Investitorët japonezë, interes për potencialet ekonomike të Shqipërisë

Kryeparlamentarja pritet nga homologu i saj Takahiro Yokomichi
Dita e dytë e vizitës së saj zyrtare në Japoni, Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli nisi me një takim nga homologu i saj, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Takahiro Yokomichi.
Në takim Kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë, e cila përmes projekteve të rëndësishme ka kontribuuar për fuqizimin e kapaciteteve institucionale, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë. Ajo shprehu rëndësinë e nxitjes së vizitave të ndërsjella, të grupeve të miqësisë apo të komisioneve të ndryshme parlamentare. “Unë i besoj fort diplomacisë parlamentare dhe rolit të saj për të inkurajuar bashkëpunimin ekonomik. Shqipëria sot ofron shanse dhe potenciale të rëndësishme për investitorët e huaj. Vizita juaj në Tiranë do të shënojë një ngjarje historike në marrëdhëniet midis dy vendeve”, theksoi Topalli.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Yokomichi ndau të njëjtin mendim me Kryetaren e Kuvendit, se bashkëpunimi parlamentar bëhet nxitës edhe për bashkëpunim ekonomik në ato fusha ku ka interes reciprok si turizmi, sektori i minierave dhe ai energjetik.
“Unë vlerësoj shumë faktin që ju shoh të vendosur dhe gjithë pasion për të promovuar vendin tuaj. Me takimet dhe bisedat e sotme ju keni ndarë shumë mendime me ne, duke nxitur për hapa të tjerë konkrete bashkëpunimi. Dhomat e Biznesit duhet të përcjellin mesazhin se vendi juaj ofron potenciale me interes për investitorët japonez. Bashkërisht duhet të nxisim ministrat tanë të ekonomisë por dhe të fushave të tjera të shkëmbejnë vizita për të parë të gjitha mundësitë”, tha Yokomichi.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi kurajën dhe angazhimin, me të cilin populli japonez në një kohë shumë të shkurtër arriti të fshijë gjurmët e shkatërrimit natyror në zonat e prekura nga tërmeti. Kjo është vizita e parë e një Kryetari Parlamenti nga Shqipëria në Japoni, vend kontribuues në shumë projekte të suksesshme dhe programe në fusha të ndryshme në vendin tonë.
Në vijim të vizitës së saj në Japoni, Topalli takoi dhe Presidentin e Dhomës së Këshilltarëve, Kenji Hirata dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Japoni-Shqipëri, Hiroshi Hase, ku u diskutua mbi gjetjen e termave konkretë të bashkëpunimit, jo vetëm parlamentar por në të gjitha fusha. “Ne ndajmë vullnet dhe interes të përbashkët të nxisim bashkëpunimin dhe unë jam i bindur se vizita juaj jep një kontribut të çmuar” tha Presidenti i Dhomës së Këshilltarëve, Kenji Hirata.
Në kohë globalizimi, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, distancat humbin vlerë dhe unë jam e bindur se ekzistojnë një sërë fushash ku bashkëpunimi është me interes reciprok. Kjo vizitë, tha Jozefina Topalli, ka një domethënie të veçantë, koincidon me 90-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona, pikërisht vetëm 10-vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
“Ju jeni një vend i madh lider në botë por Shqipëria, ndonëse një vend i vogël e me një histori të vështirë, ia ka dalë në këto 20-vjet të rikuperojë shumë kohë të humbur. Sot është vend i NATO-s dhe punon e aspiron të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane. Ne duhet të bashkëpunojmë edhe për të nxitur bashkëpunimin ekonomik mes vendeve tona në terma konkrete”, tha kryetarja e Kuvendit.
Në takimin takimin me Kryetarin e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Japoni Hiroshi Hase dhe Nënkryetarin e Dhomës së Përfaqësueseve, Seishiro Eto vëmendja i’u kushtua bashkëpunimit parlamentar nëpërmjet shkëmbimit të vizitave edhe në nivele të Komisioneve Parlamentare. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi rolin e diplomacisë parlamentare si nxitëse në njohjen e realitetit të vendeve ndërsa tha në mënyrë të veçantë, se grupet e miqësisë kontribuojnë me shumë efikasitet në imazhin dhe promovimin e vendit dhe janë inkurajuesit më të mirë në bashkëpunimin ekonomik dhe afrimin e biznesit. Gjithashtu, kryetarja e Kuvendit, u prit në një takim nga Zëvendësministri Parlamentar i MPJ së Japonisë, Takujiro Hamada.
Kryetarja e Kuvendit konsideroi këtë vizitë të rëndësishme si një mundësi për t’i hapur rrugë bashkëpunimit parlamentar, por edhe si një shtysë në marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë dhe Japonisë.
Kryetarja e Kuvendit njohu Hamada me potencialet që Shqipëria ofron për investitorët e huaj duke shprehur interesin për nxitjen e investimeve japoneze në vendin tonë.
“Ne e konsiderojmë praninë e biznesit japonez shumë të rëndësishëm. Pozicioni i favorshëm gjeografik, një vend me popullsi me moshë të re, treguesit pozitivë të një ekonomie të qëndrueshme, klima miqësore ndaj biznesit, e bëjnë Shqipërinë një vend tërheqës për investitorët e huaj. Shqipëria, sot, një vend i NATO-s, po punon fort për të përmbushur standardet më të mira në proceset integruese”, tha Kryetarja Jozefina Topalli. Kryetarja Jozefina Topalli dhe Hamada vlerësuan se shkëmbimi i vizitave mes Dhomave të Tregtisë të të dy vendeve, krijimi i një Komiteti Ekonomik të përbashkët, nxisin në eksplorimin dhe njohjen nga afër të potencialeve që ofron Shqipëria. Të dy bashkëbiseduesit shprehën angazhimin për inkurajimin e biznesit japonez duke vlerësuar se në Shqipëri ekzistojnë mundësi të mira bashkëpunimi në infrastrukturë, energji, turizëm, bujqësi, nxjerrjen e mineraleve.
Duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryetares së Kuvendit për të vizituar Shqipërinë në këtë vit kremtues të 100-vjetorit të pavarësisë së saj, Hamada tha se, “vlerësoj shumë shpirtin tuaj inkurajues në nxitjen e marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona”.
Kryetarja e Kuvendit zhvilloi edhe një vizitë në kompaninë prestigjioze “SONY” ku u njoh nga afër me realizimet më të fundit në fushën High Tec si dhe në kompaninë tjetër të fuqishme Japan Tabaco, e cila kohët e fundit ka zgjeruar aktivitetin e saj duke operuar edhe në fusha të tjera.