E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlerësimi për qeverinë “Berisha” - Hillari Klinton do vizitojë Shqipërinë brenda vitit

19-04-2012 / Gazeta 55

Kryediplomati shqiptar Edmond Haxhinasto takohet në Bruksel me sekretaren e Departamentit Amerikan të Shtetit
 
Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Sali Berisha, për të vizituar Shqipërinë brenda këtij viti.
Konfirmimin për pranimin e ftesës, Sekretarja Klinton, ia ka bërë dje Zëvendëskryeministrit shqiptar, Edmond Haxhinasto.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto po merr pjesë në Takimin e Përbashkët të Ministrave të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s. Gjatë punimeve të këtij Ministeriali, ministri Haxhinasto është takuar me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton.
Zv/kryeministri Haxhinasto i ka përsëritur zonjës Klinton ftesën për të vizituar Tiranën. Nga ana e saj, Hillari Klinton ka premtuar se “në gjysmën e dytë të vitit 2012 do jetë për vizitë në Tiranë”.
Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s dhe atyre të Mbrojtjes, mbahet përpara Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të Aleancës, që do të zhvillohet në Çikago, më 20-21 maj 2012.
Mbajtja e një takimi të tillë ka hyrë në praktikën e punës të Aleancës që prej Samitit të Lisbonës (19-20/11/2010), përpara të cilit u zhvillua një takim i kësaj natyre. Takimi i Ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, ka për qëllim përgatitjen e çështjeve kryesore si: Afganistani; Paketa e Mbrojtjes; Partneritetet që do të diskutohen gjatë Samitit të Çikagos, dhe në këtë kontekst pritet t’i shtjellojë më tej këto çështje me rëndësi.
Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, Kryeministri Sali Berisha, i cili mori pjesë në punimet e Konferencës së Sigurisë në Mynih, u takua me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton. Gjatë këtij takimi, Kryeministri Beirsha i përcolli ftesën Sekretares Klinton, e cila dje konfirmoi vizitën e saj në vendin tonë, brenda këtij viti.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›