Mjeku i Enverit:Në vitin 1980 shëndeti i tij iu besua Mehmet Shehut
TIRANE
“Sa ishte gjallë Hysni Kapua, ekipi mjekësor i Enverit varej prej tij. Kur ndërroi jetë ai, gjithçka iu besua Mehmet Shehut. Në kontaktin e parë e njohëm kryeministrin me kartelën mjekësore. Ai u trondit shumë dhe aty për aty na tha t’ia çonim dhe Ramiz Alisë”.Në vazhdim të rrëfimit për stafin mjekësor që shërbeu pranë Enverit, profesor Sabit Brokaj zbulon për herë të parë mënyrën si e ndiqte udhëheqja e lartë shëndetin e tij. Përveç Nexhmije Hoxhës që kishte njohje në çdo kohë mbi patologjinë e sëmundjes së Enverit, ish-mjeku i klinikës speciale shprehet se në vazhdimësi njëri prej liderëve kryesorë ishte ngarkuar me mbulimin e shërbimit mjekësor të diktatorit. Profesor Brokaj duke kujtuar situatën kritike pas vdekjes së Hysni Kapos në shtator ‘79, kur shëndeti i Enverit filloi të rëndohej, thotë se janë lehtësuar kur kanë mësuar emrin e personit të ngarkuar nga udhëheqja për t’u marrë me mbarëvajtjen e shëndetit të tij. “Mehmet Shehu u trondit shumë, shton mjeku i klinikës speciale, kur u njoh me kartelën mjekësore shumë serioze dhe paralajmëruese”. Ndërkaq nga ai kontakt me kryeministrin ka të fiksuar gatishmërinë e tij për të bërë të pamundurën për shëndetin e Enverit dhe porosinë e çuditshme për të njohur me hollësitë e kartelës Ramiz Alinë, njeriun që kishte zëvendësuar Enverin në detyrën e Sekretarit të Parë të KQ. Më tej profesor Brokaj sjell dëshmi autentike për psikologjinë e veçantë të Enverit si i sëmurë kronik, për dietën dhe disiplinën rigoroze në zbatimin e këshillave të mjekëve, për raportet e familjarëve me bluzat e bardha dhe për mënyrën si i përballonte vuajtjet e diagnozave të rënda. Interesimit të opinionit për ruajtjen e ndërgjegjes, Brokaj i përgjigjet prerë dhe pa ekuivok: Enveri deri në rrahjet e fundit të zemrës ishte i kthjellët mendërisht...
Si e përjetonte Enveri psikologjinë e pacientit dhe a kishte vullnet për përballimin e sëmundjeve?
Ai ka qenë shumë optimist dhe i rregullt ndaj këshillave e mjekimit. E deshi trajtimi i diabetit p.sh., dhe ai e la cigaren, ndërkohë që ishte shumë i disiplinuar ndaj regjimit që diktonte sëmundja. Ai ka qenë jashtëzakonisht i guximshëm lidhur më patologjinë. Nga karriera ime e gjatë si mjek ky dhe Hysni Kapo kanë pasur një guxim të veçantë. Ka qenë rasti kur bëri insultin cerebral, sapo u rehabilitua një çikë donte me domosdo të dilte. Ka pasur një rast, njerëzit mund ta kenë parasysh një pozë të tij te varrezat e dëshmorëve, në mos gaboj është festa e 29 nëntorit të ‘84, kur ai ka qenë shumë i sëmurë. Ne kishim katër-pesë ditë mezi e nxorëm nga një edemë pulmonare e rëndë nga lodhja ekstreme e zemrës dhe ai ngulmoi ta thyente vendimin e konsultës tonë për të mos lëvizur. Po ai ishte para presionit për të dalë në publik, pasi shtypi në atë kohë sidomos ai i Beogradit shkruante, që jo vdiq, jo vuan rëndë, jo e vranë, siç bënin ata diversionet e tyre dhe siç duket, qoftë edhe politikisht duhej të delte. Po ai nuk pyeti fare, por tha hajde më shoqëroni dhe doli. Të them të drejtën në gjendje të tillë ne të sëmurët i shtrojmë në spital. Ka qenë një rast tjetër. Është dhënë një skenë në Kuvendin Popullor, ku qëndronte larg nga kamera, si duket operatorin e kishin instruktuar. Ai kishte shkuar në kuvend duke thyer çdo këshillë të mjekëve, pasi ishte në një situatë të rëndë shëndetësore. Kishte probleme me mushkërinë dhe frymëmarrjen e kishte shumë keq. Këto lloj gjendjesh paraqesin rrezikun e infarktit ose mbyllin edhe jetën. Enveri merrte me vete tinitrinë bile na kërkonte si ta përdorte duke qenë vetëm pa mjekun në presidium. Dhe ne e shikonim me marifet sa herë nxirrte shaminë. Dhe gjykonim kur vinte tinitrinën nëse pinte dy apo tre të