E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama ka frikë nga vota e emigrantëve, e di që ata do të votonin në shumicë Partinë Demokratike”

04-05-2013 / Gazeta 55

Imami takime me takime me emigrantë të kthyer në Elbasan: Qeveria po bën përpjekje për integrimin e shpejtë të emigrantëve të kthyer në atdhe

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, njëkohësisht kryetari i Grupit të Punës të PD-së për Qarkun e Elbasanit, deklaroi dje se “qeveria po bën të gjitha përpjekjet për një integrim sa më të shpejtë në punë, biznes dhe shoqëri të emigrantëve që janë kthyer në Shqipëri”. Gjatë një takimi me emigrantë të kthyer, Imami tha se Shqipëria ofron sot një panoramë krejt tjetër krahasuar me disa vite më parë, ku veçoi investimet në infrastrukturë, rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e taksave dhe mbështetjen e bujqësisë. “Në Shqipëri tani ka investime të huaja, po përfundon një rrjet infrastrukturor i një vendi të zhvilluar. Shqipëria ndryshe nga vendet fqinje të cilat gjatë këtyre viteve janë përfshirë realisht nga kriza, kanë ndalur zhvillimin, janë ulur rrogat dhe pensionet, janë shkurtuar vendet e punës për shkak të krizës, ndërsa Shqipëria ka qëndruar”- u shpreh Imami. Shqipëria është një vend i vogël, vijoi ai dhe nuk është Shqipëria që imponon ekonominë botërore e as ekonominë rajonale, përkundrazi ekonomia rajonale e ndikon Shqipërinë, megjithatë Shqipëria është nga të paktët e ndoshta i vetmi vend i cili i ka rezistuar krizës dhe gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur zhvillim pozitiv. Sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend që ka rritur çdo vit rrogat dhe pensionet dhe i vetmi vend  që ka ndërtuar një program të madh për investime publike që po e kthejnë Shqipërinë në një vend me një infrastrukturë të zhvilluar, ku rritja ekonomike ka qenë pozitive në vazhdimësi në gjithë këto vite, mjafton të përmendet viti 2012 i cili ka qenë dhe viti më i vështirë nga 4 vitet e fundit për ekonominë Europiane Shqipëria ka pasur një zhvillim pozitiv. “Bujqësia është rritur me 6.3 %, industria me mbi 8 %, investimet e huaja vazhdojnë të vijnë dhe e gjitha kjo na tregon që shanset dhe mundësitë janë të hapura, le ti shfrytëzojmë këto për mirëqenien e familjeve tona, për ta kthyer këtë vend në një vend të zhvilluar. Unë shpresoj dhe besoj që vetë konstatimi juaj për ndryshimin që ka pësuar Shqipëria në këto vite do të jetë një  faktor i rëndësishëm që ju duhet të mbështesni Partinë Demokratike në këto zgjedhje, ta votoni atë, por edhe të punoni për të”- theksoi ai. I pyetur për mënyrën se si do të votojnë emigrantët dhe programin e qeverisë për këtë shtresë që sa vjen e po kthehet në atdhe, Imami u përgjigj se e drejta për të zgjedhur e për t’u zgjedhur është një e drejtë kushtetuese e patjetërsueshme. Duke u mbështetur në këtë ide, tha ai, ne i kemi paraqitur opozitës ftesën për përmirësimin e kodit zgjedhor në mënyrë që emigrantët kudo që janë të mund të votojnë. Por sipas tij “Edi Rama ka frikë nga emigrantët, pasi e di fare mirë se ata i dallojnë përmirësimet që janë bërë anembanë Shqipërisë nga Partia Demokratike gjatë këtyre viteve”. Imami komentoi dhe bllokimin që Partia Socialiste dhe lidershipi i saj, Edi Rama i bënë integrimit të Shqipërisë në BE. “Çdo vit kemi pasur shpresë për marrjen e statusit, por ai çdo vit e pengoi me bojkotim, me grevë urie, me 21 janarin dhe kur më në fund u morrëm vesh për bërjen e një plani me 11 pika i cili do të rriste besimin reciprok midis mazhorancës dhe opozitës, ai nga 11 pikat votoi vetëm 8 dhe 3 ligjet që ishin kriter nuk i votoi sepse ishte interesi i tij personal të cilin e nxjerr përpara interesit të qytetarëve për të justifikuar humbjen e vitit 2009 para elektoratit të Partisë Socialiste që të ishte përsëri në krye të asaj partie.
