E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama ka nevojë për psikiatër, nuk e ndihmojnë dot diversioni dhe diversantët”

Kreu i LSI-së Ilir Meta garanton një qeverisje në koalicion me PD-në deri në vitin 2013

TIRANE – Ilir Meta, kreu i LSI-së, i është përgjigjur dje akuzave të Edi Ramës, kreut të PS-së, duke e cilësuar atë si person, që ka nevojë për psikiatër dhe jo për komente politike. Në shpjegime për lëvizjet diversioniste të Ramës, me disa emra të LSI-së, Meta ka saktësuar se atë nuk mund ta ndihmojnë as diversionet as diversantët.
“Ky mentalitet i tij bizantin, ka qenë në themel të fatkeqësisë që e ka kapluar, që çon në ato shpërthime që nuk mund të komentohen nga asnjë politikan përfshirë dhe mua, por për të cilat duhet të pyesni ndonjë psikiatër... Po unë me shpalljen e LSI që bën Edi Rama jam mësuar, se ka shpallur LSI-në e atij Sanxhakut në Lushnjë, ka shpallur dhe disa LSI të tjera nëpër Shqipëri. Mirëpo ato nuk e ndihmuan as që të arrinte ato qëllimet e tij, dhe nuk e ndihmojnë dot, sepse diversioni nuk është diçka e re në Shqipëri, në politikën shqiptare nuk jep efekte afatgjata, dhe aq më tepër diversantët. Politika bëhet e hapur, bëhet në mënyrë transparente, bëhet në mënyrë të ndershme”, komentoi dje Ilir Meta në një konferencë shtypi për gazetarët.
Ai ka garantuar gjithashtu dje në mënyrë të përsëritur një koalicion qeverisë me PD-në, deri në vitin 2013, ndërsa e ka cilësuar këtë 4-vjeçar, si periudhë të re politike dhe qeverisëse në vend.
“Tashmë, nuk jemi vetëm në fillimin e një legjislature të re, por kemi të bëjmë me një periudhë të re politike dhe qeverisëse në vend. Jemi në prag të konkludimit të një marrëveshjeje, tepër parimore, përfaqësuese, dhe solide, për 4 vitet që vijnë me PD-në si forca e parë fituese e zgjedhjeve të 28 Qershorit, e cila natyrisht synon që të garantojë jo vetëm stabilitetin institucional të vendit, por njëkohësisht dhe ndërtimin e një qeverisjeje, e cila do të përballojë sfidat me të cilat ndeshen të gjithë qytetarët shqiptarë dhe natyrisht sfidat që ka vendi, të cilat kanë të bëjnë me vetë ecurinë e integrimit Evropian”, u shpreh Meta dje në një konferencë shtypi.
Duke shpjeguar edhe ecurinë e hartimit të një programi të përbashkët qeverisë, Meta ka sqaruar edhe kontributin e LSI-së, për hartimin e këtij programi.
Duke ripërsëritur vullnetin për një qeverisje të qëndrueshme, Meta ka bërë të ditur se qëllimi i kësaj qeverisje është fitimi i betejave të rëndësishme që priten të dalin përpara.
“Unë dua të shpreh besimin tim të plotë, vullnetin e LSI-së për të garantuar një qeverisje të qëndrueshme dhe një qeverisje shumë përfaqësuese, e cila do të bëjë të mundur që Shqipëria dhe shqiptarët gjatë këtyre 4 viteve të fitojnë betejat e rëndësishme që kemi përpara, që kanë të bëjnë me standardet evropiane, që duhet të arrijmë në të gjitha fushat, por në fund të fundit dhe një jetë më të mirë për shqiptarët, sidomos një sukses në luftën kundër varfërisë që është një nga problemet më të mëdha për çdo shqiptar anembanë vendit”, rikonfirmoi Meta midis të tjerave.

