“Edi Rama ka frikë se Shqipëria po ndryshon”
PD/ Gerti Bogdani
TIRANE - Partia Demokratike ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të Partisë Socialiste, lidhur me spotet publicitare, përmes zëdhënësit të saj, Gerti Bogdani.
“I tronditur nga arritjet e certifikuara të Qeverisë shqiptare, Edi Rama, i cili suksesin jo vetëm të Qeverisë, por edhe të vendit të tij, e konsideron si disfatë personale, në ritualin e përditshëm të mashtrimit, u mor sot me spotet publicitare”, u shpreh zëdhënësi demokrat. Sipas Bogdanit spotet dhe promovimi i arritjeve dhe politikave të qeverisë është një detyrim madhor i çdo qeverie transparente.
“Të gjitha të dhënat, pa përjashtim, të paraqitura në këto spote, kanë certifikim ndërkombëtar të padiskutueshëm. Këto të dhëna nuk mund të nxihen, të errësohen, as me sharje, as me shpifje, as me trillime, as me retorikën boshe të opozitës. Për sa u përket shpenzimeve, ato janë të gjitha transparente dhe lehtësisht të kontrollueshme nga çdo qytetar i këtij vendi. Së fundi, i rikujtojmë Edi Ramës se të gjitha ministritë e kësaj Qeverie, kanë shpenzuar në 3 vjet me spote publicitare, me pak se 1/4 e shpenzimeve, që ka bërë Rama vetëm në njërin prej mandateve të tij. Rikujtojmë se vetëm për promovimin e planit rregullues, përfshirë këtu edhe barakën prej xhami, me të cilën ka zënë shatërvanin, pra për një publicitet të vetëm, Rama ka shpenzuar më shumë se sa Qeveria për të gjitha spotet e marra së bashku. Por, e gjitha kjo ka një shpjegim, Rama ka frikë. Ai ka frikë, sepse Shqipëria po ndryshon”, deklaroi dje Gerti Bogdani.