“Heshtja e Presidentit për zgjedhjet, lë dyshimin për favorizimin prej tij të qëndrimit të PS-së”

Deklaron Sabri Godo
TIRANE - Presidenti Republikës Bamir Topi, ka dekretuar dje datën 7 shtator 2009 ëpr mbledhjen e Parlamentit të ri, ndërsa vazhdon të heshtë lidhje me zgjedhjet parlamentare duke krijuar kështu një precedent të ri në institucionin që ai drejton.
Politikani Sabri Godo thotë që fakti që Presidenti nuk është shprehur ende lë dyshimin për favorizimin e qëndrimit të Partisë Socialiste në zgjedhjet.
“Kjo nuk është një detyrim kushtetues ekskluziv, por kushtetuta presupezon këtë gjë se, kur ka një ngjarje politike shtrihet me të gjitha partitë atëherë ngrihet figura e Presidentit dhe thotë se si e mendon ai. Mesa duket qëndrimi i opozitës që i konteston këto zgjedhje fort dhe shkon deri atje që thotë do të bojkotoj parlamentin, krijon një gjendje jo aq normale, sepse duhet bashkëpunimi i palëve në parlament për ligjet që kanë të bëjnë me reformat. Dhe në qoftë se kjo nuk do të funksionojë nuk do të jetë kështu do të thotë që krijohet një problem për vendin. Dhe Presidenti nuk mund të rrijë indiferent ndaj problemeve, të cilat duket që janë në rrugë e sipër që do të krijohen. E parë në këtë kontekst çdokush mund të thotë që tani Presidenti me heshtjen e tij bën disi i jep një përkrahje indirekte atyre që kontestojnë këto zgjedhje. Kjo lë shteg për interpretime, prandaj më duket e nevojshme që ai shfaqte një mendim të tij në kohë e duhur”, ka përfunduar mendimin e ti Godo lidhur me heshtjen e Presidentit të Shqipërisë Bamir Topi.