Vendi i punës në shtetin e “sindikatave” të korruptuara politikisht
Pra, nëse punoni, dhe nuk paguheni për ketë, kështu i ndihmoni shtetit, sepse shteti duhet ndihmuar kur është në krizë. Por kriza nuk rëndon mbi supet abstrakte të shtetit, por mbi kurrizin konkret të popullit? Nëse doni t’i ndihmojmë shtetit tonë të dalë nga kriza, atëherë nuk bën t’i ndihmoni duke punuar punë vullnetare, se vetëm kështu, kolonizatorët serbë në UNMIK e konstruktojnë me sukses këtë krizë. Por UNMIK-ut (lexo ICO-së, EULEX-it, KFOR-it etj) u shërben oligarkia shtetërore e Kosovës, si dhe klasa politike “opozitare” e kriminalizuar me “fonde të dyshimta” dhe politikisht analfabete. Krejt ky kataklizëm apokaliptik që po ndodh sot në Kosovë, e ka vetëm një qëllim të thjeshtë, denacionalizimin e popullit dhe shndërrimin e tij në qenie sociale, që këta po i thonë - qytetare, multietnike.Nëse bash duhet të flasim për patriotizëm, atëherë jo vetëm punëtorët që sot punojnë pa paga, por edhe ata 80% që nuk përfshihen as në këto ndihma sociale që quhen pagë, duhet të dalin në grevë dhe të protestojnë kundër kolonizimit të Kosovës nga Serbia, që po e zbaton OKB-BE-ja me ndihmën e kuislingëve shqiptarë! Organizimi për të drejtat elementare qytetare do të duhej të bëhej nëpërmjet sindikatave që do të duhej të ishin opozitë e pushtetit dhe jo instrument politik i tij. Por a ka sindikalizëm në Kosovë? Si mund të ekzistojnë sindikatat në një vend ku nuk ka klasë punëtore të organizuar? çfarë karakteri sindikal ka ajo organizatë, e cila i konsideron të punësuarit me pagë ditore 5 euro si njerëz të punësuar, kurse në realitet ata janë punëtorë që punojnë pa pagesë (pasi që pagesa mesatare 250 euro në realitet nuk arrin as shkallën më të ulët të ndihmës sociale shtetërore). Pra, në Kosovë të gjithë janë të papunë (pos mikroborgjezisë unmikistaneze në krijim e sipër, profiterëve të luftës dhe paqes unmikistaneze, përkatësish pos 5% të popullsisë), 95% e popullit nuk përfshihet në kategorinë “klasë punëtore”. Jo të tjerët në Kosovë, por vetëm shqiptarët janë një popull i tërë i hedhur në rrugë, që nga ajo ditë kur Serbia okupoi ndërmarrjet, fabrikat dhe organizatat shoqërore (jo private) të punës dhe nxori nga banesat “e shtetit” banorët shqiptarë. Evropa asohere po shikonte me dylbi, siç shikonte derisa Serbia terroriste masakroi mbi 21 mijë civilë shqiptarë! Pas “çlirimit” Shtylla e Katërt vazhdoi pikë për pikë strategjinë e Serbisë në kontinuitet të pashkëputshëm të sovranitetit 1244 që ta socializonte (denacionalizonte) ekskluzivisht një kategori nacionale në Kosovë, shqiptarët. Ndaj, si mund të ekzistojë tregu i punës në një vend ku propaganda politike qeveritare (kuislinge, të mos harroj) kërcënon natë e ditë popullin që ky ta ulë kokën, të përkulet, të nënshtrohet, sepse ndryshe, sipas tyre, shteti ynë qenka në rrezik permanent nga “armiku i jashtëm” serb, edhe pse jo populli, po oligarkia shtetërore nënshkruan protokolle dhe mban marrëdhënie me po këtë “armikun e jashtëm” të cilin e përfaqëson UNMIK-u duke i plotësuar standardet pa kufi denacionalizimi, e sidomos 6 pikat që i nënshkroi “përfaqësia” zyrtare e pushtetit vendor të Kosovës që quhet BE. Kështu shteti ynë obligon ndërgjegjen qytetare që kjo të disiplinohet, në mënyrë që t’u dëshmojmë “të huajve” se jemi shtetformues (!!!). Në një vend ku 60% e popullsisë (zyrtarisht) jeton (vegjeton) në varfëri të skajshme, populli këtë duhet ta kuptojë si patriotizëm kolektiv puritan, patriotizëm që i ngjanë patriotizmit avangardë komunist gjatë kohës kur revizionistët e bënin izolimin e shtetit