Reforma Zgjedhore/Gjiknuri: Përfundon brenda afatit, i mundshëm votimi elektronik më 2013
“Ndryshimet në Kodin Zgjedhor pritet të përfundojnë në afatin e caktuar, fundin e këtij muaji”. Kështu ka deklaruar bashkëkryetari i komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, socialisti Damian Gjiknuri, pas përfundimit të mbledhjes së radhës së këtij komisioni. Sipas tij kanë mbetur për t’u diskutuar edhe disa çështje që janë me karakter teknik. Gjithashtu Gjiknuri shtoi se po punohet intensivisht që në zgjedhjet e 2013 të përdoret sistemi elektronik i votave.
“Është i lidhur me një kapitull tjetër që ka të bëjë me sistemin elektronik në qendrat e votimit. Jemi duke punuar intensivisht, që brenda këtij muaji të mbyllet nga komisioni. Ne e kemi pikëpamjen tonë dhe po presim që të ndërtohet një propozim i gjithë pranuar. Partitë e vogla preken më shumë dhe në respektim të tyre ne e kemi shprehur këtë qëndrim, çështja e KQZ do diskutohet javën tjetër. Numërimi elektronik do përdoret në zgjedhjet e 2013”, u shpreh deputeti socialist, Gjiknuri.
Gjatë mbledhjes së komisionit të reformës zgjedhore, komisionerët kanë rënë dakord për ndryshimet në ligj, që prekin kapitullin e listave të zgjedhësve. Është rënë dakord që dy partitë e mëdha, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste do të kenë mundësi të kontrollojnë procesin e përpunimit të listave të zgjedhësve, përmes një grupi të përbashkët auditi. Ky grup, i cili do të propozohet nga kryetari dhe nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të punojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Bashkëkryetari i komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, socialisti Gjiknuri, në prononcimin për mediat, tha se Komisioni i reformës zgjedhore, pritet të marrë në shqyrtim në mbledhjet e ardhshme edhe propozimet që lidhen me korrektimin kombëtar të aktual sistemit zgjedhor, proporcional rajonal.