E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllai i deputetit: Fatmiri nuk kishte konflikt pronësie

 

ROSKOVEC/ MAJLINDA RAMA

"Drejtësia të gjejë vrasësit e tim vëllai". Ilir Xhindi, vëllai i vogël i deputetit të ekzekutuar mbrëmjen e së shtunës, thotë se dhe për familjen e tij është mister motivi i krimit. Ndërsa mohon konfliktet e pronësisë apo pistat e tjera të hetuesve, duke shtuar se Fatmiri gjithmonë kishte pasur marrëdhënie miqësore me njerëzit.
Edhe pse të dëshpëruar gjer në palcë, familjarët më të afërt të Fatmir Xhindit kanë arritur të njihen edhe me informacionet më të fundit mbi hetimet, ndërsa kanë gjetur pak kohë të lexojnë edhe shtypin e ditës së djeshme. Kjo gjë na u komunikua gjatë vizitës që bëmë në familjen Xhindi në Roskovec. Vëllai i vogël i deputetit të vrarë mbrëmjen e së shtunës, Iliri, kërkoi që nëpërmjet gazetës "Panorama" t'u japë fund, sipas tij dezinformimeve publike. Ai ka deklaruar se nuk është koha që të abuzohet me informacionet që jepen. "Nuk mund të pranojmë që të flitet për gjëra që nuk janë në të vërtetë. Askush nga familjarët nuk ka pranuar të japë intervistë, pasi nuk mund të krijojmë një ide rreth asaj që ndodhi", shprehet Ilir Xhindi. Ndërsa priste njerëzit për ngushëllim ai thotë se ka kërkuar që të përgënjeshtrojë gjithë ato versione të dhëna deri tani. Vëllai i deputetit thotë se gjithashtu hedh poshtë mundësinë e konfliktit të pronësisë. Sipas tij, jo vetëm Fatmiri, por gjithë sa janë si familje nuk kanë pasur asnjë konflikt me askënd dhe se të gjitha marrëdhëniet e krijuara mes tij dhe të tjerëve kanë qenë plotësisht miqësore. "Ne kërkojmë që të vërë dorë drejtësia. Ajo duhet të zbardhë këtë çështje sa më parë", ishte kryefjala e Ilirit, në emër të familjes së tij. Ai jeton ngjitur me shtëpinë dykatëshe të së vëllait dhe ka qenë personi që e transportoi me makinë drejt spitalit, me shpresë se Fatmiri ende jetonte.
Vrasja e Fatmirit ju ka lënduar thellë. E dimë që është një situatë e rëndë kjo që po kaloni, por a mund të jepni dyshimet e juaja për krimin e ndodhur?
Nuk mund të flasim për dyshime, sepse nuk dimë asgjë. Nuk e shpjegojmë dot këtë që ndodhi. Kjo na ka lënduar së tepërmi, pasi na erdhi kaq papritur vrasja e Fatmirit.
Tashmë kanë nisur të shpalosen disa pista mbi shkaqet e vrasjes, sipas hetuesve. Ju cilës i besoni?
Meqenëse më jepet rasti unë dua që pikësëpari t'u jepet fund abuzimeve me informacionet. Kemi lexuar sot shtypin dhe kemi  parë shumë gjëra që nuk mund të ekzistojnë. Unë do t'u kërkoja të gjithëve më tepër përgjegjësi në ato që shkruhen, pasi nuk kemi borxh tek askush. 
Çfarë keni lexuar dhe çfarë ju ka bërë përshtypje më tepër në lidhje me këto pista të ngritura. Për shembull, përsa i përket konfliktit të pronësisë?
Po. Dua që nëpërmjet jush të komunikoj që nuk ka pasur asgjë të tillë. Fatmiri nuk ka pasur probleme pronësie, nuk ka pasur konflikt me askënd dhe ca më pak për pronësi. Ashtu si dhe asnjëri prej nesh. Këto janë të pavërteta. Im vëlla ka pasur marrëdhënie miqësore me të gjithë njerëzit.
Në këto kushte, kur vrasja e Fatmirit është ende e pazbardhur, çfarë kërkoni?
Ne ia lëmë në dorë drejtësisë. Ajo është e vetmja që duhet të veprojë dhe të zbardhë ngjarjen. Kërkojmë që drejtësia të veprojë sa më parë për të gjetur vrasësin e vëllait tonë.