Po t’i kishte votuar 3 ligjet, ne sot do të kishim marrë statusin e vendit kandidat që do të thotë se qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit e njohin mirë punën dhe përpjekjet e qeverisë dhe Kryeministrit Berisha për integrimin e këtij vendi, e kuptojnë rëndësinë e të qenit vend anëtar i NATO-s sepse jetojnë në një prej tyre, e kuptojnë rëndësinë e liberalizimit të vizave sepse nëpërmjet këtij liberalizimi prindërit e tyre mund t’i vizitojnë ata, ashtu sikurse e ndjejnë, në lëkurë atë që i bëri Rama duke mos votuar ligjet. Nëqoftëse do të ishte Shqipëria sot një vend kandidat, u shpreh ai, këta qytetarë në vendet ku jetojnë do të ishin shumë më të barabartë se ç’janë sot me qytetarët e atyre vendeve. Po kujtoj vetëm një element, shanset e tyre për pensione do të ishin shumë më të larta sepse z. Rama e ka të qartë se burrat dhe gratë që jetojnë jashtë vëndit dhe për të cilët integrimi e zhvillimi i Shqipërisë ka një prioritet, për t’i dhënë shpresë, për t’u kthyer një ditë në vendin e tyre por duke parë dhe punën që Partia Demokratike ka bërë në këtë drejtim me arritje e suksese të mëdha, z. Rama është i bindur që emigrantët shqiptar do të votonin me shumicë për Partinë Demokratike”- theksoi Imami.
Përsa i përket punësimit të emigrantëve të kthyer në Shqipëri, Imami përmendi investimet në infrastrukturë, ku përmendi ndërtimin e infrastrukturës rurale si dhe veprën madhore, autostradën Tiranë-Elbasan, që lidhd dy qytetet për vetëm 18 minuta, dhe mundësitë për një zhvillim të mirë dhe intensiv të bujqësisë, sidomos nëpërmjet programeve të reja qeveritare për subvencionimin, për heqjen e taksave, për inputet dhe programet për dhënie kontrata qiraje afatgjata të tokave të pazëna deri më tani”. “E gjithë politika jonë për mbështetjen e bujqësisë dhe mbrojtjen e prodhimit tonë bujqësor bënë të mundur që njerëzit t’i kthehen punës në vendin e tyre dhe mos të marrin malet, siç i kanë marrë me vite me radhë në drejtim të Greqisë, apo gomonet në drejtim të Italisë, thjesht për të punuar në mënyrë sezonale disa muaj. Kjo do të thotë që janë rritur kapacitetet për punë dhe kur flasim për vende pune, kemi parasysh edhe qytetin edhe fshatin. Për të thënë të vërtetën, investimi më i madh që ka bërë qeveria shqiptare në këto 4 vite është në Qarkun e Elbasanit, në të gjithë infrastrukturën, por do të veçoja pa dyshim rrugën Elbasan-Tiranë, që do të hapet më 15 qershor. Është e sigurt që kjo rrugë do të hapi shanse dhe mundësi të mëdha”- deklaroi Imami.
Takime me banorë dhe biznesmenë në Bradashesh të Elbasanit/Kryetari i Grupit të Punës të Partisë Demokratike, për Qarkun e Elbasanit, Arben Imami zhvilloi një takim në komunën e Bradasheshit, ku vizitoi biznese të zonës si dhe zhvilloi bashkëbisedim me banorët. Gjatë vizitës në një fabrikë të punimit të drurit, Imami bashkëbisedoi me biznesmenët mbi problematikat që kanë bizneset në Shqipëri. Një ndër problematikat që u shfaqën ishin vështirësia për gjetjen e fuqisë punëtore si specialistë të mesëm teknik.
Ndërsa Imami në fjalën e tij evidentoi problemin e arsimit të përgjithshëm, duke thënë se “akoma nuk kemi atë formatim të arsimit që të përgatisë njerëz të aftë për tregun e punës dhe kjo në Elbasan ndoshta ndodh edhe me universitetin”. Duke theksuar numrin e lartë të mësuesve që përgatit ky universitet, mbi nevojën e tregut për këtë profesion, Imami u shpreh se “kjo çështje do të rregullohet pa dyshim në shkollat e mesme profesionale, të cilave edhe pse u është kushtuar vëmendje, ende kërkesa e tregut nuk ka qenë masive”. Ai premtoi ngritjen e një shkolle profesionale për qarkun e Elbasanit në 4-vjeçarin e ardhshëm, për të cilën, tha ai, qeveria ka filluar që tani punën. Ndërkaq, përfaqësues të biznesit dhe banorë të zonës vlerësuan rrugën e re Tiranë –Elbasan, si një arritje të madhe për këtë qytet e në veçanti për biznesin, pasi jo vetëm që do të ulen kostot e transportit, por, sipas tyre, edhe shpejtësia e realizimit të xhiros do të jetë më e madhe.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›