Kritika qeverisjes ekonomike

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, deklaroi dje, se qeveria ka dështuar në vitin 2008 në fushën e ekonomisë. “Tre janë dështimet e fillimit të vitit 2008: qeveria ka dështuar të zbusë varfërinë në rritje, qeveria ka dështuar të thithë investimet e huaja në ekonominë tonë dhe varfëria në rritje dhe dështimi në investime mund të rrezikojnë stabilitetin financiar”, - u shpreh nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Arben Malaj. Ai shtoi se qeveria ka dështuar të ketë projekte të qarta dhe aftësi për të projektuar dhe përdorur projekte me donatorët. Sipas tij, qeveria këtë dështim e mbulon duke marrë kredi nga bankat tregtare, ku nuk kërkohen projekte e studime dhe nuk ka kontroll të plotësimit të kushteve për reforma apo standarde të reja në sektorët përkatës.
Në një zhvillim tjetër, deputeti i PS-së, Andis Harasani, anëtar i Komisionit të Ekonomisë, e cilësoi si të palogjikshme marrjen e huasë prej 230 milionë lekësh për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, në një kohë që vendi po varfërohet gjithnjë e më shumë. Ai theksoi se kriza e rritjes së çmimeve, nëse do të vinte në Evropë, padyshim që një nga vendet më të prekura do të ishte Shqipëria. “Pasojat është më mirë të mos merren me mend, por djalli që u zgjua nga gjumi prej gati 30 vjetësh, dihet se sa i zi është. Në vend të saj, në Komisionin e Ekonomisë u diskutua për 230 milionë euro kredi tregtare që duhet të financojnë tunelet dhe asfaltin e rrugës Durrës-Kukës. Kësaj radhe, qeveria shqiptare u ngjan atyre murgjve bizantinë, që kur turqit ndodheshin në portat e Kostandinopojës, debatonin për seksin e engjëjve. Fatkeqësisht, përpara bukës së kërcënuar të gojës, diskutimi për asfaltin e rrugëve i ngjan dilemës nëse engjëjt janë meshkuj apo femra”, - u shpreh Andis Harasani. Anëtari i Komisionit të Ekonomisë e vlerësoi kredinë që parashikohet të marrë shteti si një tjetër shtysë drejt greminës ekonomike ku po përfundon vendi.