Fushata e Fred Pezës
Kur në kulmin e karrierës së tij mediatike Alfred Peza mori vendimin të tërhiqet nga gazetaria për tu bërë politikan, reagimet ishin të ndryshme dhe të pritshme. Të jesh një njeri i suksesshëm e sidomos të jesh gazetar elitar, është një arsye e mirë për të shqyrtuar dhembshurisht një kthesë të tillë, të beftë e të fortë në karrierë. Pati ndërtuar me shumë punë e vështirësi një sukses, një model të veçantë mediatik, që sot është padyshim imazh i një krenarie. Por i ka kthyer shpinën. Të braktisësh gazetarinë për të hyrë në politikë, që është një terren i ndotur, me baltë e zhul, është një sfidë e dyfishtë. E para, të shpërfillësh inercinë e fortë të ndryshimit të beftë të prioriteteve, nga gazetari në politikë, e dyta, të synosh të ndryshosh perceptimet publike; perceptimet publike për cilësinë, moralin, misionin dhe vizionin e politikës te ne.
Te ne është i qartë ky perceptim. Pyetjet Çdo të thotë të hysh e të jesh në politikë? Çmision ka ajo? Çdo të thotë të jesh politikan? Mbartin vetiu përgjigjet brenda tyre. Duke filluar me të fundit, të jesh politikan tranzicioni në Shqipëri, pikë së pari do të thotë të jesh i preferuar i liderit. Të hysh në politikë duhet të kalosh në këtë filtër. Kjo është një rutinë banale, por e pushtetshme. Të hysh në politikë, do të thotë të kultivosh ambicien e pasjes, sepse politika te ne kultivon vetiu ndjesinë e babëzisë. Duke shërbyer si një mjet pasurimi, abuzimi, përvetësimi, politika ka qenë dhe vazhdon të jetë si një lavire këmbëhapur e dashamirëse për të gjithë ata që hynin në të, pavarësisht si. Kjo shpjegon se përse ne qeverisemi nga politikanë të pasur, me fytyra të buhavitura nga tepria e yndyrave dhe ndërgjegje të vrara nga mëkatet. Nuk ka politikan të varfër në Shqipëri. Të gjithë janë të nxirë dhe të fryrë në kufijtë e bollëkut dhe tejngopjes. Prandaj thuhet se politika është biznes privat i dashnorëve të një haremi. Dashnorët quhen politikanë, jo sepse bëjnë politikë, por sepse janë ata që e kanë kthyer politikën, si thuhet, në një kurvë. Dhe qytetarët janë të varfër, pikërisht sepse këta janë të pasur.
A mund të gjendet një politikan i tranzicionit në Shqipëri, që të ketë vizionin tej propagandës poshtëruese të premtimeve që nuk mbahen kurrë. Vështirë! Kush mund të përfytyrojë një fytyrë pushtetari si emblemë të ndershmërisë? Sikur të sjellim në mend figurat bardhë e zi të liderëve të së shkuarës, çfarë do të kemi si në një rrotullim filmik? Përfytyrimin e vrazhdë se tranzicioni polli modelin e shëmtuar të politikanëve si Nano, Meta e Berisha, që thënë me dy fjalë çfarë bënë? Shpërfytyruan nocionin e shtetit, duke shndërruar natyrën e tij shoqërore, nga një vullnet publik në shërbim të publikut, në një vullnet privat në shërbim të vetvetes. Apo, prerja fatale e karaktereve të tyre, orientimi dhe qasja e tyre, e organizuar mirë e vullnetshëm drejt shkatërrimit, pra njëherësh drejt përfitimit personal, të gjitha këto janë ato që pollën tranzicionin më barbar të një barbarie dhe babëzie të pandodhur kurrë më parë në Europë? Kush mund ta thotë?!