tilla. Këto janë disa lloj patologjish, që japin shumë ankth te cilido. Po ai kishte guxim dhe një përmbajtje të jashtëzakonshme, do të thosha unë. Ne habiteshim me këtë kurajo të tij. E vërteta është që Enveri kishte kulturë mjekësore deh lexonte shumë. Nuk është se me ne komunikonte gjatë dhe nuk është siç thotë ndonjëri se ai rrinte gjatë me ne. Nuk është e vërtetë fare. Dikur po, bënte ndonjë shaka me profesor Hoxhën, doktor Yllin. Më pas kur bënim atë vizitën e mbrëmjes kur ai shkonte për të fjetur aty nga ora 22:00-23:00, ai nuk kishte qejf të zhvishej para mjekut me përjashtim kur bënim ndonjë matje tensioni. Ai e shpërfillte dhe kishte dëshirë ta shpërfillte siç thashë psikologjinë e të sëmurit. Komunikimi me të ishte i natyrshëm.
A ka pasur raste që Enveri kishte lajthitje gjatë komunikimit?
Gjatë komunikimit me ne asnjëherë. Më kanë bërë dhe mua përshtypje ato sekuenca filmike që janë dhënë vitet e fundit. Ne e ndiqnim kudo aktivitetin e tij, bile te dhoma ku bënte mbledhje i qëndronim ngjitur, fare pranë, të gatshëm për çdo të papritur. Në sallën e plenumit kishim dhomën tonë. Në raport me ne sjellja e tij ka qenë gjithnjë e ndërgjegjshme. Atë deri në çastet e fundit e pamë të kthjelltë mëndërisht. I gjithë komunikimi ynë me të ka qenë korrekt. Ai na thoshte ankesat e tij, madje shumë të kursyera dhe ne bënim ekzaminimin tonë. Në përgjithësi nuk kishim shumë nevojë për shpjegimet e tij, pasi situata ishte transparente dhe shumë e qartë. Ishte një i sëmurë që ndiqej imtësisht me aparaturën më të mirë, që kishte mjekësia e kohës. Ne punonim në ekip dhe vendimet merreshin në grup. Përveç momenteve të urgjencës. Në ato minuta deri sa të vinte ekipi duhej të punoje vetëm. Pastaj shumë shpejt vinte gjithë stafi që ndihmonte mua ose Ahmetin apo kushdo që të ishte. Kuptohet, po të kishte ndonjë lajthitje apo ndonjë të papritur në komunikimin e tij, ne do raportonim patjetër. Madje detajet dokumentoheshin rigorozisht deri në një. Qeshi apo u mërzit. Ishin brenda kuriozitetit mjekësor dhe njerëzor. Po ishte dhe në specifikën dhe përgjegjësinë e detyrës delikate. Duhet të përjetojmë psikologjinë e kohës. Enveri kishte një bibliotekë nga më të mirat, që unë kam parë. Kishim lexuar në atë kohë për të sëmurët që drejtojnë botën dhe unë duke qenë anëtar i periodikut shkencor të bibliotekës kombëtare merrja fashikullin “Mjekësia dhe higjiena”, nga Zvicra, e cila studionte patologjinë e sëmundjeve të shumë udhëheqësve të ndryshëm. Që nga Ruzvelti, Mao Ce Duni, Stalini, Lenini. Në atë kohë i gjithë sfati që punonte te Enveri e studionte me prioritet këtë literaturë. E vërteta është se prej saj mësonim shumë gjëra. Në Amerikë para se të shkonte Hrushovi u krijua një ekip me 20 mjekë, psikiatër, patologë e specilaistë të tjerë. U ulën për të studiuar së jashtmi shëndetin e tij dhe përgatitën raporet përkatëse. Këto raporte ju deshën presidentit amerikan i cili gjatë takimit me Hrushovin luajti me të. Ka qënë shumë interesant raporti i këtyre mjekëve. Bile kishin dhënë një detaj, që ishte zbuluar fillimisht gjatë një kontakti me mjekun e Stalinit. Gjatë një kongresi mjeku i Stalinit ishte ulur pranë me mjekun e Ajzenhaurit. Ajzenhauri deri atëherë kishte kaluar disa infarkte. Në teatrin Balshoi ku zhvillohej kongresi të dy këta mjek me emër ishin futur më shpejt nga pjesmarrësit e tjerë. Kur u fut në sallë Hrushovi, të gjithë u ngritën në këmbë. Mjeku i Ajzenhaurit ju afrua te veshi kolegut sovjetik dhe e pyeti nëse me Hrushovini kishin probleme si me Stalinin, i cili siç dihej ishte hipertonik dhe bëri hemorragji cerebrale. Jo, jo, ju përgjigj mjeku i Kremlinit, po ky ka problemet e sjelljes. Ishte ky detaj që mjeku i Ajzenhaurit e çoi kur u iku nga Moska dhe ata e kishin shkruar.
