E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve shtyn miratimin e projektligjit “Për Gjykatat Administrative”

Drafti parashikon mbrojtjen e biznesit nga rastet abuzive të administratës shtetërore, si dhe parandalimin e zvarritjeve në gjykime

TIRANE - Komisioni i Ligjeve gjatë mbledhjes së djeshme ka shtyrë për ditën e hënë miratimin e draftit për Gjykatën Administrative, i cili është pjesë e ligjeve të reformës në drejtësi.
Shtyrja u bë pasi opozita është shprehur kritike për disa pika të veçanta të tij, dhe kërkoi të merren parasysh propozimet e saj për draftin. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj deklaroi se propozimet prej 22 faqesh të Partisë Socialiste janë përfshirë në draft, kjo e fundit ka mbetur e pakënaqur.
“Është parashtruar jo vetëm vërejtja përkatëse, por edhe komenti përkatës për secilën prej vërejtjeve”, tha ministri Alibeaj.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, e cilësoi sjelljen e opozitës si “luftë, o prano letrën time, ose përndryshe kapitullo”.
Rusmali propozoi që në ditët në vazhdim ekspertët e huaj dhe Ministria e Drejtësisë ta rishikojnë edhe njëherë projektligjin, për të parë mundësinë për përmirësime.
Drafti parashikon krijimin e rrjetit të gjykatave administrative me qëllim mbrojtjen e biznesit nga rastet abuzive të administratës shtetërore, si dhe parandalimin e zvarritjeve në gjykime. Për këtë qëllim projekti parashikon që çështjet në këtë gjykatë të përfundojnë brenda dy muajve, (një muaj në gjykatën e shkallës së parë dhe një muaj  në apel), një periudhe kohore shumë e shkurtër.
Projektligji parashikon që sistemi gjyqësor administrativ do të përbëhet nga gjykatat në dy shkallë: gjykata e shkallës së parë administrative, që do ta ketë qendrën e saj në Tiranë dhe gjykata e Apelit administrativ. Gjykata do të jetë pala e tretë, mbi individin dhe mbi shtetin, që në kushte barazie, transparence dhe profesionalizmi do të vendosë të drejtën.        
Nisma e Ministrisë së Drejtësisë 'për gjykatat administrative' ka nisur fillimisht si bashkëpunim i saj me një projekt të BE-së, për të bërë të mundur sjelljen e modelit dhe përvojës më të përparuar në perëndim, në krijimin e sistemit të gjykimit administrativ. Kontribut në hartimin e draftit kanë dhënë dhe ekspertët të sistemit gjyqësor, shoqata të gjyqtarëve, KLD, shoqata të biznesit, bankave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›