tonë të Enverit (“izolim” që sot quhen sanksion ekonomik). Pra do të na sanksionojnë dhe penalizojnë derisa t’i plotësojmë të gjitha standardet që kërkojnë prej nesh, e ato standarde e kanë një qëllim, denacionalizimin e kombit shqiptar, që do të thotë ta dështojnë në mënyrë “ligjore”, legale, ta bëjnë shtet të pavarur pa sovranitet.Pse po punoni kur nuk mund të jetoni më shumë se një ditë me pagën që merrni? çka nënkupton substacialisht “vendi i punës” pos vlerësimit të efektit dhe rentabilitetit që rrjedh nga ai vend pune, aftësia e vlerësimit me pyetësorin “sa është profitabil ai vend punë, ose sa i shkakton humbje një vend pune një ndërmarrësi privat ose shtetëror”? Nëse socializmi ra për shkak se “vendet e punës” nuk krijonin profit por humbje, a do të thotë kjo se në kapitalizëm një vend punë që sjell rentabilitet, të paguhet aq sa paguhej një vend punë që prodhon humbje? Cilat janë kriteret e matjes së vlerës, caktimi i kostos së punës në një shtet ku këtë nuk e bëjnë ekspertet zyrtarë të institucioneve zyrtare të shtetit, (në mbrojtje nga inflacioni i mundshëm) por e bëjnë në mënyrë të kontrabandimit thjesht politik të vlerës reale të punës në të ashtuquajturin “treg i lirë”? Tregu i lirë në Kosovë nuk është asgjë tjetër pos ekonomi joformale, ose krim i organizuar ekonomik nga faktori politik vendimmarrës. Nuk ka dyshim se politikisht jemi shtet i pavarur, po aq sa nuk ka dyshim se jemi shtet ekonomikisht i varur. Varësia ekonomike shtetin e bën vetëm “shtet politik” (konstitucionalizmi), me një fjalë ky tip shteti në teori quhet shtet i kolonizuar. Serbia e ka pronësuar ligjërisht (UNESKO) trashëgiminë kulturore të Kosovës, e ka okupuar ekonomikisht Kosovën dhe çka ka mbetur tash nga “shteti politik” i Kosovës? Të gjithë e kanë të qartë se Evropa nuk ka qëllim ta kolonizojë Kosovën? Por pse e bën këtë? Sepse politikisht është e varur nga Rusia dhe e ka më lehtë të na sakrifikojë ne, që jemi një treg i vogël inekzistent, sesa ta humbë tregun elefant të Rusisë që është vend pa kufi gjeografikisht dhe vend me resurse natyrore më të pasura në botë. Nuk janë më pak armiq të shqiptarëve edhe ato fuqi të mëdha që sot po e ndihmojnë BE-në në denacionalizimin dhe deshtetformimin e Kosovës. Pse? Sepse Serbia nuk do të mund të ekzistonte pa Rusinë. Këtë e kanë të qartë të gjithë imperialistët modernë dhe gjakpirësit e popujve të vegjël, po ata që na kanë sakrifikuar qe një shekull. Po thoni se përfundoi lufta për pavarësi politike, por kjo a nuk do të thotë se erdhi koha që të fillojë rezistenca (me greva dhe protesta) për pavarësi ekonomike të Kosovës? Jemi shndërrua në një Luginë të dytë të Preshevës. Le të dalë një Rugovë i ri! Ta çlirojmë Kosovën nga kolonizimi i Serbisë që po e zbaton BE-ja. Si bëhet kjo? Thjesht - të mos punojmë angari që të pasurohen kolonizatorët që na shfrytëzojnë si kafshë, të mos bëhemi argatë të mikroborgjezisë joklasore (mikro klasë joformale e spekuluar politikisht)! Por a e ka një vetëdije kaq të lartë klasa politike shqiptare, apo ende jemi në fazën e ndërtimit të shtetit sipas modeleve idealiste ideologjike? Apo thjesht jemi shndërruar një klasë kleptomanie prej një oligarkie kuislingë? Shteti nuk ndërtohet dhe nuk forcohet derisa populli i nënshtrohet pushtetit të tij antipopullor, përkatësisht pushtetit që nuk është tjetër pos servis i të huajve kolonizatorë. Derisa durojmë, kështu dëshmojmë se o e kemi mirë punën, siç thotë pushteti, o jemi popull apolitik dhe ahistorik që duron robërinë në emër të patriotizmit të ofertuar, patriotizmit joemocional dhe joracional....