E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ka marrë fund koha e buxheteve në funksion të karteleve korruptive”

Kreu i LSI-së, Ilir Meta lëshon akuza të rënda ndaj kryebashkiakut, ende në detyrë, të Tiranës

Sipas kreut të LSI-së qytetarët e Tiranës nuk mund të pranojnë më që një rrugë të paguhet tre herë nga Bashkia e Tiranës dhe përsëri të prishet, nuk mund të pranojnë që
një shkollë të paguhet dy herë me taksat e tyre nga Bashkia e Tiranës dhe tavani i saj përsëri të bjerë dhe të zërë fëmijët e Tiranës.

TIRANE – “Në rast se mungon vullneti dhe reflektimi për propozimet e bëra nga grupi i këshilltarëve tanë, që buxheti të jetë i detajuar në çdo qindarkë të vetën, e cila duhet të ketë destinacion të sigurt dhe mirëpërdorim në funksion të komunitetit, atëherë nuk do të jetë faji ynë që për këtë buxhet do t’i duhet të shprehen qytetarët e Tiranës me votim”. Është ky paralajmërimi që ka bërë dje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ndaj kryebashkiakut Edi Rama një ditë pasi ky i fundit lëshoi përmes këshilltarëve të
tij socialistë akuzat të ashpra në drejtim të Metës dhe forcës që ai drejton, pas rrëzimit me shumicë votash të projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2009.
“Pa u marrë me filozofinë e këtyre fletërrufeve të vjetra, që i takojnë revolucionit kulturor, dua t’ju them se përpara se të përdorin atë gjuhë tërë mllef dhe aq të vjetër ndaj Ilir Metës dhe LSI, përpara se t’i qajnë hallin qytetarëve të Tiranës, këshilltarët që ishin rreshtuar dje para bashkisë duhet t’u thonë qytetarëve të Tiranës se pse Kryetari i Bashkisë nuk merr pjesë në mbledhje ku diskutohet buxheti i bashkisë dhe a ka gjë më të rëndësishme për një Kryetar bashkie, të çdo qyteti në botë, brenda një viti, sesa diskutimi dhe miratimi i buxhetit të bashkisë. Si e shpjegojnë këshilltarët e Partisë Socialiste këtë injorim dhe këtë nënvlerësim që Kryetari i Bashkisë i bën këshillit të votuar nga qytetarët e Tiranës. Së dyti, unë shpresova se do të dëgjoja ndonjë argument të këshilltarëve të Partisë Socialiste se për çfarë ata nuk ishin dakord me propozimet e bëra nga grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, propozime të cilat i kanë të zyrtarizuara prej gati një muaji”, iu kundërpërgjigj Meta akuzave të dy ditëve më parë të Mimi Kodhelit.
Më tej kreu i LSI-së nuk ka ngurruar që të atakojë ashpër kryebashkiakun Rama dhe “modelin” që ai ka krijuar në drejtimin e njësisë më të madhe vendore në Shqipëri dhe në emër të së cilit shprehet se do t’u kërkojë në qershor votën shqiptarëve për të qeverisur mbarë vendin.
“Unë dua t’ju them këtyre këshilltarëve se qytetarët e Tiranës nuk i besojnë më përrallat me modelin e suksesshëm që i bën buxhetet në funksion të karteleve dhe jo të qytetarëve. Sepse, qytetarët e Tiranës nuk mund të pranojnë më që një rrugë të paguhet tre herë nga Bashkia e Tiranës dhe përsëri të prishet. Sepse qytetarët e Tiranës nuk mund të pranojnë që një shkollë të paguhet dy herë me taksat e tyre nga Bashkia e Tiranës dhe tavani i saj përsëri të bjerë dhe të zërë fëmijët e Tiranës... Koha kur bashkia ishte në funksion të karteleve ka mbaruar. Bashkia do të jetë e hapur ndaj qytetarëve, do të jetë në shërbim të tyre dhe çdo qindarkë e taksave të qytetarëve të Tiranës do të shkojë vetëm për qytetarët e Tiranës”, nënvizoi më tej Meta.
Lideri i LSI-së theksoi se ky do të jetë në vijimësi angazhimi i forcës që ai drejton dhe se kujt nuk i pëlqen ky qëndrim, le të vazhdojë me fletërrufetë e 2005-ës.
I pyetur sesa ky qëndrim do të ndikojë edhe në fatin e ftesës për bashkëpunim që LSI ka drejtuar së fundmi ndaj lidershipit socialist, Meta tha se, “nuk duhen ngatërruar qëndrimet politike me qëndrimet për sa i takon çështjeve të bashkive apo të komunave të veçanta... Në rast se devocioni i tyre injorohet për shkak se kryetarët e bashkive kërkojnë të kenë një xhep më vete për fushatë elektorale prej 6 milion eurosh dhe nuk duan të japin asnjë llogari se ku do ti shpenzojnë, ky nuk është një problem i këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përkundrazi, është detyra jonë dhe e çdo të zgjedhuri të mbrojë edhe qindarkën e fundit të taksave që paguan dhe qytetari më i thjeshtë në këtë qytet, apo në çdo qytet dhe në çdo komunë të Shqipërisë”, tha Meta.
Për sa i përket bashkëpunimit me Partinë Socialiste, kreu i LSI-së deklaroi se kjo forcë i ka konsumuar të gjitha përpjekjet në këtë drejtim.
“Ju e dini që LSI është 24 orë e hapur dhe e tillë do të mbetet për të gjithë ata që kërkojnë bashkëpunim me LSI”, përfundoi Meta.

Kartat e identitetit

PS, sulm procesit për të siguruar alibinë e disfatës në zgjedhje

TIRANE - Partia Socialiste nuk po mundet që të fshehë panikun nga humbja e një alibie të vlefshme për të kontestuar zgjedhjet e humbura që qershorit të ardhshëm ndaj.
Edhe dje selia rozë nuk ka reshtur së atakuari procesin e prodhimit të kartave të
reja të identitetit me shpresën se kështu do të krijojë një tymnajë mbi një ndër detyrimet bazike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Deputeti i PS-ës Taulant Balla, jo më larg se një orë e gjysmë pasi qeveria kishte marrë vendimin për subvencionimin e 4 kategorive sociale në nevojë, pretendonte gjatë deklaratës së tij se procesi i pajisjes së shqiptarëve me kartat e reja te identitetit gjithçka i është lënë “qëllimisht rastësisë dhe konfuzionit”. 
“Berisha duhet ta ketë të qartë se pa pajisjen me karta identiteti të të gjithë qytetarëve, nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Për këtë qëllim është i rëndësishëm prioritizimi i pajisjes me karta identiteti të qytetarëve pa pasaporta të vlefshme për votim”, deklaronte Balla, i cili dukej se nuk kishte qenë këto ditë në Shqipëri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›