Fillojnë përgatitjet për samitin e NATO-s, ku Shqipëria anëtarësohet plotësisht
Ministri Basha merr pjesë në mbledhjen e Ministrave të Punëve të Jashtme
TIRANA - Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Lulzim Basha, merr pjesë në Ministerialin e Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s që mbahet gjatë dy ditëve në Bruksel.
Tema kryesore e këtij Ministeriali është përgatitja për Samitin e NATO-s të 3-4 prillit në Strasburg-Kehl, ku pritet që Shqipëria të marrë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Gjatë Ministerialit, Ministrat e Punëve të Jashtme të 26 vendeve anëtare të Aleancës, së bashku me Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë, do të diskutojnë një numër dokumentesh të rëndësishme për të ardhmen e NATO-s të cilat do të paraqiten në Samitin e Strasburg-Kehl për t’u adaptuar nga Kryetarët e Shteteve/Qeverive të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.