Shmangia nga argumentet juridike, një arrati jopolitike e PS-së
Kriza artificiale të cilën po përpiqet të ngrejë personalisht Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama me kërkesën e mosnjohjes së zgjedhjeve dhe hapjen e kutive pa asnjë shenjë e ankim nuk është e nevojshme që të kthehet në mjegull politike. Në këtë fazë ndoshta nuk ka shumë rëndësi praktike arsyeja pse e bën Edi Rama të gjithë këtë edhe pse argumentimi i vazhdueshëm i analistëve dhe medias e ka bërë të qartë. E rëndësishme është që të ketë vazhdimësi komunikimi konstruktiv të palëve dhe për këtë duhet të rikthehet në skenë debati juridik. Në fakt juristët që në fillim janë përpjekur pak ose vetëshmangur nga përpjekjet këmbëngulëse për të argumentuar apo kundërshtuar hapjen e kutive.
E vërteta është se Edi Rama e bëri ligjin elektoral duke u mbështetur tek ekspertët më të mirë ligjorë të Partisë Socialiste që ai i zgjodhi në bazë të kritereve që ai mendonte se duhej. Po kështu, ky Kod i ri Elektoral që duhet thënë se është amenduar disa herë që në fillesat e veta ndër vite është parë edhe nga ekspertët ligjorë të mazhorancës. Çështja është që ashpërsimi i klimës politike i ka stopuar juristët që të shohin me gjakftohtësi gabimet dhe defektet e mundshme që përmban ligji.
Mazhoranca ashtu si edhe opozita e kanë kaluar në konsensus të plotë fazën e ndërtimit të kodit aktual ashtu si edhe amendimet Kushtetuese. Ka ardhur koha ndoshta sërish që të dyja palët të logjikojnë nëpërmjet argumentave juridikë se si mund të zgjidhet situata absurde që artificialisht krijohet te ne duke prishur edhe imazhin e vendit.
Mazhoranca ka resurse njerëzore shumë të afta në fushën juridike, ish-ministra, deputetë apo juristë të tjerë, që mund të artikulojnë më shpesh dhe më me forcë nevojën e hyrjes në një fushë logjike të shqyrtimit të rrugëve të zgjidhjes. Është e qartë se opozita kërkon të delegjitimojë zgjedhjet duke kërkuar hapjen e kutive, por kjo në vetvete nuk është diçka që mund të zbatohet as duke protestuar dhe as duke bllokuar dhe polarizuar jetën shoqërore e për rrjedhojë duke ngritur pikëpyetje mbi destabilizimin në terma afatshkurtër.
Edhe për opozitën argumenti juridik duhet të jetë i pari.
Në shumë biseda dhe dalje televizive e mediatike politikanët që nuk janë ekspertë të fushës e shohin ndryshe problemin dhe ulja e përbashkët e ekspertëve të jurisprudencës në debatet e hapura mediatike do të ishte një hap serioz në drejtim të marrjes vesh mes palëve. Gjithkush e di se Kushtetuta e vendit nuk lejon ndryshime të mandateve tashmë, aq më tepër që certifikimi i zgjedhjeve ka ardhur si pasojë e vendimit nga një arbitër i njohur mes palëve. A mund të ketë pasur probleme me numërimin? Edhe pse nuk ka prova opozita e ka të drejtën të thotë mendimin e saj dhe pavarësisht se argumentimi i saj është i mangët, këtë mund ta vlerësojnë ekspertë të fushës. Këta të fundit duhet të çlirohen me aq sa munden brenda klimës aktuale dhe të japin për të gjithë argumentet. Ata duhet të jenë më të vëmendshëm dhe më të efektshëm si dhe më aktivë që të sjellin në rrugën e duhur çështjen që po habit edhe ndërkombëtarët.
Pyetja shtrohet se kush duhet ta ndërmarrë këtë hap?
Personalisht mendoj se asgjë të keqe nuk do të kishte që të aktivizoheshin më parë përfaqësuesit e mazhorancës që kanë qenë dhe mbeten pjesë e respektuar e mendimit juridik dhe me peshë funksionale në radhët e legjislativit apo ekzekutivit. Ata duhet të sqarojnë shoqërinë dhe opinionin publik se si qëndron çështja. Ky veprim do të ishte edhe një mundësi tjetër dhe shtrirje e dorës që shumica i bën pakicës ku kjo e fundit duhet të japë garancitë se do ta konsiderojë ofertën. Opozita duhet të dëshmojë se është konstruktive dhe se respekton ligjin dhe Kushtetutën.