Edi Rama kërcënon deputetët që votuan “Kodin Rrugor”

Shpallet i vdekur “kursi i ri”. Deputetët e PS-së i kthehen bojkotit, braktisin votimin në komisione të ligjeve që kërkojnë votim të cilësuar me 3/5 e votave
Tallja e radhës e Edi Ramës, me veten, me deputetët e PS-së, por edhe me shqiptarët dhe me ndërkombëtarët, startoi dje. Ndërsa pritej që në mbledhjen e djeshme të Komisioni parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në përfundim të diskutimeve të miratoheshin katër projektligje të rëndësishme që kërkojnë votim të cilësuar, deputetët e opozitës ju rikthyen bojkotit (term që dukje se do të shkonte drejt harresës), braktisën mbledhjen. Për pasojë, katër projektligjet u miratuan vetëm me votat e deputetëve të shumicës parlamentare. Konfirmimi i sjelljes së djeshme ët deputetëve të PS-së, në mbledhjen e djeshme të Komisioni parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, erdhi pas kërcënimit, që dy ditë më parë, Edi Rama, ishte adresuar ndaj disa deputetëve ët tjerë, që kishin “guxuar” dhe kishin votuar në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ligjeve, ndryshimet në “Kodin Rrugor”.
Tallja e Edi Ramës
Përkundër përbetimeve të Edi Ramës, se do të bëhej pjesë e reformave integruese, ku më i fundit i tipit të demonstrimit të gatishmërisë “për tu bërë pjesë e një procesi demokratik e transparent parlamentar, që t’i kthejë votimet me 3/5-tat, në jetësim të një vizioni kombëtar e europian për shtetin shqiptar”, ishte dy net më parë në 20 vjetorit të themelimit të Fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”, në sy të disa ministrave e ambasadores gjermane në Tiranë, deputetët e PS-ës zgjodhën dje, të bojkotojnë votimin e disa ligjeve të rëndësishme që kërkojnë votim të cilësuar.
Pikërisht, pa kaluar as 24 orë, nga premtimi tallës i Edi Ramës, “profecia” e Vasilika Hysit e Gramoz Ruçit “ngjiti” më shumë, kur deputetët e PS-së, anëtarë të Komisioni parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në pretekstin se “se mbi këto projektligje duhet një reformë e plotë dhe jo arnime”, braktisën punimet e këtij komisioni.
Në kushtet e largimit të deputetëve socialistë, deputetët e mazhorancës, anëtarë të
Komisionit parlamentarë për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, me prezencën edhe të përfaqësuesve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, morën në shqyrtim projektligjin “Për disa ndryshime në Ligjin Nr. 9251, datë 08. 07. 2004 ‘Kodi detar i Republikës së Shqipërisë’”, projektligjin “Për një ndryshim në Ligjin Nr. 9317, datë 18. 11. 2004 ‘Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë’”, projektligjin “Për një shtesë në Ligjin Nr. 10 040, datë 22. 12. 2008 ‘Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë’”. Në përfundim të diskutimeve, këto projektligje u miratuan vetëm me votat e anëtarëve të mazhorancës.
Ndryshimet e propozuara në këto kode vijnë në kuadër të reformës rregullatore për licencat e autorizimit dhe lejet në Republikën e Shqipërisë, e cila ka dy vjet që po aplikohet. Gjithashtu, ndryshimet e propozuara në këto kode bëjnë kategorizimin e veprimtarive të përcaktuara në to sipas kategorive VII. 4, VII. 6 dhe VII. 7 të ligjit “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”.
Me sjelljen e djeshme të deputetëve socialistë, thjesht u konfirmuan dyshimet, për premtimet tallëse të Edi Ramës. Opozita, por për më tepër kryetari i saj, dje nuk është se bënë ndonjë gjë më shumë se sa, bënë fakt, dyshimet se nuk do të japin konsensusin e saj për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Kjo sjellje e deputetëve socialistë provoi dje gjithashtu edhe se opozita parlamentare ka të njëjtën strategji, që s’ka lidhje me “politikën e re”, strategji e njohur tashmë si strategji bojkotuese e votimeve nën pretekstet se, “duhet një reformë e plotë dhe jo arnime”.
Kërcënimi i Edi Ramës
Vendimi i djeshëm i deputetëve të PS-së, për të bojkotuar mbledhjen e Komisionit parlamentarë për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, vjen pas kërcënimeve që Edi Rama ju bëri në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputetëve të këtij grupi. Burime nga mbledhja e këtij grupi, bënë ët ditur se, gjatë punimeve parlamentare në të cilat do të diskutohen ligje që kërkojnë votim të cilësuar, deputetët socialistë nuk duhet të japin konsensusin në miratimin e tyre.
Ndërsa një vendim i tillë duket se nuk ishte kuptuar nga i gjithë grupi parlamentar i PS-së, sepse jo më larg se dita e mërkurë e kësaj jave, në Komisionin e Ligjeve deputetët socialistë dhanë votat “pro” miratimit të Kodit Rrugor.
Një veprim i tillë u pasua me të tjera debate në selinë e PS-së. Debatet arritën kulmin ku po të mërkurën pasdreke, Edi Rama, ka ripërsëritur dhe çuar më tej kërcënimet e tij, të mbledhjes së grupit parlamentar, duke paralajmëruar deputetët socialistë që nuk respektojnë vendimet politike.
Pikërisht, një ditë më pas, kur nga njëra anë Edi Rama, kërcënonte deputetët e PS-së, për të mos votuar ligjet që kërkojnë votim të cilësuar dhe nga ana tjetër, po Edi Rama, në prezencë të ministrave e ambasadores gjermane, turpshëm mashtronte kur deklaronte se do të bëhej, “pjesë e një procesi demokratik e transparent parlamentar, që t’i kthejë votimet me 3/5-tat, në jetësim të një vizioni kombëtar e europian për shtetin shqiptar”.
Nga dy deklarime kontradiktore të Edi Ramës brenda të mërkurës, sigurisht deputetët e PS-së, të enjten zgjodhën që ‘të respektojnë” kërcënimin e të mërkurës paradite të kryetarit të partisë së tyre..., duke bojkotuar votimin e ligjeve që kërkojnë votim të cilësuar.