E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama në fletën e votimit pa siglën e PS dhe aleatëve

SHKRUAN: Fejzi Braushi 07-04-2011 16:31

Kandidati i opozitës për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, do të konkurrojë në këto zgjedhje pa siglën e partisë së tij dhe partive të tjera që e mbështesin në koalicion. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje fletën e votimit për kryetar të Bashkisë së Tiranës, ku emri i kandidatit të opozitës në kuadratin e vet do të shoqërohet vetëm nga emri i koalicionit mbështetës, si dhe shkronjat nistore të tij, ndërsa janë përjashtuar shkronjat nistore të partive që e përbëjnë këtë koalicion. Krejt e kundërta ka ndodhur me kandidatin e mazhorancës Lulëzim Basha, i cili përveç emrit të koalicionit do të ketë në fletën e votimit të renditura edhe të gjitha emrat e partive politike që e përbëjnë këtë koalicion. KQZ ka miratuar edhe fletën e votimit për Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku koalicioni “Aleanca për Qytetarin” renditet i pari dhe koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” i dyti.

Fleta për kryetar

Megjithëse përbën një çështje teknike, fleta e votimit për kryetar të Bashkisë së Tiranës dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit është kthyer dje në KQZ në një objekt debati të gjatë mes përfaqësuesve të djathtë dhe atyre të majtë. Shkak janë bërë pretendimet e të dyja palëve për të ndryshuar modelet e fletëve të votimit të përgatitura nga Drejtoria e Teknologjisë, por natyrisht më thelbësoret kanë qenë ato të paraqitura nga përfaqësuesit e opozitës. Lidhur me fletën e votimit për kryetar të Bashkisë së Tiranës, debatin më të madh e ka shkaktuar propozimi i socialistëve, që në të të përfshihet krahas emrit të kandidatit Edi Rama dhe emrit të koalicionit, edhe siglat e të gjitha partive politike që janë bërë pjesë e saj. “Unë propozoj që poshtë emrit të kandidatit Edi Rama të vendoset emri i koalicionit ‘Aleanca për të Ardhmen’ dhe poshtë saj të gjitha siglat e partive pjesëtare të këtij koalicioni”, - tha përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj. Por ky propozim është kundërshtuar nga demokratët, të cilët kanë theksuar se marrëveshja e koalicionit opozitar nuk përfshin si shkronja nistore të tij siglat e partive politike që e përbëjnë atë, ndryshe nga sa ka parashikuar marrëveshja që ka bërë PD me aleatët e vet. “Marrëveshja që ju keni paraqitur në KQZ përcakton se emri i koalicionit është ‘Aleanca për të Ardhmen’, ndërsa shkronjat nistore të tij janë “AA”. Ndryshe kemi parashikuar ne në marrëveshjen tonë, pasi themi që emri i koalicionit është ‘Aleanca për Qytetarin’ dhe shkronjat nistore të tij janë siglat e partive. Ndaj kështu duhet të paraqiten dhe në fletën e votimit”, - tha përfaqësuesi i PD-së, Niazi Kosovrasti. Këtij qëndrimi i është bashkuar edhe kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i cili ka ftuar anëtarët e tjerë të këtij komisioni që ta rrëzojnë propozimin e socialistëve. “ Unë mendoj që t’i qëndrojmë strikt marrëveshjes së PS-së dhe propozoj që propozimi juaj të mos pranohet”, - tha Ristani, duke iu drejtuar Gjonçajt të PS-së, ndërsa KQZ ka votuar me 4 vota pro propozimit të tij.

Fleta për Këshillin

Jo pak debate ka shkaktuar edhe fleta e votimit për anëtarë të Këshillit Bashkiak. Kësaj here shkak u bë pikërisht renditja që Drejtoria e Teknologjisë i kishte bërë koalicioneve në fletën e votimit, ku “Aleanca për Qytetarin” renditej e para dhe “Aleanca për të Ardhmen” renditej i dyti dhe më pas vinin dy subjekte që kanë kandiduar të vetme, LZHK dhe PKSH. Sipas përfaqësuesve socialistë renditja nuk ishte korrekte dhe se nuk ishte bërë në bazë të rendit alfabetik. “Nëse ju nuk arrini të kuptoni atë që unë shpjegova për renditjen sipas alfabetik, le të merrni një ekspert dhe t’ju shpjegojë këtë çështje, se nyja “të” nuk shërben për renditjen e koalicioneve. Është njësoj sikur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të siglohet KQIZ”, - tha Gjonçaj. Por sipas të djathtëve çdo fjalë që përbën emrin e koalicionit duhet marrë e veçantë, pavarësisht nëse është emër, nyje apo lidhëz. I këtij qëndrimi ka qenë dhe Drejtoria e Teknologjisë, e cila ka shpjeguar se kompjuteri konsideron fjalë çdo shkronjë apo grup shkronjash që kanë një hapësirë nga fjala paraardhëse. Në përfundim edhe të këtij diskutimi, KQZ ka vendosur që të lërë në fuqi variantin e fletës të përgatitur nga drejtoria përkatëse, ku koalicioni i mazhorancës renditet i pari dhe ai i opozitës i dyti. Pavarësisht se mund të përbëjë një çështje të karakterit teknik, palët në këtë debat i kanë dhënë një rëndësi renditjes dhe kjo për shkak se koalicioni i renditur në fillim të fletës është më i dukshëm për votuesit. Për këtë arsye përfaqësuesi i majtë Genci Gjonçaj ka paralajmëruar se të dy këto vendime do t’i ankimonte në Kolegj Zgjedhor, duke pretenduar edhe se akte të tilla duhet të miratohen me pesë vota.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›