Vrasja, kontrolle të rrepta në kufi

Kontrollet në pikat kufitare të vendit janë intensifikuar këto ditë, me qëllim për të mos lejuar në rast tentative arratinë e autorit të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Në Kapshticë, Kakavijë, Kukës, Durrës, Vlorë etj., janë kryer kontrolle të rrepta të së gjithë personave në dalje të kufirit. Drejtoria e policisë së Korçës bëri të ditur se janë marrë masa për të zbuluar e kapur autorin e vrasjes së deputetit, nëse ai tenton që të kalojë nga kufiri tokësor në pesë pikat doganore të këtij qarku. Edhe pse nuk bëhet e ditur nëse kanë të përcaktuar identitetin e tij, gatishmëria është e lartë. Më të kontrolluara mbeten dy pikat kryesore të Kapshticës dhe Qafë Thanës, por edhe doganat e Tushemishtit, Goricës së Vogël dhe Tri Urat në Leskovik. Gatishmëria paraqitet e lartë edhe në Kakavijë, ku në sajë të masave të marra është shtuar kontrolli i pasagjerëve. Ndërkohë, policia e Kukësit konfirmon gjithashtu, marrjen e masave pas kësaj ngjarjeje të rëndë. Në 5 pikat e kalimit të kufirit dhe sidomos në atë të Morinit, që është më e madhja në kufirin me Kosovën po bëhen kontrolle të detajuara të dokumenteve të personave që hyjnë në Kosovë.

Familja hap dyert, ngushëllimet në shtëpinë e deputetit Xhindi

ROSKOVEC - Një ditë pas përcjelljes për në banesën e fundit të deputetit Fatmir Xhindi, familja e tij në qytetin e Roskovecit hap dyert për të pritur ngushëlluesit. Ndërsa një ditë më parë, dy shtëpitë e vëllezërve u çelën për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve në ceremoninë e ndarjes me të, dje familjarët kishin vendosur që pritjet të kryheshin në shtëpinë e deputetit të ndjerë. Ajo është dykatëshe, por kati i parë vazhdon të jetë i papërfunduar dhe familja e Fatmirit banonte në katin e dytë. Pikërisht këtu, në dy dhoma janë ndarë burrat dhe gratë, që sipas zakonit presin e përcjellin qindra vetë. Dera e shtëpisë së deputetit ka qenë e hapur përgjatë gjithë ditës për të respektuar të ardhurit. Në njërën dhomë qëndronte e heshtur dhe totalisht e "paralizuar" bashkëshortja e deputetit, Xhemilja, e cila tek-tuk kujton çastet e dhimbshme, që po përjeton dhe befas pushtohet nga lotët që i mblidhen në mjekër. Dhe pse kanë kaluar dy ditë nga ngjarja e rëndë, askush nga familjarët nuk arrin të besojë se njeriu i tyre ka ikur e nuk kthehet më. Janë me dhjetëra të afërm që i qëndrojnë pranë Xhemiles e nënës së deputetit dhe shumë të tjerë që vendosen në dhomën e burrave, aty ku presin ngushëllimet djemtë e deputetit dhe vëllezërit e tij. Gjatë ditës së djeshme mësohet se familjen Xhindi e kanë ngushëlluar miq e të afërm, fqinj si dhe politikanët lokalë, të Fierit, Roskovecit dhe zonave përreth. Ndërsa nuk kanë qenë të pranishëm politikanët e Tiranës, të cilët morën pjesë thuajse masivisht në dhimbjen e familjes, menjëherë pas krimit të së shtunës dhe të dielën, kur 49-vjeçari Fatmir Xhindi u përcoll për në banesën e fundit, në vendlindjen e tij, në fshatin Kurjan.

