“Kërcënimet e PS-së ndaj policisë, dëshmi e nostalgjisë për Aldo Baren dhe Nehat Kullën”
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme hedh poshtë akuzat e edvinistit Manjani mbi sigurinë në vendin
“Qytetarët shqiptarë, sot më shumë se asnjëherë tjetër, kanë në krah shtetin e së drejtës dhe funksionimin e ligjit dhe se instrumentet e sigurisë publike dhe funksionimi i tyre
në luftën kundër krimit përbëjnë një nga arritjet më madhore të qeverisë shqiptare”.
TIRANE - Ministria e Brendshme ka hedhur dje poshtë deklaratat spekulative të Partisë Socialiste, të cilat deformojnë realitetin e funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Zëdhënësi Fatmir Konja tha në kundërpërgjigje te akuzave të Sekretarit për Çështjet Ligjore ne PS, Ylli Manjani, se qytetarët shqiptarë, sot më shumë se asnjëherë tjetër, kanë në krah shtetin e së drejtës dhe funksionimin e ligjit dhe se instrumentet e sigurisë publike dhe funksionimi i tyre në luftën kundër krimit përbëjnë një nga arritjet më madhore të qeverisë shqiptare.
“Institucionet më prestigjioze ndërkombëtare e klasifikojnë sot Shqipërinë si një vend të sigurt dhe me rezultate të larta në luftën kundër krimit të organizuar. Raporti i Departamentit të Shtetit, i paraqitur në Kongresin Amerikan, deklaron se qeveria shqiptare ka bërë një progres evident në përpjekjet e saj për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore dhe se ajo ka dhënë dënime të ashpra e të drejta ndaj organizatorëve të këtij trafiku. Raporti më i fundit i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve e klasifikon Shqipërinë si një vend jashtë linjës kryesore të transitit të drogës. Në këtë drejtim Policia e Shtetit Shqiptar gjatë vitit të kaluar ka organizuar mbi 20 operacione të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë kundër trafikut të drogës. Raporti i Departamentit të Shtetit mbi të drejtat dhe liritë e njeriut evidenton faktin se gjatë vitit të kaluar në Shqipëri ka pasur vetëm 85 vrasje, çka përbën minimumin historik të këtyre ngjarjeve në 18 vitet e fundit, e po ashtu evidenton faktin se Policia e Shtetit rihapi dhe zbuloi 81 vrasje të vjetra, të ndodhura në vitet e shkuara. Ky raport deklaron se Ministria e Brendshme startoi një sistem të ri rekrutimi në Policinë e Shtetit me procedura të standardizuara”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.
Sipas Konjës sot Shqipëria ka një nivel kriminaliteti më të ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian për dhe se të gjitha figurat e krimit në vend rezultojnë më të ulëta se një vit më parë dhe zbulueshmëria e tyre është rritur në nivelin 80 për qind.
“Kërcënimet e vazhdueshme të selisë së Partisë Socialiste ndaj strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat u rikthyen qytetarëve shqiptarë ligjin dhe rendin, sigurinë dhe qetësinë, tregojnë se nostalgjia e Partisë Socialiste për Aldo Baren dhe Nehat Kullën mbetet ende e fortë. Ministria e Brendshme siguron të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit se vullneti politik i kësaj qeverie, që bëri të mundur dërgimin para drejtësisë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale dhe mos humbjen e qoftë edhe një jete të vetme të punonjësve të policisë, do të vazhdojë të jetë i pandryshueshëm”, përfundoi reagimin e tij Fatmir Konja, zëdhënësi i Mistrisë së Brendshme.
Pak orë më parë Manjani kishte deklaruar se vendi po përjeton “një situatë kriminale në rritje”.
Sipas tij “jeta e shqiptarëve kërcënohet nga krimi i të gjitha formave të shfaqjes së tij, shëndeti i tyre kërcënohet dukshëm dhe në mënyrë të rritur nga puna e zezë dhe jashtë rregullave të sigurimit teknik, ndërsa pasuria e shtetasve dhe kryesisht vjedhjet e shtëpive apo makinave kanë pësuar një ngritje shqetësuese në dy muajt e parë të këtij viti”.