E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi i ri zgjedhor, pritet të ndryshojë struktura e KQZ-së

TIRANE – Në zgjedhjet e ardhshme pritet të kemi një KQZ të riformatuar. Palët në tryezën e reformës zgjedhore, organizuar nga OSBE/ODIHR parimisht bien dakord për ndryshimin e formulës së KQZ-së, ndërsa janë kundër ndryshimit të komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta, që merren me administrimin e votës.

Në tryezën e rrumbullakët të OSBE-së nuk kanë munguar as replikat mes kreut të KQZ-së Arben Ristani dhe bashkëkryetarit të komisionit për reformën zgjedhore Damian Gjiknuri.

Sipas Ristanit, problemi nuk çalon tek formula aktuale e KQZ-së, por tek mekanizmat që duhen vënë në zbatim. Disa prej mekanizmave që Ristani propozon janë zgjatja e mandatit të KQZ-së në 7 vjet, kthimi në institucion kushtetues siç ka qenë e parashikuar në kodin e vjetër, si dhe sigurimi i vendit të punës të anëtarëve të KQZ-së pas mbarimit të mandatit.

Por për deputetin e PS-së, Damian Gjiknuri, KQZ dështoi në administrimin e zgjedhjeve. Sipas tij, ndryshimi i formulës së këtij institucioni është esenciale për zhvillimin e zgjedhjeve brenda standardeve.

Në komision nuk kanë munguar as sugjerimet e ekspertëve ndërkombëtarë për zgjedhjet. Ata propozuan si modelin më të përshtatshëm atë anglez.
KQZ është e përbërë nga 10 anëtarë, të cilët minimalisht 5 vitet e fundit duhet të jenë të shkëputur nga çdo aktivitet politik.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›