E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria ka marrë masa emergjente për të ndaluar korrupsionin”

Nishani e Topalli takojnë kreun e GOPAC, John Williams

TIRANE - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani deklaroi dje gjatë një takimi të zhvilluar në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, se qeveria shqiptare ka treguar vullnet të plotë në luftën kundër korrupsionit. “Qeveria shqiptare ka marrë masa emergjente për të ndaluar korrupsionin, për të ndërtuar një marrëdhënie të re mes qeverisë dhe qytetarëve, një marrëdhënie e cila në themel ka pasur seriozitetin tonë për të luftuar korrupsionin”, vlerësoi ministri Nishani në takimin, ku veç anëtarëve të njësisë parlamentare kundër korrupsionit, ishin të pranishëm dhe kryetari i Organizatës Botërore të Parlamentareve Kundër Korrupsionit (GOPAC), John Williams.
Sipas ministrit, tema e luftës kundër korrupsionit është një temë e diskutueshme në çdo vend të botës, është një problem i cili nuk mund të zgjidhet vetëm me diskutime apo me kërkime akademike, por është një problem që ka nevojë për aksione konkrete.
“E ndërgjegjshme për rreziqet e korrupsionit dhe për vështirësitë e luftës kundër këtij fenomeni, qeveria shqiptare e shpalli luftën kundër tij si një prioritet jetik të saj.
Deri më sot, qeveria jonë ka treguar vullnet të plotë, ka treguar se di të vendosë prioritete, ka treguar se di të marrë masa emergjente apo preventive për të  ndaluar korrupsionin, për të ndërtuar një marrëdhënie të re mes qeverisë dhe qytetarëve, një marrëdhënie e cila në themel ka pasur seriozitetin tonë për të luftuar korrupsionin”, u shpreh Nishani.
Ai i’u referuar raportit të “Transparency International”, i cili e grupon vendin tonë në 10 vendet me sukses më të madh për vitin 2008 në luftën kundër korrupsionit si dhe në vendin e parë në rajon.
Si rezultat i përpjekjeve antikorrupsion, të ardhurat ne buxhetin e shtetit janë shtuar me 1.2 miliardë dollarë edhe pse qeveria ka bërë uljen më drastike të taksave në historinë e financave publike të këtij vendi.
Sipas tij, çdo institucion ka përshtatur dhe fuqizuar zyrat për informimin e publikut në luftën kundër korrupsionit.
Nishani foli dhe për amendimin e ligjit të konfliktit të interesit, miratimin e ligjit të Policisë së Shtetit, ligjin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, ligjin e prokurimeve publike, atë të koncesioneve dhe ligje të tjera të rëndësishme.
Sipas tij, e rëndësishme ka qenë dhe hartimi i strategjive në ndihmë të luftës kundër korrupsionit, ku vetëm ministria e Brendshme ka hartuar strategjinë e Policisë së Shtetit 2007-2013, strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, strategjinë  Kombëtare Antidrogë, atë Ndërsektoriale të Luftës kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizmit, strategjinë Kombëtare të Luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore 2008-2010.
Kryetarja e Kuvendit takon drejtorin ekzekutiv të GOPAC-ut, John Uilliams Williams/Ndërkohë edhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti dje në takim drejtorin ekzekutiv të Organizatës Botërore të Parlamentarëve kundër Korrupsionit (GOPAC), John Uilliams. Ai gjendet në Shqipëri për të marrë pjesë në takimin e grupit parlamentar kundër korrupsionit në një kohë kur Shqipëria u rendit e dyta në botë për suksesin e reformave në tregun e lirë dhe ndër 10 vendet më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit, sipas “Transparency International”.
Rezultatet e luftës pa kompromis ndaj korrupsionit, tha Kryetarja e Kuvendit janë të dukshme mjafton të përmendim faktin se falë luftës nga evazionit fiskal kemi dyfishuar buxhetin e shtetit dhe madje çdo vit në parlament kemi miratuar një buxhet shtesë.
“Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka ndërmarrë një revolucion të vërtetë fiskal. Shqipëria aplikon tashmë taksën e sheshtë 10 %, ka taksat më të ulëta në Evropë, ndërsa po aplikon pagesën e tyre si dhe prokurimet on-line”, tha kryeparlamentarja.
Në raportin e “Transparency International” Shqipëria u ngjit nga vendi i 134-ët në vendin e 86-të, në renditjen e perceptimit të korrupsionit duke shënuar kështu rritjen më të madhe nga çdo vend tjetër, duke kapërcyer 49 vende brenda një viti.
 Duke përgëzuar për të gjithë arritjet që Shqipëria ka bërë vitet e fundit, z. Ulliams tha se si kudo, lufta ndaj korrupsionit nuk është e lehtë. Ai vlerësoi rolin e parlamentit në këtë luftë duke nënvizuar se në luftën dhe kontrollin ndaj korrupsionit roli i parlamentit është thelbësor.
Më tej, kryetarja e Kuvendit dhe Williams, një ndër themeluesit e GOPAC-ut diskutuan më tej për intensifikimin e bashkëpunimit, veçanërisht atij rajonal përsa i përket luftës ndaj korrupsionit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›