“Shpresova se Rama do të mbante përgjegjësi, rikandidimi i tij cenon kredibilitetin e garës në PS”
Arben Malaj shpjegon arsyet e tërheqjes së tij nga gara për kreun e partisë
TIRANE – Cenimi i kreidibilitetit të PS-së, nëpërmjet rikandidimit të Edi Ramës, si dhe mosmarrja e përgjegjësive për humbjen e zgjedhjeve nga kreu në detyrë i PS-së, sipas Arben Malajt, ishin shkaqet që e detyruan atë të tërhiqej nga gara “mes armiqve” për kryetar të kësaj partie.
Tërheqjen nga gara dhe shkaqet e kësaj tërheqje, Arben Malaj, deputeti i PS-së, i bëri të njohura dje zyrtarisht në një konferencë shtypi, krah të cilit ishte edhe Ben Blushi, ndërsa në sallën e konferencës, nuk mungonin edhe eksponentë të tjerë të kësaj partie, të njohur si kundërshtarë të Edi Ramës.
“Pasi pashë me kujdes të gjitha zhvillimet brenda PS-së dhe ndjeva se gara për kryetar nuk do të ishte më një garë modelesh dhe vizionesh, por një mundësi për të krijuar grindje të përhershme në PS, si dhe pasi ndoqa zhvillimet e kongresit të PS-së dhe fjalën e kryetarit në detyrë vendosa të mos vazhdoj procesin e kandidimit dhe të mos regjistrohem zyrtarisht si kandidat në zgjedhjet që do të zhvillohet më 26 shtator”, deklaroi dje midis të tjerave Arben Malaj.
Sipas tij, “arsyet e kësaj vendimmarrjeje të vështirë ishin se nuk ka vend për të bërë një debat dhe për të shprehur një vizion, se si PS-ja dhe e majta do të dalin nga një krizë që e ka lënë në opozitë të përsëritur dhe se pse nuk u bë një analizë e shkaqeve dhe brenda vetë PS-së për humbjen në zgjedhje. Rikandidimi i Ramës cenon rëndë kredibilitetin e liderit të PS-së. Shpresova shumë që ai do të mbante përgjegjësinë e humbjes dhe do të ndjente përgjegjësinë për të mos rikandiduar si një standard që duhet të funksionojë jo vetëm në PS por dhe në partitë politike shqiptare”, nënvizoi Malaj.
Ai vuri në dukje qëndrimin refraktar dhe armiqësor mes kolegëve të PS-së dhe “ambienti konkurrues para kongresit dhe në kongres u duk se do të bëhej gjithnjë e më agresiv e denigrues”.
Sipas Malajt, fjala e Ramës në Kongres nuk kishte asnjë analizim se çfarë mund të bënte më mirë dhe si për ironi, nuk u bë asnjë vlerësim për kolegët të cilët kanë mendim ndryshe dhe kanë qenë pjesë e sfidave të Partisë Socialiste që nga krijimi i saj.
“Fjala e kryetarit në detyrë në Kongres, sqaroi më tej Malaj, nuk ofroi asnjë shenjë për reflektim personal se çfarë nuk u bë mirë dhe çfarë duhej të bëhej më mirë, nuk u ofrua asnjë mundësi për kolegët në PS dhe nuk u bë asnjë vlerësim për të gjithë ata që kanë një mendim ndryshe, por që kanë qenë pjesë e historisë, krijimit dhe modernizimit të fitoreve e sfidave të PS-së. Mospjesëmarrja ime është tërheqje nga një proces që tenton të krijojë një ambient të rënduar konkurrimi, që dëmton jo pak garën në PS dhe një solidaritet të nevojshëm brenda saj”, tha deputeti socialist.
Arben Malaj u ndal edhe te mundësia e bojkotimit të parlamentit nga deputetet e PS-së, për të cilin u shpreh kundër.
“Ideja për të bllokuar qoftë edhe përkohësisht vajtjen në parlament ka vetëm elementë denigrues për mendimin ndryshe dhe nuk sjell një produkt të mirëfilltë politik. Ky është një keqpërdorim akoma më i madh dhe shumë i përgjegjshëm që i bëhet forumeve të PS. Mënyra se si u deklarua pas kongresit se qenka marrë një vendim për t’i dhënë pushtet kryetarit që ta lejojë grupin parlamentar për të marrë pjesë apo jo është një element tjetër i krizës politike se PS, një parti serioze, një opsion konkret dhe dalja nga parlamenti apo qoftë dhe bojkoti i përkohshëm është përgjegjësi e madhe”, deklaroi Malaj.
Ai ka shtuar se modeli i lidershipit absolut që nuk njeh asnjë humbje, është një rrezik i madh për të ardhmen e PS-së.
“Për shkak të mentalitetit të liderit u krijua një menaxhim vertikal i fushatës. Rama nuk ishte i gatshëm që një punë të bërë nga ekspertët e PS ta kthente në një manifest elektoral. Fushata jonë u personalizua, u vertikalizua dhe u mbështet thjesht dhe vetëm tek emri i Edi Ramës”, shtoi Malaj.
Malaj paralajmëroi se disa nga forumet dhe personalitetet e PS-së po keqpërdoren në funksion të garës personale dhe pushtetit absolut të kryetarit aktual në detyrë. “Depersonalizomi i disa personaliteteve të njohura të PS-së është publik dhe ata kanë humbur kurajën për të mbrojtur demokracinë e brendshme në PS dhe për të mbështetur kolegët e tyre, edhe kur ata kanë të drejtë”, tha deputeti Malaj.
Në fund, Malaj ka sqaruar pozicionin e tij të ardhshëm në selinë rozë, duke pohuar se zëri i tij në publik do të jetë gjithmonë një zë ndryshe për atë që mund të bëhet më mirë në PS dhe një zë për të përfaqësuar zërat e progresistëve brenda saj.
“Tërheqja ime është një tërheqje nga një mjedis që kërkon të krijojë një garë të rënduar konkurrimi”, e përfundoi Malaj deklaratën e tij.