E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama në këmbë

Edmond Arizaj 

Kryetari i Partisë Socialiste ende nuk ka gjetur një kalë të sigurt beteje për përballjen përfundimtare me Sali Berishën, i cili do t’i siguronte edhe fitoren aq shumë të dëshiruar dhe të kërkuar me çdo lloj forme. Katër vjet më parë, kryetari i atëhershëm i opozitës së bashku me gjithë përkrahësit dhe militantët e tij, hodhën në betejë “kalin” e (anti)korrupsionit. Mijëra deklarata, qindra konferenca të lodhshme shtypi, dhjetëra mitingje e protesta, pa fund etiketime nga “mamuth” e deri tek “i zi”,  të gjitha të dala nga goja e Berishës dhe të tijve, në adresë të qeverisë socialiste të atëhershme, e vlerësuar si super e korruptuar. Kjo ndjesi hyri me dhunë edhe në shënimet e ndërkombëtarëve, edhe në mendjen e elektoratit. Pavarësisht se as në atë kohë ...e as përgjatë katër viteve pushtet të “qeverisë së antikorrupsionit” nuk u dënua qoftë edhe një zyrtar i lartë, kali i betejës, krijuar dhe përdorur nga Berisha doli fitimtar. Madje, herë-herë përdoret edhe sot. Partia Socialiste për tre beteja rresht, 1997, 2001, 2005 përdori të njëjtën kafshë beteje, Presidentin Sali Berisha. Në fakt, në 2005 kali rezultoi shumë i lodhur.
Në 2009, Berisha paraqitet para elektoratit jo me një kalë, por me një koçi të tërhequr nga disa kuaj, të cilët ai i përdor dhe i fshikullon pa hesap dhe pa menduar se në finish mund të rrëzohen përtokë. Rrugët, NATO, dritat, antikorrupsioni, rrogat. Eshtë pesëshja ku mbështetet dhe shpreson Berisha dhe ndjekësit e tij për një mandat të dytë. Opozita tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim, prej muajsh ka nxjerrë në plan të parë një element thelbësor, punësimin. Në të gjitha takimet dhe mitingjet e tij, Ilir Meta ka si kryefjalë punësimin, duke synuar me këtë, të bëjë për vete edhe rreth 40 për qind të të papunëve shqiptarë dhe të varurve prej tyre. Për këtë kalë beteje, LSI duhet të ketë nxjerrë në plan të dytë, apo edhe jashtë planit, përplasjen e ashpër me vetë PS-në, duke kaluar nga e shkuara tek e ardhmja, pavarësisht rrezikut se mund të cilësohet si “djali plangprishës që kthehet në shtëpi”. Çuditërisht këtë ide dha kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të PS-së, Gramoz Ruçi, nga më të sprovuarit në këtë parti, i cili nuk e mirëpriti idenë e bashkëpunimit paszgjedhor mes PS dhe LSI, nëse kjo e fundit nuk kërkonte falje! Ndoshta krijuesi i teorisë së pikës së ujit (LSI) në oqean (PS) në 2005, duhet të ishte pak më shpresëdhënës për mijërat e të majtëve në të gjithë vendin.
Kalin e betejës së Metës, punësimin, u përpoq ta përdorë pak më vonë edhe Rama, pasi realisht shumica e shqiptarëve shohin si më alarmante papunësinë dhe frikën e së nesërmes. Pas kësaj Rama nisi të përdorë bujqësinë. Pas bujqësisë iu rikthye sërish vetëm temave dhe tezave futuriste, pa kristalizuar asgjë, asgjë nga libri i madh prej 1 mijë faqesh. Supermbështetjen mediatike, Rama nuk po e shfrytëzon aspak për të krijuar kalin fitues të betejës. Vërtet mund të ngrihej mbi gjëmën më të madhe shqiptare të këtyre viteve të fundit, por tragjedia e Gërdecit ishte një kalë i përsosur beteje, i cili sot mund t’i siguronte fitoren në tavolinë Ramës dhe zgjedhjet të kryheshin vetëm formalisht. Por i vetmi nga socialistët, i cili hapur dhe pa dorashka, pa menduar se çfarë do të thotë kryetari për fjalët e tij, foli shkoqur dhe qartë duke bllokuar retorikën e PS-së, ishte Ben Blushi në përballjen e fundit me Lulzim Bashën. Ndoshta Blushi ishte i karikuar edhe nga ndonjë debat i kaluar, por e vërteta qëndron se vetëm në këtë përballje kali “Gërdec” ka dalë fitimtar mbi demokratët.
Por Rama nuk e përdori duke shokuar jo pak nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, por edhe shumë të majtë, madje duke hutuar edhe të djathtët. Eshtë e vështirë të besosh se nëse nuk tronditi aspak Berishën me Gërdecin dhe me gjithë faktet dhe të dhënat e tij, ai mund ta bënte me rrugën Durrës-Kukës, apo qoftë edhe me “Fazlliçin”, sepse Berisha prej vitesh është kthyer në mjeshtër të akuzave për korrupsion dhe të mbrojtjes nga këto akuza.
Kështu vetëm pak javë para zgjedhjeve, Edi Rama paraqitet para zgjedhësve, në betejën vendimtare, në këmbë. Dhe përballë rivalëve, kryetari i PS-së shpreson te hipnoza e fjalëve përballë votuesve. Një paqartësi e madhe përballë rivalëve me propozime dhe premtime reale. Paqartësi, e cila mund të kthehet në kaos 45 ditë para zgjedhjeve. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›