Si i komentoni akuzat më të fundit të Edi Ramës dhe a mund të flasim këtu për një përçarje të LSI-së, kam parasysh këtu dhe deklaratën e Ramës për një marrëveshje politike me pjesën tjetër të LSI-së, sikurse e quajti ai vetë?
Nuk e di për çfarë kundërshtarësh të mi bëhet fjalë në këtë rast. Pasi unë i kam konsideruar dhe i konsideroj të gjithë si bashkëpunëtorë. LSI-ja të gjitha vendimet që ka marrë në të gjitha rastet, i ka marrë në mënyrë tepër transparente, në mënyrën më të hapur dhe në mënyrën më demokratike. Fakti që Edi Rama ka shpallur një LSI, nuk më çudit sepse ky mentalitet i tij bizantin, ka qenë në themel të fatkeqësisë që e ka kapluar, që çon në ato shpërthime që nuk mund të komentohen nga asnjë politikan përfshirë dhe mua, por për të cilat duhet të pyesni ndonjë psikiatër.

Kur flisni për një qeverisje të qëndrueshme, do të thotë që ju i keni të garantuara katër votat e siguruara në këto zgjedhje?
Kur flas për një qeverisje të qëndrueshme kam parasysh një qeverisje dhe një koalicion që funksionon në radhë të parë në bazë të një programi të përbashkët politik dhe qeverisës dhe së dyti, kam parasysh që kjo mazhorancë do të konfirmohet shumë herë dhe më e fuqishme, sesa rezultati i zgjedhjeve problematike të 28 qershorit, si rezultat i vetë Kodit problematik dhe diskriminues që për fat të keq u ideua dhe u ndërtua nga vetë kryetari në detyrë të PS-së, Edi Rama. Njëkohësisht që ky funksionim dhe ky afirmim i këtij koalicioni nuk do të jetë çudi të përsëritet me shumë sukses dhe në 2013.

Kur flisni për përgatitjen e një programi mes LSI-së dhe PD-së, a keni ju disa prioritete në të cilat dhe ju mund të kontribuoni më mirë?
Prioritetet e programit, të cilat Haxhinasto nuk është lodhur asnjëherë për t’jua bërë të ditura juve, por dhe gjithë përfaqësuesit e tjerë të LSI-së, nuk do të thotë që ne besojmë apo kushtëzojmë se këto mund të realizohen vetëm duke pasur LSI-ja ato ministri përkatëse që përkojnë me prioritet. Qeveria ka një program, qeveria ka prioritete pavarësisht nga ministritë, dikasteret, dhe nga agjencitë ekzekutive dhe për ne më e rëndësishme është që të avancohen ato prioritete që ne kemi bërë të qarta dhe që kanë një karakter të rëndësishëm dhe të theksuar social. Pastaj sa i përket çështjes së pozicioneve, ne jemi të hapur dhe nuk kushtëzojmë me emra ministrish apo institucionesh.

A keni pasur ju paraprakisht ndonjë takim me z. Berisha gjatë kësaj kohe? 
Kemi pasur dhe jemi në komunikim me Kryeministrin Berisha. Natyrisht dhe shtypi ka pasur dhe krijimtarinë e vet, në këtë aspekt për sa i takon takimeve nëpër jahte, helikopterë, në Dhërmi apo Pogradec, takime të tilla nuk ka pasur, por komunikim ka pasur dhe ende ka, dhe ajo që është më e rëndësishmja është se dhe unë besoj se do të konkludojmë në kohën e duhur për ato përgjegjësi që na takojnë të marrim përsipër për stabilitetin e vendit, integrimin e vendit, dhe njëkohësisht për të izoluar këtë frymë integruese faktor destruktiv, destabilizues që shfaqen në politikën tonë, që për hir të karrierës së tyre individuale mbajnë peng forcat e tyre duke synuar për fat të keq të bëhen pengesë për të ardhmen dhe integrimin e vendit. Kjo ndodh për fat të keq, sepse nuk kanë pasur program elektoral PS-ja në zgjedhjet e 28 qershorit, ndaj ne i ftojmë ata të bëjnë një program dhe të ulemi dhe të bashkëpunojmë për të ardhmen e vendit, sepse vendi ka nevojë për një Qeveri që punon për të garantuar standarde evropiane. Por njëkohësisht vendi ka nevojë edhe për një opozitë, e cila është angazhuar që të kontribuojë, të ndihmojë në alternativat për integrimin evropian të vendit. Unë jam i bindur që alternativa te tilla nuk është se mungojnë në Partinë Socialiste, por natyrisht që zhvillimet e deformuara atje kanë krijuar një situatë, e cila natyrisht nuk i bën mirë as asaj force politike, sipas mendimit tim, por nuk i bënë mirë as karrierës së askujt.

