E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama mbledh tropojanët

Kreu socialist viziton nje zone ku kryedemokrati nuk ka shkelur kurre. Deputeti i zonës, Biberaj: Është vend i qetë, ska probleme të sigurisë

Edi Rama do të shkelë sot në Tropojë. Kryetari i partisë më të madhe opozitare, kryetari i parë i PS-së apo zyrtari i parë i lartë i saj që e viziton Tropojën pas vitit 2000, kur gjatë mitingut që zhvillonte atëherë kryeministri Ilir Meta, simpatizantë të PD-së zhvilluan antimiting. Kreu i socialistëve do të vazhdojë misionin e tij, për përçimin e frymës së politikës së re edhe në Tropojë, ndërsa vetëm pak ditë më parë, siç deklaruan socialistët, kreu i PS-së ishte në një tjetër bastion të së djathtës, të pashkelur nga të majtët, në Lazarat të Gjirokastër. Takimi i parashikuar për t’u zhvilluar sot rreth mesditës, ndryshe nga ata paraardhës që kryesocialisti ka zhvilluar gjatë “Dialogut me Shqipërinë”, është tepër delikat, duke marrë parasysh antimitingjet e zhvilluara në Tropojë, ndonëse jemi në vitin 2008 dhe aty padyshim ka rend dhe qetësi. Edhe deputeti demokrat i kësaj zone, Aleksandër Biberaj, e cilësoi si krejtësisht normal takimin e Ramës me simpatizantët e PS-së në Tropojë. “Është një vizitë normale. Tropoja është një vend shumë i qetë dhe nuk ka probleme të sigurisë”, i tha “Korrierit” Biberaj. Ende nuk dihet me saktësi se kush do ta shoqërojë kryetarin e PS-së në Tropojë, por ai pritet të mbërrijë aty rreth mesditës, ku është programuar edhe takimi me elektoratin në pallatin e kulturës. Ndër të tjera diskutime që pritet të zhvillohen, kësaj herë “Dialogu me Shqipërinë” është i përqendruar pikërisht tek “Siguria e jetës”, një fenomen që dikur e ka bërë “famëkeqe” Tropojën.

Antimitingjet

Nuk mund të harrohen kurrsesi dy antimitingjet që janë zhvilluar në Tropojë. Gjatë një mitingu më 1997-ën, kur Sali Berisha ishte president, disa persona protestuan kundër tij. Në media është publikuar lajmi se atë kohë, sipas një incizimi, vetë kryeministri kishte kërkuar që, gjallë a vdekur, t’ia sillnin në Tiranë një nga vëllezërit e Fatmir Haklajt, që thuhet po ashtu, se ishte një ndër zërat që madje e kishin fyer gjatë mitingut. Personi ndërroi jetë dhe që nga ky moment thuhet se ka lindur përplasja e madhe, e shoqëruar edhe me shumë vrasje në Tropojë. Që nga mitingu i sipërpërmendur, kryeministri aktual nuk ka shkelur më në Tropojë, as në zgjedhjet e shkuara kur foli për Tropojën, në mitingun e zhvilluar në qytetin e Kukësit. Ndërkaq, një tjetër antimiting është zhvilluar në vitin 2000, kur kryeministri Ilir Meta zhvillonte një miting. Pjesëmarrësit u shpërndanë, por po në atë vit, më 28 nëntor, sipas vetë kryeministrit, një klan ekstrem në PD sulmoi Komisariatin e Policisë së Tropojës. Shkëmbimi i zjarrit solli si pasojë disa të vrarë e disa të plagosur. Pikërisht lidhur me këtë ngjarje është arrestuar edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, që siç u tha atëherë, për dyshime të një marrjeje të pushtetit me dhunë nga demokratët.

Rezultatet e fundit

Në zgjedhjet e fundit vendore të 18 shkurtit 2007, demokratët fituan bindshëm në Tropojë. Kandidati demokrat për Bashkinë e Tropojës, Nuredin Ahmetaj, mori 57 për qind të votave, ndërsa të pestë aleatët e majtë vetëm 16 për qind të votave. Ndërkaq, në zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut 2005, sërish fitoi bindshëm kandidati i PD-së, Aleksandër Biberaj. Ky i fundit, nën siglën e koalicionin “Aleanca për fitore”, mori mbi 64 për qind të votave. PS-ja mori vetëm 5.66 për qind, PSD-ja 5.58 për qind dhe LSI-ja 7. 69 për qind. Edhe në zgjedhjet e vitit 2001 në Tropojë fitoni kandidati demokrat Azgan Haklaj. Sigurisht, vajtja e Ramës në Tropojë synon edhe marrjen e një mbështetjeje më të madhe nga elektorati i kësaj zone ndaj socialistëve, tashmë nën frymën e politikës së re, përdorjes së mandatit në shërbim të qytetarëve. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›