Edi Rama ka vetëm një hall: të mos i lagen kutitë
Vizita e djeshme e kryetarit të Partisë Socialiste në Shkodër, pasi kishte nxjerrë për ditë me radhë kukuvajkat e tij në Tiranë, që para kamerave fërkonin duart për rrezikun që mund t’i kanosej Shqipërisë Veriperëndimore, ka kulmuar sjelljen aspak politike të liderit të opozitës. E gjithë axhenda e tij e dy javëve të fundit nuk është ndikuar nga dinamika e vështirësimit të situatës në ultësirën e Nënshkodrës apo në kaskadën e Drinit, por ka ndjekur udhën e qetë të pushimeve tropikale në Egjipt, Arabi e Tajlandë, para se të merrte një përmasë zoologjike, kur ka zënë fill politika e hienës. As solidaritet, as vetëpërmbajtje, por veç një listim të deklaratave ogurzeza që përhapnin panik apo kërkonin dorëheqjen e ministrave të linjës, duke i lënë në mes të gjitha operacionet e evakuimit të banorëve të ultësirës, apo edhe duke ndërprerë regjimin e shkarkimeve në kaskadë. Precedentët e mëhershëm të shkarkimeve të ujërave në vitet e qeverisjes nuk ekzistojnë në kulturën politike të liderit të opozitës, as edhe paraqitja e alternativave se si mund të përmirësohen operacionet aktuale të evakuimit. Pasi ka marrë rreze dielli dhe është nxirë në kulmin e ditëve polare të Shqipërisë, Edvini mori dje rrugën për në Shkodër, i pa shqetësuar për fatin e banorëve, bile edhe me urrejtjen në shpirt, që ai gjithmonë ka dëshmuar për metropolin e veriut të vendit. Ai ishte dje për t’u përkujdesur për karrierën e tij politike, e cila në 2009-n regjistroi agoninë, me dështimin flagrant të sezonit të protestave. Edvini ishte dje në Shkodër thjesht për të thënë se ende s’ka hequr dorë nga ambiciet e veta për të mbajtur peng opozitën dhe të majtën në përgjithësi, por se për një aksion më të gjerë, atij i duhej të rimëkëmbte kauzën e humbur. Prandaj ai fliste dje, por mesazhet e “solidaritetit” dhe thirrjet prej grushti shteti të mirëfilltë, për largimin e shefit të ekzekutivit nga pushteti, lexoheshin me vërtetësi si klithjet “Mos m’i lagni kutitë, se aty kam alibinë e avenirit tim politik”. Politikë në kohën e solidaritetit kombëtar me banorët e përmbytur bën veç një kufomë politike që ka marrë peng opozitën e një vendi dhe kjo ishte e vetmja bindje që u përcoll nga frazat e lagura të Edvinit në sheshin qendror të Shkodrës....