“Edi Rama ka marrë përsipër rolin e Nastradinit”
Prezantohen kandidatët e PD në Sukth, Qarku Durrës
Kryeministri Sali Berisha ka ironizuar dje nga Sukthi deklaratat e Edi Ramës se do të udhëheqë vetë procesin e legalizimeve të banesave informale. Gjatë tubimit elektoral ku prezantoi kandidatët e PD, Berisha tha se, ai (Edi Rama) ka marrë përsipër rolin e Nastradinit në autobusin mavi, pasi në një pjesë të vendit qytetarëve iu thotë shkoni në male, ndërsa diku tjetër iu thotë edhe Enveri të ngrihet nga varri, ju nuk do të lëvizni. “Shoku i autobusit ju thotë fermerëve se ai do të bëjë legalizimin, paçka se në Rrashbull, kur pyeti një banor nga ke ardhur dhe ai iu përgjigj nga Mirëdita, i tha shko në male, se atje e keni vendin. Ai ka marrë përsipër rolin e Nastradinit, në autobusin mavi. Të tjerëve u thotë se edhe Enveri të ngrihet nga varri, ju nuk do të lëvizni, por në Rrashbull u tha toka nuk është e juaja, shkoni nga keni ardhur”- u shpreh Berisha. Ai deklaroi se Edi Rama mashtron qytetarët kur thotë se taksa progresive është taksë e ndershme, ndërsa vlerësoi taksën e sheshtë si më të drejtën. “Shoku i autobusit mavi përpiqet dhe mendon t’ju mashtrojë juve, duke ju thënë se taksa progresive është taksa më e ndershme, se ajo, thotë ai, taton më pak, atë që merr më pak dhe taton më shumë, atë që merr më shumë. Vëllezër, të dhjetat është taksa më e ndershme, sepse ai që merr dhjetë paguan një, ai që merr njëqind paguan dhjetë herë më shumë, pra, paguan dhjetë, ai që merr njëmijë paguan njëqind herë më shumë, pra, paguan njëqind. Kjo është e vërteta e kësaj takse. Ja sepse të parët tanë në të gjitha kohërat kanë përdorur vetëm të dhjetat”- theksoi ai. Gjithashtu, kreu i qeverisë ironizoi edhe deklaratat e Ramës se, do heqë taksën mbi makineritë, në një kohë kur sot, asnjë biznes nuk paguan taksë për makinerëit që hyjnë në Shqipëri. “Në Delvinë u zotua se do heq taksën mbi makineritë, po shko tek doganat dhe mësoje se asnjë biznes nuk paguan asnjë taksë për makineritë që hyjnë në Shqipëri. Në një vend tjetër ju thotë fermerëve se do heqë TVSH, ne kemi vendosur t’ju japim në dorë TVSH për cdo gjë që përdorni në fermat tuaja. Akcizën e naftës me para në dorë, ky është zotimi ynë dhe vendimet janë të miratuara në mënyrë përfundimtare”, vijoi kryeministri. Më tej Berisha sulmoi edhe nismën e PS, për heqjen e TVSH-së për prodhimet bazë. Sipas tij, kjo është platforma e shkatërrimit të prodhimeve vendase. “Këto ditë ka shpallur përsëri platformën e shkatërrimit të prodhimeve tuaja, thotë do heq TVSH për grurin, qumështin, mishin e vezët. Kjo për ju do të thotë që mishi i Brazilit dhe Argjentinës të mos ju lejë ju të rrisni lopë, vica për mish se ai po hyn pa TVSH. Kjo do të thotë se nëse heqim TVSH për qumështin, fillojnë të vijnë kontenierët me qumësht pluhur e pa pluhur, ju mbillni grurë po ne nuk kemi shumë tokë, vendet me fusha të pafundme prodhojnë grurë më shumë, do e sjellin ata shumë më lirë e ju s’do mbillni dot më, kjo politikë bëhet për të krijuar monopolet socialiste të vezëve, mishit, miellit e qumështit. Në Shqipëri dhe botë nuk është ulur kurrë ndonjë çmim se u hiqet TVSH”- tha Berisha. Ndërkaq, duke prezantuar programin e Partisë Demokratike, kryeministri Berisha premtoi rrugë të reja, ujësjellësa, shkolla të standardeve më të mira për këta banorë. Sipas tij, vendimet e fundit të qeverisë autorizojnë dhënien e tapive për tokat kudo që ndodhen. “Këto vite në Bashkinë e Sukthit janë nderuar dhjetëra e dhjetëra km rrugë, shumica dërrmuese e banorëve marrin ujë 24 orë, janë ndërtuar dhe rindërtuar shumica e shkollave. 4 vitet që vijnë për fermerët e Sukthit, për të cilët ne kemi financuar rreth 100 hektarë vreshta, drurë frutorë, sera do të trefishojmë grantet. Sukthi do të ketë tregun e vetë modern, terrene sportive, do shndërrohet në një nga qendrat urbane më të zhvilluara. Dua të garantoj fermerët se vendimet e fundit të 3 muajve më parë autorizojnë qeveritë vendore të japë të gjitha tapitë për tokat kudo që ndodhen, do sjellim zyrën e hipotekës pranë çdo komune dhe bashkie të vendit. Po përfundojmë hartën dixhitale të tokës, për çdo shqiptar do marrin fund andrallat e mbivendosjeve”, tha Berisha. Ai ftoi më tej banorët: “Më 23 qershor votoni për veten, për punësimin, për rritjen e mirëqenies, për integrimin në BE, votoni për zhvillimin, të ardhmen, përpara me PD, votoni 44”.