E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria Spanjolle jep 10 milion euro për Unionin Shqiptar Kursim – Kredi

Unioni Shqiptar Kursim-Kredi, (USHKK) ka përfituar shumën prej 10 milionë euro nga qeveria spanjolle në financimin e programeve të mikrokredisë në 14 zona në vend. Në qytetin e Shkodrës u nënshkrua sot marrëveshja përkatëse midis ambasadorit të Mbretërisë së Spanjës, z.Manuel Montobbio dhe drejtores ekzekutive të USHKK-së, Zana Konini. Zhvillimi rural në Shqipëri vazhdon të gjejë mbështetje nga qeveria spanjolle, e cila përmes shumës prej 10 milionë euro për Unionin Shqiptar Kursim Kredi, do të ndihmojë në kreditimin e aktiviteteve të fermerëve në mbi 14 rrethe të Shqipërisë. Pas firmosjes së marrëveshjes, drejtorja ekzekutive e USHKK-së, Zana Konini, u shpreh se “nga kjo kredi do të përfitojnë banorët e gjithë zonave rurale ku operon Unioni, të cilat kanë kërkesa të mëdha për kredi në bujqësi, blegtori, agroturizëm dhe aktivitete të tjera në fshat. Por ky financim, do të mundësojë ndër të tjera dhe zhvillimin e aktivitetit në të tjera zona ku po zgjerohet Unioni". Ndërsa ambasadori spanjoll Montobbio, duke vlerësuar rolin e mikrofinancës në zhvillimin e një vendi, theksoi se qeveria e tij do të vazhdojë të mbështesë financiarisht institucionet që operojnë në këtë fushë. Sipas tij, kjo kredi e re vjen pas një bashkëpunimi të sukseshëm që ka nisur që në vitin 2004, ku prej mbështetjes me mikrokredi, përfitues kanë qënë 4.700 klientë në 600 fshatra në 13 rrethe të Shqipërisë për zhvillimin e aktiviteteve në bujqësi, blegtori, tregëti dhe agroturizëm. Kredia prej 10 milion euro që i jepet Unionit Shqiptar Kursim Kredi, do t'u shërbejë  banorëve në zonat rurale, që gjithnjë e më shumë kanë rritur kërkesat për financime. Nga ana tjetër sigurimi i mikorkredive për zonat rurale bëhen akoma dhe më të vlefshme në kushtet e krizës ndërkombëtare, që ka tronditur sistemet financiare. Unioni Shqiptar Kursim Kredi jep mbështetje për zonat rurale të vendit përmes krijimit të aksesit në kreditim edhe për ato shtresa sociale, të cilat për arsye të ndryshme, nuk kanë mundësi të jenë klientë të bankave. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›