Keni pasur kontakte me Blushi, Malaj  dhe me deputetë të tjerë, të cilët duket se do të jenë aktiv në Parlamentin e ardhshëm?
Nuk kam pasur komunikime me përfaqësues të Partisë Socialiste se nuk kam dashur që të hyj në çështje të brendshme të Partisë Socialiste, pasi nuk është detyra ime. Unë uroj që ata ti zgjidhin gjërat në mënyrën më demokratike dhe sikurse ka pasur traditë në të kaluarën.

A keni ju një koment për pesë anëtarët e LSI, të cilët kanë dalë kundër koalicionit të LSI me Partinë Demokratike?
Unë në fakt kam qenë me pushime të gjata, por telefoni im ka qenë gjithmonë i hapur dhe selia e LSI ka qenë gjithmonë e hapur, dhe natyrisht që përmes mediave dhe përmes deklarimeve të Edi Ramës kemi mësuar për iniciativat brenda LSI-së. Nuk e di se kush është penguar nga anëtarët e LSI që të shprehë mendimet e veta në mënyrë të hapur, civile dhe demokratike. Që nga Kryesia, Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI, e deri te Konventa ku dhe ju vetë si gazetarë ishit pjesëmarrës. LSI është partia më e hapur dhe më demokratike në Shqipëri. LSI dhe Kryetari i saj nuk kanë frikë nga debati dhe nga komentet. Unë i kam dëgjuar që të gjithë me qetësi dhe do vazhdoj që ti dëgjoj, sepse kjo është detyra ime. Jam sjell me fisnikëri me të gjithë, dhe do vazhdoj që të sillem dhe në të ardhmen, sepse ky është karakteri im edhe njerëzor. Unë sot kam nisur dhe procesin e diskutimeve me kolegë dhe me anëtarë të kryesisë dhe do ta vazhdoj dhe në ditët që vijnë për të konkluduar atë vendim unanim, që mori Konventa kombëtare e LSI, vetëm me dy vota mospajtuese, se as kundër tamam nuk ishin. Kushdo që ka një mendim më të mirë është i mirëpritur që të vijë në mënyrë individuale apo dhe në grup. Jo vetëm kaq po unë jam aq transparent se do ju ftoja dhe ju në rast se ata e kanë të domosdoshme, që të ketë dhe media në një takim me kryetarin e LSI. Po unë me shpalljen e LSI që bën Edi Rama jam mësuar, se ka shpallur LSI-në e atij Sanxhakut në Lushnjë, ka shpallur dhe disa LSI të tjera nëpër Shqipëri. Mirëpo ato nuk e ndihmuan as që të arrinte ato qëllimet e tij, dhe nuk e ndihmojnë dot, sepse diversioni nuk është diçka e re në Shqipëri, në politikën shqiptare nuk jep efekte afatgjata, dhe aq më tepër diversantët. Politika bëhet e hapur, bëhet në mënyrë transparente, bëhet në mënyrë të ndershme. Kështu që të jeni të sigurt që kushdo që ka pasur një mendim ndryshe e ka shprehur dhe do ta shprehë në LSI. Kush e ndjen që është pjesë e LSI-së, vjen te LSI kërkon dhe mbledhjen e forumeve të LSI-së, por ju thashë që diversioni nuk është një politikë që unë ja vlen të merrem. Është një politikë e vjetër, që nga koha e Partisë së Punës, biles edhe më e vjetër se aq. Ndërsa për punën e diversantëve, mendoj që ka ikur koha e këtyre gjërave, sepse jemi në një shoqëri të hapur dhe njerëzit që merren me politikë duhet të kenë argumente, duhet të kenë integritetin e duhur që të avancojnë idetë dhe projektet politike, në rast se i kanë të tilla. Në rast se janë gjëra të tjera, ato mua nuk më takojnë. Thashë që jam sjellë në një mënyrë fisnike dhe kështu do të sillem gjithmonë, se ky është karakteri im. Ashtu sikurse karakteri i LSI është i një partie të hapur demokratike dhe luajale me anëtarët dhe simpatizantët e saj dhe me gjithë të tjerët në radhë të parë me interesat e vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›