Kuvendi ndërpritet më 17 prill për fushatën
Zgjedhjet vendore të 8 Majit detyrojnë Kuvendin të nisë pushimet para kohe. Duke filluar që nga mesi i javës së ardhshme, Kuvendit do të ndërpresë punimet për t’u lënë mundësi deputetëve që të angazhohen në mënyrë të plotë në fushatën zgjedhore për pushtetin vendor. Ndërkohë që socialistët kanë kërkuar që Kuvendit të ndërpresë punimet duke filluar që dita e nesërme, meqenëse data 8 prill përkon dhe me startimin e fushatës elektorale. Kërkesa e tyre është bërë dje në Konferencën e Kryetarëve nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, por që nuk është pranuar plotësisht nga përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët kanë qenë të gatshëm që të ndërpresin punimet javën e ardhshme. Sipas këtyre të fundit, Kuvendi duhet të vazhdojë punë sipas kalendarit deri në datën 17 prill për të ezauruar të gjitha projektligjet e programuara si dhe për të miratuar projektligjin për Amnistinë Fiskale. Por pikërisht tentativa për të përfshirë këtë nismë në kalendarin e punimeve është bërë objekt i një debati të ashpër dje në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku përfaqësuesit e majtë kanë kundërshtuar fort idenë e miratimit të tij me procedurë të përshpejtuar. Burime pranë Kuvendit kanë bërë të ditur se kreu i grupit parlamentar socialist ka theksuar se projektligji nuk është diskutuar më parë në komisione, ndaj ka kërkuar që ai të mos përfshihet për t’u diskutuar në këtë moment, por të shtyhet për një fazë të mëvonshme, pasi të marrë kohën e duhur të diskutimit. Siç mësohet, Ruçi ka evidentuar faktin se drafti vjen në Kuvend për qëllime elektorale dhe se nuk synon seriozisht që të zgjidhë problemin e pasurive të fshehura apo detyrimeve të tjera të pashlyera. Por nga ana tjetër përfaqësuesit e mazhorancës kanë bërë të qartë se Kuvendi ka gjithë mundësinë që brenda afateve ligjore të diskutojë këtë nismë dhe ta miratojë javën e ardhshme. Për këtë qëllim është vendosur që sot në orën 11.00 të thirret dhe një mbledhje e Komisionit të Ligjeve për të shqyrtuar këtë nismë nga ana kushtetuese. Në varësi të këtij diskutimi, nuk përjashtohet mundësia që mazhoranca ta tentojë ta kalojë atë për miratim që në seancën e sotme.