Edi Rama, kryefjala e Berishës
Rama ju ka quajtur shpellarë juve, dhe prandaj ai nuk e meriton votën tuaj.
Ka qenë një nga frazat e fjalimit që kryeministri në detyrë dhe kryetari dinastik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka adresuar, disa ditë më parë, banorëve të Kamzës. Nuk është hera e parë që Berisha vendos si subjekt qendror të fjalimit të tij kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, të cilin për një të tillë akuzë të ngjashme e ka bërë kokë turku ditën e premte edhe përpara skraparllinjve.
Duke i nxitur këta të fundit të armiqësoheshin dhe të mos e votojnë koalicionin e majtë për sa kohë Ilir Meta të mos sjellë në Skrapar Edi Ramën për të kërkuar falje. Falje për çfarë? Sepse i ka fyer kolektivisht, ka motivuar Berisha, i njohur tashmë për broçkullat që lëshon dhe për të cilat,sikurse deklarojnë burime pranë stafit të tij elektoral, shpesh nuk është i vetëdijshëm. Ngaqë duke e ndarë turin e fushatës së tij elektorale në zona, ka ngritur ca fjalime tip të mbështetur më shumë në atribute provokative.
Domethënë që rreken të armiqësojnë dhe diversionojnë kampin kundërshtarë dhe jo të mbështetur në vërtetësi argumentesh. Ja tipikja më e fundit që, i ndodhur nën gjendje jermike, Kryeministri ka lëshuar në Çorovodë: Nuk jam rritur rreth Tomorit, jam rritur rreth Shkëlzenit. Ndaj Ilir Meta ta sjellë këtu Edi Ramën dhe ai të kërkojë falje për fyerjet kolektive që i ka bërë Skraparit dhe skraparllinjve. Askush në botë nuk ka të drejtë që tju fyejë ju kolektivisht. Të kërkojë falje për etiketimin skraparlli të aleatit të tij të sotëm(që Ilir Meta është bir i Skraparit dhe që të tillët thirren skraparllinj kjo është normativë gjuhësore dhe e ditur prej kujtdo, kurse se ku qëndron fyrja në këtë mes e di vetëm Berisha).
Megjithatë të ecim më tej. Të këqyrim të tjera fjalime të kryeministrit në detyrë Sali Berisha. Nuk gjendet asnjë ku emri i kryesocialistit Edi Rama të mos jetë prezent. Si kryestrumbullar i fjalimeve programatike elektorale, por edhe i atyre të mëparshmeve, domethënë i fjalimeve paraelektorale. Ku del i etiketuar nga Sali Berisha si përçarës e shkatërrues i socialistëve, si bllokues i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si bllokqen, si familjeshkatërrues, si mbrojtës i korrupsionit dhe vrasës i demokracisë
Ka edhe shumë epitete të tjera, adresuar liderit të opozitës, Edi Rama, nga kreu i maxhorancës qeverisëse, të formëzuara me fjalët më të paedukata që përmban fjalori i shqipes. Fjalë mosgojënxënëse, që strukturojnë fjalimet programatike të kryeministrit Berisha e ku Edi Rama qëndron si kryefjalë.
Në fjalimin elektoral të Sali Berishës të mbajtur në Vlorë, Edi Rama ka qenë prezente nga fillimi deri në fund. I tipizuar si bajloz i shoqërisë shqiptare, kuptohet. I etiketuar si : bir blloku, kryebllokmen, por edhe duke i atribuuar qenien nip i Spiro Kolekës (ish- anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së, por burrë i nderuar), ndërkohë që kjo nuk është e vërtetë. Por edhe mik i Koço Kokëdhimës, a thua se ky i fundit është satanai i shqiptarëve dhe jo një kandidat për deputet si gjithë të tjerët. Në fjalimin e Beratit, kryeministri në detyrë, që për të disatën herë, këtë post zyrtar po e shfrytëzon në mënyrë abuzive për fushatë elektorale në favor të partisë që drejton, e etiketoi Edi Ramën shkatërrues të vlerave historike.
Në takimin elektoral të Lushnjes e etiketoi si shfarosës të bujqësisë, në Lezhë si mbrojtës të mushkonjave dhe përhapës të malaries, në Shkodër si padrino dhe mik të mafiozëve e kështu gjithandej.
Gjithandej ku shkel këmba e Sali Berishës, Edi Rama është i pranishëm si kryestrumbullari i fjalimeve programatike nëpërmjet të cilave kreu i mazhorancës qeverisëse dhe kryetari dinastik i Partisë Demokratike, përpiqet të bind votuesit të mos ja japin votën koalicionit të majtë. Ndodh kështu, pra që përdhosja e figurës së liderit të opozitës të jetë refreni i fushatës së kreut të maxhorancës, ndërkohë që si posedues i një pushteti tetëvjeçar, Sali Berisha mund të kishte me dhjetëra fakte e argumente të tjera për tua servirur votuesve të cilëve u kërkon votat pro edhe për një mandate të tretë. Mirëpo kjo nuk ndodh. Nuk ndodh sepse, nëse për katër vitet e para të qeverisjes, 2005-2009, ndërtimi i disa segmenteve rrugore kombëtare dhe lokale qenë mendjembushëse për ta kërkuar një rikonfirmim të dytë pushteti, vitet e mandatit të dytë të qeverisë Berisha nuk kanë ndonjë shenjë të dukshme për tu shënuar. 2009-2013 është periudha më e mjeruar e qeverisjes së vendit e pasuar më së shumti nga kriminalizimi i pushtetit, sesa nga demokratizimi i shoqërisë. Janë vite përpjekjesh të Kryeministrit për të zaptuar të gjitha pushtetet e tjera(gjë që ja ka dalë dhe ky është suksesi më i madh i këtij katërvjeçari qeverisës),dhe jo decentralizimi. Janë vite ku, në vend që segmentet institucionale të përfshiheshin nga reformimi, që do ti garantonte paprekshmërinë dhe lirinë e vendimmarrjes, u përfshinë nga diktati, nga dhuna verbale dhe ngushtimi i hapësirës vendimmarrëse.
Janë katër vitet që ja morën frymën shtetit kushtetues për tia transmetuar gjithëpushtetit të Sali Berishës dhe klanit të tij. Duke qenë se katër vitet e shkuara kanë qenë grusht shteti administrative e legjislativ është normale që kryeministri Sali Berisha të mos projektojë si skenar të suksesshëm sjelljen e argumenteve që premtojnë politika zhvilluese të të ardhmes. Sikurse është normale që ora e propagandës elektorale ti mbesë ende tek rrugët e pakta rurale të financuara nga OJF-ja e Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), dhe gojështhurja për të denigruar e përdhosur liderin e koalicionit të majta Edi Rama. Fitores së pritshme elektorale dhe ngjitjes në postin e kryeministrit të të cilit i trembet më shumë se gjithçkaje tjetër. Mirëpo a është e mjaftueshme që vetëm me këtë gojështhurje, në adresë të Edi Ramës, Sali Berisha të prodhojë një fitore të tretë për Partinë Demokratike, në situatën kur, nën qeverisjen e tij, vendi është futur në krizën më të thellë gjatë këtyre dy dekadave të fundit?
