulon me krizën financiar”

Partia Demokratike denoncon spekulimet e PS lidhur me gjendjen ekonomike të vendit

Zëdhënësi demokrat, Gerti Bogdani tha se një sërë institucionesh ndërkombëtare, Global Insight, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, FMN, Inteligence Unit e The Economist dhe Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ekonomike të Vjenës, deklarojnë se Shqipëria në vitin 2009 do te jetë në vendin e parë për rritje ekonomike
në Evropë.

TIRANE - Partia Demokratike ka akuzuar dje kreun socialist Edi Rama dhe partinë e tij, se po shpërndan qëllimisht pesimizëm për qytetarët, për shkak të krizës ekonomike botërore.
“Edi Rama, Mr. 15 përqindëshi apo Mr. Dosja, me zhurmuesit e tij, çdo ditë brohoret me të madhe ‘Rroftë e keqja, poshtë Shqipëria’. Në një periudhe krizë të rënde botërore ekonomike, Mr. 15% jonë shpërndan çdo ditë, me tellallët e tij, zi dhe pesimizëm për Shqipërinë. T'i biesh borive të krizës në Shqipëri dhe të brohorasësh ‘rroftë kriza’ për vendin tënd, vetëm e vetëm se ai nuk është në krizë, është sa cinike aq edhe çnjerëzore”, theksoi zëdhënësi i selisë blu, Gerti Bogdani.
Ai tha se një sërë institucionesh ndërkombëtare, Global Insight, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, FMN, Inteligence Unit e The Economist dhe Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ekonomike të Vjenës, deklarojnë se Shqipëria në vitin 2009 do te jetë në vendin e parë për rritje ekonomike në Evropë.
“Por gjithë kjo zhurmë e zotit Rama ka një shpjegim. Zoti Rama ka frikë, ka frikë që Shqipëria po Ndryshon”,përfundoi Bogdani.
Zëdhënësi demokrat reagoi pak minuta pas deklaratave të deputetit socialist, Andis Harasani, në lidhje me krizën ekonomike. Sipas tij pavarësisht situatës së pretenduar si e rëndë, qeveria shqiptare jo vetëm që nuk merr asnjë masë për të përballuar këtë krizë e cila po troket çdo ditë e më fort, por përkundrazi “sulmon në mënyrën më të pa principtë Bankën Botërore dhe institucionet e tjera të respektuara financiare”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›