E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk tërhiqen

Socialistët nuk heqin dore nga kerkesa per te marre shpjegimet e munguara me shkrim nga ana e shefit te qeverise rreth tragjedise se Gerdecit

Socialistët dëshmuan përsëri dje vendosmërinë për të dëgjuar shpjegime me shkrim nga kryetari i qeverisë për tragjedinë e Gërdecit dhe gjithashtu që ministrat, përfshi shefin e tyre, të paraqiten në interpelanca. Pa u tërhequr nga kërkesa e hershme për saktësimin e deklaratave dhe të qëndrimeve kontradiktore të kryeministrit për tragjedinë e Gërdecit, socialistët në seancën plenare i kërkuan gjithashtu kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli që që të përfshinte në punimet trejavore të Kuvendit interpelancat me kryeministrin Sali Berisha dhe disa ministra të qeverisë. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, i tha Topallit se shpesh interpelancat nuk janë realizuar, ndonëse çështjet kanë qenë shumë serioze. “Kemi kërkuar disa interpelanca me përfaqësuesit e qeverisë, duke filluar nga kryeministri, tek ministrat për çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me korrupsionin, me pasurinë, me rritjen e çmimeve dhe problemeve të tjera që shqetësojnë qytetarët. Ndërkohë, në seancën e fundit ne kemi përsëritur kërkesën që interpelancat të futen me radhë në seancat që pasojnë. Ende sot nuk ka asnjë interpelancë të planifikuar. Unë nuk e di se kush ka merak nga qeveria për të folur për këto gjëra. Edhe në rast se s’do të flasim ne në Parlament, shqiptarët e prekin varfërinë e tmerrshme çdo ditë me dorë”, - deklaroi Leskaj, duke kërkuar sqarime përse në kalendarin e ri nuk është futur asnjë nga interpelancat e kërkuara. Për këtë arsye, ajo i kërkoi Topallit të planifikojë menjëherë interpelancat. Në krahun tjetër, kryetarja e Kuvendit e siguroi Leskajn se interpelancat do të realizohen në kohë. Në krahun tjetër, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së kërkoi po ashtu futjen në kalendar të nismës së PS-së, të dorëzuar 10 ditë më parë, lidhur me dëmshpërblimin e të dëmtuarve nga tragjedia e Gërdecit. “E kemi kërkuar dhe e kemi dorëzuar nismën me procedurë të përshpejtuar. Deri sot nuk ka asnjë lëvizje nga ju, nuk është futur në kalendar dhe nuk është parashikuar të kalojë në komision. Pra, kjo nismë e socialistëve është lënë totalisht në heshtje. Kërkojmë që të reflektohet urgjentisht që kjo nismë të fillojë shqyrtimin në komision dhe në Parlament”, - deklaroi liderja e socialistëve në Kuvend. Duke e quajtur tërësisht jotransparente dhe jo të efektshme mënyrën sesi ekzekutivi kërkon të dëmshpërblejë të dëmtuarit nga tragjedia e Gërdecit, socialistët kanë dorëzuar propozimet e tyre, që janë konsultuar edhe me përfaqësuesit e banorëve të Gërdecit. I. S

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›