E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama mohon Lëvizjen për Mendim Ndryshe: Jemi solidë për bojkotin



Në një intervistë dhënë BBC-së, kreu i PS-së, Edi Rama, nuk ka dhënë ndonjë sqarim se sa do të vazhdojnë protestat e opozitës. Rama, i cili ndodhet në Londër, ka mohuar të ketë zëra kundër në parti për linjën e bojkotit, duke lënë jashtë vëmendjes grupin e deputetëve, i cili përbëhet nga figura të vjetra dhe me peshë në këtë parti. “Nuk ka asnjë presion brenda partisë për t'u futur në Parlament, përkundrazi, ka një mendim shumë solid në të gjithë partinë për të vazhduar përpjekjen për transparencën e 28 qershorit”, - ka thënë Rama i pyetur për presionin që po ushtron Lëvizja e Mendimit Ndryshe, e cila drejtohet nga deputetët Ben Blushi e Arben Malaj dhe mbështetet nga shumë anëtarë forumesh të partisë. Rama ka zgjedhur rrugën e mohimit të përplasjeve, dhe pse vetë është bërë protagonist i këtyre përplasjeve në të gjitha mbledhjet e Kryesisë e Asamblesë që pas 28 qershorit. Ndërkohë, përpos këmbënguljes së gazetarit të BBC-së për kthimin e PS-së në Kuvend, ka dhënë përgjigje të kundërta, duke rënë dakord në parim për rëndësinë që ka institucioni i Parlamentit në demokraci dhe ndërkaq duke i mëshuar qëndrimit jashtë të PS-së deri në hapjen e kutive të 28 qershorit. BBC i kujton kreut të PS-së: “Të huajt që i ndoqën zgjedhjet, OSBE-ja, por edhe Bashkimi Evropian kohët e fundit, ju kërkojnë apo sugjerojnë që ju të hyni në parlament. Pra, Parlamenti, thonë ata, është vendi ku duhet të jetë opozita”. Por Rama përgjigjet: “Këtë e themi edhe ne. Parlamenti është vendi ku zhvillohet dialogu normal në një demokraci normale, ndërkohë që në Shqipëri nuk ka as demokraci normale dhe as dialog normal, sepse ka një parlament anormal dhe një pushtet anormal që burojnë jo nga normaliteti zgjedhor, por nga anormaliteti zgjedhor. Për sa i përket asaj që thonë të huajt, është shumë e rëndësishme të theksohet se vetë monitorët e zgjedhjeve kanë nënvizuar që një e treta e numërimit është bërë keq dhe shumë keq, që do të thotë se në një palë zgjedhje që kanë përfunduar me një rezultat aq të ngushtë me gjithë deformimin, me një të tretën e numërimit keq dhe shumë keq, gjëja më e thjeshtë dhe e lehtë që të shkon ndërmend është domosdoshmëria për të bërë transparencë, duke hapur kutitë e votimit dhe duke parë se cilat kanë qenë efektet e këtij numërimi të keq dhe shumë të keq”. Rama anashkalon pyetjen nëse diçka nuk shkoi mirë në fushatën e tij elektorale, duke preferuar të kapet pas procesit zgjedhor, duke cilësuar atë problem themelor për të dhe jo humbjen e partisë së tij në zgjedhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›