Deputeti me 9 plumba në trup

Trazhgim Sokolaj

Akti i autopsisë zbulon fakte të reja në lidhje me vrasjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi. Ekzekutori ka kryer disa veprime në vendin e ngjarjes, të cilat sipas hetuesve tregojnë egërsinë e veprimit, pasi duket se viktima është qëlluar disa herë edhe pasi ishte rrëzuar përtokë nga plumbat e breshërisë së parë. Mjekët ligjorë që kanë kryer ekzaminimin e kufomës së 49-vjeçarit në spitalin e Fierit, theksojnë në raportin e tyre se deputeti është qëlluar të paktën katër herë, nga një distancë e largët prej disa metrash. Katër predhat e këtyre të shtënave si dhe pozicioni i gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, tregojnë se autori i krimit ka goditur kur ndodhej disa metra larg deputetit. Më pas Fatmir Xhindi është qëlluar edhe pesë herë të tjera në pjesë të ndryshme të trupit. Kjo besohet se ka ndodhur pasi deputeti ishte rrëzuar nga plumbat e parë, ndërsa hetuesit thonë se me breshërinë e dytë, ekzekutori është kujdesur të konfirmojë eliminimin fizik të personit me imunitet. Vrasësi, i cili hipotezohet se ka pritur diku pranë banesës së deputetit, pasi ka shkrehur breshërinë e parë dhe ka parë shembjen e viktimës përdhe, është afruar duke qëlluar disa herë të tjera në distancë të afërt. Plumbat kanë qenë të shpërndarë në pjesë të ndryshme të organizmit, ndërsa sipas aktit të autopsisë, për shkak të llojit të armës efekti i predhave ka qenë vdekjeprurës, pasi është vënë re dëmtim i rëndë (thërrmim) edhe në sistemin kockor të viktimës.
Dy breshëri në errësirë
Të dhënat që përmban autopsia përputhen edhe me procesverbalet e mbajtura nga hetuesit në vendin e ngjarjes, ku theksohet se ka pasur dy grupime gëzhojash. I pari ka qenë në distancë, në pozicionin ku autori ka shkrehur breshërinë fillestare të plumbave, ndërsa grupi i dytë i gëzhojave ka qenë në distancë 2-3 metra larg vendit ku është gjetur kufoma e deputetit. Arma automatike e përdorur tip "Kallashnikov" model 56, në momentin e qitjes i hedh gëzhojat në krahun e djathtë të saj përmes mekanizmit të shkrepjes. Duke u bazuar në këta faktorë, hetuesit kanë krijuar një skemë që rreket të shpjegojë dy pozicionet nga të cilat autori i krimit ka qëlluar mbi deputetin socialist, kur ai kishte hyrë në oborrin e banesës së tij në Roskovec të Fierit. Raporti i autopsisë së mjekëve është administruar në dosjen penale të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në cilësinë e provës materiale. Hetimet mbi mekanizmin e ngjarjes konfirmojnë se gjithsej ka pasur 15 qitje, ndërsa 9 plumba kanë goditur deputetin. Gjashtë predha nuk kanë qëlluar në shenjë, ndërsa kanë goditur makinën dhe objektet përreth. Nga gjurmët e lëna prej predhave të armës, hetuesit thonë se ato janë shpërndarë në rreze të gjerë në vendin e krimit, çka tregon se ekzekutori nuk ka arritur të kontrollojë mirë "Kallashnikovin" gjatë breshërive të derdhura mbrëmjen e të shtunës mbi deputetin Fatmir Xhindi. Arma e përdorur në krim, sipas policisë, krijon tronditje dhe vështirësi në fiksimin e saj gjatë procesit të qitjes, pasi çdo shkrepje pasohet me krijimin e forcës shtytëse.
Zbehen gjurmët
Zbehet entuziazmi i policisë në lidhje me disa shenja të fiksuara në një qese plastike dhe një pako aspirina, të cilat u gjetën në vendin ku u vra deputeti. Burime zyrtare nga hetimi konfirmuan dje se ekzaminimi i shenjave në këto prova që u fiksuan në vendin e ngjarjes, nuk ka dhënë rezultat. "Në pakon e aspirinave që u gjet në vendngjarje dhe që dyshohet se ishte përdorur nga autori nuk janë gjetur gjurmë", thanë burimet nga Laboratori Qendror i Kriminalistikës në Tiranë. Në këtë institucion gjithsesi ndodhen edhe disa mostra sendesh të tjera të gjetura në vendin e ngjarjes, të cilat po analizohen për t'iu nënshtruar më pas vlerësimit nga hetuesit.