Një gënjeshtër që thuhet shumë herë, edhe nëse nuk besohet, pranohet. Meqenëse përsëritja turbullon njerëzit, kjo është arsyeja pse shndërrohet shpejt në një shantazh psikologjik. Fuqinë e përsëritjes e kanë mësuar mirë ta përdorin si fre kalorësit e mazhorancës. Kush është qëllimi? Të bëjnë papushim demagogji për arritje të paqena. Të bindin njerëzit e uritur se uria nuk ekziston. Ta fusin popullin e matufepsur nga hallet në një hutim kombëtar. Dhe ia kanë dalë. Mbas 8 vitesh në pushtet, mbas një axhende politike të tmerrshme, mashtrimesh e perversitetesh, ende ka njerëz të mbetur në një gropë të pashpresë iluzioni, që u falin edhe verbërinë atyre që u shuan dritën. Duke i ndjekur pas. Duke i besuar. Duke ngrënë me lugën bosh.
RILINDJES së opozitës, pikë së pari i duhet të luftojë me këtë iluzion, sa kohë varfëria dhe pikëllimi njerëzor janë aleatë të pushtetit. Të luftosh me iluzionin do të thotë të kërkosh tu ndryshosh perceptimin njerëzve që harrojnë dhe që mungesa e shpresës u ka mjegulluar trurin. Nuk është e lehtë! Çfarë ndodh për pasojë? Humbja e shpresës do ti paraprijë dhe po i paraprin humbjes së besimit. Për rrjedhojë, RILINDJA që ofron opozita duhet të orientohet pikërisht në këtë gjë. Të ndihmojë njerëzit të fillojnë të kuptojnë realitetin. Të besojnë programin e saj. Përkundër përrallave të gjyshit me antiplumb dhe përmezore, që gënjen ditë edhe natë, të gjallët e të vdekurit, spiunët, të papunët të mjerët, gjithkënd, opozita duhet të fillojë që tani të pastrojë ndotjen e moralit, duke dëshmuar konkretisht, moral të ri dhe vullnet të ri për politikën.
Të kthehemi tek Alfred Peza, kandidat i Rilindjes. Ish-moderatori i televizionit, është në fushatë, në terren, në përkushtim, si një politikan gazetar. Çfarë ka të veçantë fushata e tij, dhe pse ky është modeli që mund të rifitojë vëmendjen, besimin e njerëzve? Thjesht, Peza frymëzon duke krijuar simbole! Përkundër zhuzhurisë dhe supës së thartuar të premtimeve, përkundër fjalimeve të përsëritura e të neveritshme të politikanëve me kollare lart e poshtë, në zonën e Peqinit, kandidati gazetar i Rilindjes është duke krijuar fasadën e parë të mirëbesimit publik. Çdo të thotë kjo? Në strategjinë e tij krijuese, peqinasit janë duke parë, ndoshta për herë të parë, qasjen morale të një njeriu që pasion, vizion dhe mision të vetin ka krijimin e një perceptimi të ri për qasjen publike të shtetit. Aty ku ndërtoi shtëpinë e një familjeje të mbetur nën qiell të hapur nga zjarri, qëllimi nuk ishte propaganda, por mesazhi. Sinjali se politikani gazetar është në këtë betejë jo për të premtuar se njerëzit do të strehohen sakaq me shkopin magjik, por është në këtë betejë për të premtuar se Rilindja do të sjellë me vete besimin, shpresën dhe dëshirën për të vazhduar, paralajmëron një risi. Risinë se më në fund ky vend do të ketë shtet, dhe jo vetëm shtet, por një shtet publik që do tu shërbejë të gjithëve.
Veçoria e fushatës së Pezës është pragmatizmi, si një prirje që u interferon ideve të personave që hyjnë në politikë, për të bërë politikë dhe për të pastruar politikën. Listës së gjatë të premtimeve perverse të pushtetit në rënie, Peza u ka kundërvënë modestisht vullnetin e pamposhtur për të provuar të kundërtën me një sërë veprash simbolike që ndihmojnë komunitetin e Peqinit të ketë besimin e ndryshimit. Pa buxhet, pa mbështetje, pa sponsorë, pa biznese mbështetëse të qeverisë, në Peqin, Rilindja megjithatë ka filluar. Në çdo kohë, me mbështetjen e njerëzve që dashurojnë të bukurën dhe duan vizionin, dhe në çdo vend, diçka ndërtohet, dhurohet, afrohet. Një ujësjellës, një karrige invalidësh, një qendër shëndetësore, një
