“Edi Rama, mos u fshih si frikacak, bëj transparencë për pallatin e gruas dhe vilën në Dajt”
Partia Demokratike, thirrje kreut te PS-së
Partia Demokratike ka rikthyer në vëmendjen e opinionit publike mungesën e transparencës së kryesocialistit Edi Rama në lidhje me pasurinë e tij dhe lejen për pallatit e familjes së bashkëshortes Linda Basha (Rama). Gjatë një deklarate për shtyp zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi, i ka bërë thirrje kryesocialistit Rama që të bëjë transparente vilën verore që po ndërton në Dajt. “Edi Rama, të mos fshihet prapa perdes si frikacak, të mos fshihet prapa monologjeve qesharake as dhe vizitorëve dështak por të gjejë kurajë dhe me transparencë ti thotë publikut origjinën e 1 Milon Euro investim nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar të pallatit pesëkatësh me sipërfaqe ndërtimi 900 m katror të gruas së tij dhe familjarëve të saj”, theksoi Vorpsi. Sipas saj publiku është vështirosur nga monologjet Ramës dhe kërkon që të paraqesë faturat e paguara dhe kanalet bankare e tatimore të 1 Milion Euro pa origjinë të investuar në pallatin në pajë. “Në rast se ato fatura ekzistojnë dhe nuk janë zëvendësuar nga para gjobash apo origjinë nga trafiqe kriminale të organizatave me të cilat ju jeni i lidhur këmbë e krye”, theksoi ajo. Ndërkohë Partia Demokratike i kërkon z. Rama të marrë të gjitha përgjegjësitë publike dhe të mos fshihet si frikacak për dy lejet e ndërtimit të firmosura prej tij për interes familjar dhe në kundërshtim flagrant me ligjin e konfliktit të interesit dhe shkelje të rëndë të Nenit 62 të ligjit të Urbanistikës për ndërtimin e pallatit në pajë të gruas së tij në vendin e ndaluar me ligj, sheshin e pallateve. “Z. Rama! Në intervistën e saj tek Balla Zj. Basha ju tha Shqiptarëve se vila juaj sipas projektit me 57 metra gjatësi po ndërtohet në një nga zonat më të kushtueshme të periferisë së Tiranës me paratë e ‘Kurbanit’ tuaj. Ju me të drejtë e censuruat këtë pohim të pafajshme te Zj. Basha si një blof bajat por nuk keni deklaruar ende burimin e parave me të cilat po ndërtoni rezidencën tuaj verore në malin e Dajtit”, vijoi zëdhënësja e PD.
Ndër të tjera, Partia Demokratike ftoi zotin Rama të bëjë publike fondet e ndërtimit, firmën e ndërtimit dhe faturat që ju paguani për ndërtimin e rezidencës suaj në malin e Dajtit. “Z. Rama ju keni deklaruar se tokën truall për ndërtimin e vilës e keni blerë në vitin 2003 me 2 000 Lek te vjetra metri/katror, pra me 2 Dollarë; ndërkohë që edhe në zona shumë më periferike në vitin 2000 është shitur me 20 000 Lek apo 20 Dollarë, pra se paku me dhjetëfishin e çmimit loto që e keni blerë ju, ndërsa ngjitur me ju me dokumente te rregullta fqinjët tu e kanë blerë tokën me 50 Dollarë”.
Në fund, të deklaratës së saj, zëdhënësja e PD, Vorpsi nënvizoi se është koha që Rama të lejë mënjanë monologjet boshe sepse me ato nuk mund të mbulojë pallatin në pajë as dhe truallin dhe vilën që po ndërton në malin e Dajtit, me burime parash të dyshimta. “Partia Demokratike ju deklaron Ju se pallati familjarëve dhe rezidenca juaj verore me gjatësi 57 metra, do të ju shoqërojnë ju deri në kutinë e votimit”, përfundoi ajo.