“Edi Rama me ‘patriotizëm xhepi’, vendimi ligjor i OST i cenoi planet e 30 për qindëshit”
Zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi
Partia Demokratike e cilëson si “lot krokodili” shqetësimin e Edi Ramës për interkonjeksionin Tiranë-Prishtinë. Zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi u shpreh sot gjatë një konference për shtyp se avokatia që po i bën Edi Rama me mediat e kontrolluara prej tij, tregon se është goditur rëndë dhe ka dalë i humbur nga vendimi i OST.
Sipas saj, tenderi i kompanisë që u shpall fituese, kursen 10 milionë dollarë dhe ligjet e vendit nuk lejojnë shpalljen fituese të një kompanie me ofertë mbi 10 milionë dollarë më të shtrenjtë se kompania tjetër. “Përsëri zoti Rama sot derdhi lot para mediave se përse OST në tenderin për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Tiranë - Prishtinë nuk shpalli fituese firmën që kërkoi 36 milionë Euro për ndërtimin e saj, por shpalli tjetrën që kërkoi 27 milionë euro apo 30 për qind më pak se e para dhe duke kursyer mbi 10 milionë dollarë nga borxhi i taksapaguesve shqiptarë. Edhe një herë sqarojmë z. Rama se ligjet e vendit nuk lejojnë shpalljen fituese të një kompanie me ofertë mbi 10 milionë dollarë më të shtrenjtë se kompania tjetër. Insistimi dhe avokatia që i bën çdo ditë këtij problemi së bashku me Zërin e Popullit dhe simotrat e saj, fakton se duket se je goditur rëndë personalisht nga vendimi i drejtë dhe ligjor i OST-së”, u shpreh zëdhënësja e PD, Bardhi.
Ajo theksoi se nga oferta më e mirë, buxheti i shtetit kursen më shumë se 1 miliardë lekë, interes ky që dominon mbi “patriotizmin e xhepit” të Ramës, të cilit nga kjo i janë cenuar planet. “Zoti Rama të gjithë shqiptarët e dinë mirë se këtu bëhet fjalë jo për ndërtimin apo mos ndërtimin e linjës së interkonjeksionit, por për shpalljen fituese të kompanisë që ka ofertën më të mirë duke iu kursyer qytetarëve shqiptarë së paku 1 miliardë e dyqind milionë lek nga borxhi i tyre për të cilin Ti bërtet çdo ditë. Duket qartë zoti Rama se me këtë patriotizmin tënd të xhepit ky vendim që kursen 30 për qind të shumës për ndërtimin e linjës, të ka prishur shumë plane ty. Ndaj, del e vajton çdo ditë për to”, deklaroi më tej, zëdhënësja Silvi Bardhi.