Përparon hetimi, Nishani  në Fier takim me policinë
TIRANE - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka zhvilluar dje një vizitë në Drejtorinë e Policisë së Fierit, ku ka pasur një takim me zyrtarët dhe ekspertët e policisë që janë angazhuar në hetimet për vrasjen e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave ministri ka marrë një raportim mbi ecurinë e hetimeve për atentatin e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në hyrje të oborrit të banesës së 49-vjeçarit Fatmir Xhindi. "Ministri Nishani ka zhvilluar një takim analitik pune me drejtuesit e policisë, prokurorisë dhe grupin që po heton këtë ngjarje në qytetin e Fierit", u shprehën burimet zyrtare, të cilat refuzuan të komentojnë më tej në lidhje me takimin e mbajtur në policinë e Fierit. Takimi mësohet se është mbajtur në konfidencialitet dhe vetëm me punonjësit e policisë që janë angazhuar në hetimin e çështjes. Edhe burimet e policisë dhe Ministrisë së Brendshme konfirmuan se hetimi i vrasjes dje ka pasur përparime të dukshme, megjithatë burimet nuk japin komente të mëtejshme, duke mbajtur sekret çdo të dhënë për shkak të sekretit hetimor të çështjes.       tr.so

Shpërblimi për informatorin, fluks telefonatash nga banorë të Kurjanit
TIRANE - Shpërblimi 250 mijë euro për informatorin që do të ndihmojë në zbulimin e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi është pasuar me një fluks telefonatash, të cilat sipas burimeve kofidenciale nga policia, janë kryer kryesisht nga banorë të fshatit Kurjan të Fieri, aty ky deputeti kishte disa prona dhe aktivitet tregtar. Gjatë 24 orëve të fundit, pas konfirmimit të policisë se do të shpërblehet me një shumë të majme parash personi që do të jepte të dhëna të sakta rreth vrasjes të së shtunës në Roskovec, dhjetëra persona telefonuan në polici, duke dhënë pretendimet e tyre rreth ngjarjes së rëndë. Mësohet se disa banorë të fshatit Kurjan kanë dëshmuar rreth një konflikti pronësie që deputeti i ndjerë kishte pasur vitet e fundit lidhur me një sipërfaqe toke. Sipas policisë, detajet e dhëna nga këta persona janë marrë në konsideratë dhe pritet që telefonuesit të merren në pyetje, duke u ruajtur anonimati. Të dhënat e ofruara prej tyre do të verifikohen në lidhje me vërtetësinë, duke qenë se konflikti i pronësisë është edhe një nga pistat mbi të cilën po heton grupi hetimor i ngritur për vrasjen. Ndërkohë në numrat e policisë 0694103251 dhe 0694107507 ka pasur edhe informacione të tjera nga persona që kanë dhënë detaje të ndryshme, të cilat nuk mund të publikohen nga policia, për shkak të sekretit hetimor të ngjarjes. Burime nga policia thanë se të gjitha të dhënat e telefonuesve janë marrë në konsideratë dhe janë verifikuar, por deri më tani asnjëra prej tyre nuk ka çuar hetuesit në motivin e saktë apo tek autorët që ekzekutuan deputetin Xhindi mbrëmjen e së shtunës, në oborrin e banesës së tij në Roskovec. Ndërkohë të njëjtat burime thanë se ende nuk është dhënë shpërblimi prej 250 mijë eurosh, pasi telefonuesit nuk kanë çuar policinë në zbardhjen e ngjarjes, apo identifikimin e autorëve dhe kjo shumë mbetet ende e paezauruar, deri në momentin e kapjes së autorëve. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›