E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evakuimi i banorëve, deri në normalizimin e situatës

Kryeministri Berisha inspekton përsëri zonat e përmbytura në Shkodër, mbledh Komitetin e Emergjencave Civile dhe konfirmon faktin se “Digat janë të sigurta, pavarësisht telefonatave nga të pamoralshmit”         Kreu i qeverisë Sali Berisha ishte përsëri dje në zonat e prekura nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës, nga ku përsëriti thirrjen për largimin e banorëve, në kushtet e një moti të paqëndrueshëm, çka mund të shkaktojë rritje të nivelit të ujërave. Në Shkodër, Berisha drejtoi mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile, duke u kërkuar të pranishmëve, ministra, drejtues vendorë, koordinim të punës me shtabet e emergjencës për largimin e të gjithë banorëve nga zonat që vazhdojnë të jenë të rrezikuara. Të pranishëm në këtë takim kanë qenë kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi dhe ai i Bujqësisë, Genc Ruli, të cilët e kanë informuar kryeministrin Berisha lidhur me masat e marra në kuadër të emergjencës si pasojë e përmbytjeve. Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, i cili është njëkohësisht edhe Kryetar i Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, e njohu Kryeministrin me situatën aktuale dhe masat e marra. Edhe Prefekti i Shkodrës Maxhid Cungu bëri një paraqitje të situatës dhe veprimeve të ndërmarra nga strukturat përkatëse për situatën. Ai bëri të ditur se në dispozicion të banorëve të ndodhur në zonat e përmbytura janë vënë numra telefoni, ku ata mund të kontaktojnë jo vetëm në rastet emergjente, por edhe në çdo moment kur atyre u nevojitet ndihmë. Po ashtu, ai tha se është ngritur një grup pune që menaxhon dhe verifikon shpërndarjen e ndihmave për banorët në nevojë dhe familjet që kanë strehuar këta banorë.Nga ana e tij, kryeministri Berisha falënderoi të gjithë banorët e zonave të përmbytura për bashkëpunimin e madh e të çmuar që kanë treguar gjatë gjithë kësaj periudhe, për përballimin e pasojave të përmbytjes, për gjakftohtësinë dhe guximin me të cilin ata trajtuan problemin, duke ftuar sërish ata që ende nuk janë evakuuar që ta bëjnë këtë sa më parë. Berisha u shpreh se është shumë e rëndësishme që të gjenden mundësitë që të rikthehet në funksionim rruga e Dajçit, si një mënyrë më e shpejtë dhe e mirë për të siguruar evakuimin e banorëve që kanë mbetur. Kryeministri theksoi se situata është tërësisht në kontroll dhe se qeveria ka marrë të gjitha masat për kapërcimin e menjëhershëm të situatës emergjente. Kreu i qeverisë u tha banorëve se do të kompensohen në mënyrë të përpiktë të gjitha dëmet e shkaktuara nga furia e egër e lumenjve.  “Nuk them se situata nuk është e vështirë, pa diskutim që është situatë serioze, por është e tëra në kontroll në territoret e përmbytura. Digat, portat e gjithçka janë në kontroll të plotë dhe ato funksionojnë shumë shumë mirë”, theksoi kryeministri.Kreu i qeverisë siguroi edhe njëherë banorët se nuk do të ketë probleme nga përmbytjet në qytetin e Shkodrës, por shqetësuese mbetet gjendja në periferi, buzë Drinit. Sipas kryeministrit prioritet është evakuimi i banorëve dhe strukturat e shtetit janë në gatishmëri të plotë.“Sërish i ftoj banorët të evakuohen një minutë e më parë. Kjo është kërkesa ime si kryeministër, por duhet të dimë se kjo është kërkesë e çdo shqiptari. Sot mendjet dhe zemrat e të gjithëve janë drejtuar te këto familje të përmbytura. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme që popullata të evakuohet dhe unë insistoj për këtë, pasi nivelet e ujit janë rritur dhe po rriten”, u shpreh kryeministri Berisha.Kreu i ekzekutivit reagoi gjithashtu edhe për alarmet false të Edi Ramës se po çahen digat, duke deklaruar se ato janë më se të sigurta dhe se për menaxhimin e situatës po punohet me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj.Duke iu përgjigjur akuzave të kryesocialistit Edi Rama se situata e krijuar është pasojë e keq qeverisjes, kryeministri Berisha e ftoi Ramën, i sapo kthyer nga pushimet e nxehta të Dubait, të shkojë të inspektojë zonat në veri të vendit, për të parë menaxhimin e situatës dhe jo të shpërhapë panik, duke vallëzuar me fatet e shqiptarëve. Kryeministri shtoi se është e domosdoshme që të evakuohen banorët edhe në zonën e Bushatit dhe Trushit. I shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, kryeministri Berisha u ndal në lagjen Bahçallëk të Shkodrës për të parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet. Berisha u takua me banorë dhe u bëri sërish thirrje për t’u evakuuar. Kryeministri theksoi se qeveria po e ndjek në mënyrën më intensive situatën, ka një menaxhim eficent dhe gjithçka është nën kontroll, por shkarkimi i ujërave është i domosdoshëm. “Fierza, tha kryeministri, ka mbi 48 orë që është nga 1100 në 1800 metër kub në sekondë. Kështu që jemi të detyruar të shkarkojmë, por, me gjithë shkarkimet që bëjmë, ne ruajmë digat. Ne do të bëjmë gjithçka që të mos kemi dëmtime dhe do t’i kompensojmë të gjitha dëmet”.Kryeministri, duke theksuar faktin se ujërat vazhdojnë të jenë të bollshme dhe se shkarkimet e tyre janë absolutisht të imponuara nga prurjet, edhe një herë shprehu garancinë se në diga, portat dhe gjithçka tjetër janë në siguri të plotë.“Ajo çka na mbetet neve dhe është më e rëndësishmja është të evakuojmë popullatën, të mos ketë asnjë humbje jete, por as edhe sëmundje, sepse mund ta imagjinoni të kalosh natën në janar, i rrethuar nga uji në të gjitha anët, është jashtëzakonisht kërcënuese për shëndetin e fëmijëve, të të moshuarve dhe shëndetin e të gjithë të tjerëve. Ndaj të bëjmë çdo përpjekje për evakuim. Sot ka një avancim të ujërave në Bushat e në Trush. Prandaj u bëj thirrje të gjithë banorëve të evakuohen dhe i garantoj ata se do të kenë kujdes të plotë, do kenë kompensimin e plotë për dëmet e shkaktuara nga kjo përmbytje. Mirëpo duhet të marrin vendimin e drejtë, të largohen nga uji”, apeloi Kryeministri. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›