Presidenti Topi zyrtarizon datën - zgjedhjet e reja me 28 qershor
Gati ngritja e administratës dhe krijimi i kolegjit zgjedhor
TIRANE - Presidenti i Republikës Bamir Topi ka dekretuar dje datën e zgjedhjeve parlamentare. Kështu, me vendim të kreu të shtetit, të cilit Kushtetuta i rezervon të drejtën e datës së dekretimit, zgjedhjet parlamentare do të mbahen me 28 qershor të këtij viti. Kodi i ri Zgjedhor është miratuar para pak javësh në Parlament me një shumicë absolute.
Në bazë të Kodit të ri, presidenti duhet të dekretonte datën e zgjedhjeve, 7 ditë pasi kodi të hynte në fuqi.
“Bazuar në nenin 92, pika ‘gj’ e Kushtetutës dhe nenin 184 të Kodit Zgjedhor të miratuar nga Kuvendi në datë 29.12.2008, Presidenti i Republikës vendosi që zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të mbahen ditën e diel, në datë 28 qershor 2009”, deklaroi zyra e shtypit e kreut të shtetit.
Vendimi i Topit, erdhi pikërisht në ditën kur Kodi i ri Zgjedhor ka hyrë zyrtarisht në fuqi. Shpallja e datës së zgjedhjeve hap rrugë fillimit të punës për ngritjen e administratës zgjedhore duke filluar nga ngritja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përbërja e të cilit është riformatuar pas miratimit të reformës zgjedhore.
Ndërkohë KLD-ja, lajmëroi dje se brenda pesë ditësh do të zgjedhin Kolegjin Zgjedhor, nëpërmjet shortit, ku pjesëmarrës do të jenë gjyqtarët e gjykatave të Apelit.
Në bazë të Kodit të ri Elektoral, shqiptarët do të votojnë me sistemin proporcional rajonal, që do të thotë zgjedhësit do të hedhin votën për partitë dhe koalicionet, dhe jo për emrat e kandidatëve për deputetë. Fushata zgjedhore, bazuar në Kodin e ri zgjedhor, duhet të fillojë më 28 maj, në një kohë që shumë shpejt kampet politike do të duhet që të përcaktojnë aleatët dhe koalicionet me të cilat do të përballen në zgjedhjet e afërta parlamentare.