Lidhur me dietën që duhej të mbante Enveri si një i sëmurë kompleks, çfarë rekomandohej atëherë?
E vërteta është që ai në dietë është vënë që në fillim, por mund të thuhet që nuk e ka respektuar përherë. Flas gjithnjë nga kartelat që unë kam lexuar, arkivat dhe natyrisht nga bisedat me profesor Hoxhën, Isufin, që e kishin pasur në kontakt të vazhdueshëm dhe e kishin vizituar vazhdimisht. Më pas ai u disiplinua shumë. Dhjetëvjeçari i fundit ka qenë absolutisht korrekt lidhur me mbajtjen e dietës. Ka qenë fillimisht shumë i vështirë për t’u disiplinuar si pacient. Po ai bënte jetë shumë aktive delte, lexonte, lëvizte. Veçanërisht pasi bëri infarktin, e pa që shkelja e dietës kishte pasoja dhe u disiplinua në të gjitha pikëpamjet. Megjithëatë, kur duhej të shkonte në ndonjë aktivitet ai e shpërfillte këshillën e mjekut dhe ishte e pamundur të vendosje tjetër gjë. Ai kishe kulturë mjekësore të lartë, megjithatë ishte shumë kurajoz.
Kur Enveri vinte nga Pogradeci dukej shumë i gjallëruar e i freskët. Kishte të bënte klima në këtë mes?
Kjo është shumë e vërtetë. Ne në muajt mars-prill shkonim në Vlorë. Ishte një periudhë shumë e bukur, pasi ishte ai lulëzimi i portokajve. Ishte gjithë ajo zona e bukur e Ujit të Ftohtë. Ndërkaq, muajt korrik-gusht Enveri i kalonte në Pogradec. Pushimi e ringjallte, por në një farë mënyre e ndihmonte për të risistemuar punën shumë të ngjeshur. Mund të ketë qenë viti ‘83 kur ai ishte jo mirë me shëndet. Menduam të shkëputej më shpejt nga Tirana për të shkuar në Vlorë. Duhej ta çlironim nga tesioni i punës që i rëndonte shëndetin. Ne kishim konstatuar që emocionet politike i jepnin më shumë rëndesë gjendjes së tij. Enveri e vuante shumë shpirtërisht situatën politike. Ishte fillimi i vitit, me sa më kujtohet ka qënë muaji shkurt kur ne i kërkuam ta shkëpusim nga Tirana. Ai na tha mos të ngutemi. I thamë se duhej të shkonte për të pushuar e për t’u çlodhur. “Po mirë,- na tha ai, -ta marr kokën me vete apo ta lë këtu?”. Se unë do iki tha por do t’i marr problemet në kokën time. Lëreni na tha ta mbyll apo ta qartësoj situatën dhe pastaj shkojmë në Vlorë. Është e vërtetë që ato pushime riaftësonin dhe veç klimës këtu ka të bëjë edhe një farë shkëputje nga angazhimet e ngjeshura të punës. Në krahasim me periudhën e Tiranës, ku ai vazhdimisht ishte nën tensionin e punëve të shumta, kur shkonte në Vlorë apo Pogradec ai pushonte duke i krijuar hapësira vetes. Rikthimi në zyrë pasdite apo puna në studio kur nuk shkonte në zyrë padyshim që kishin një ngarkesë jo të vogël. Prandaj pushimi e ringjallte. Sidoqoftë, pushimet mbaronin shpejt dhe ai sërish i nënështrohej ngarkesës së madhe...
Diçka për marrëdhëniet me familjarët në periudhën e fundit...
E vërteta është që Nexhmija mund të them me plotë gojën ishte pjesë e ekipit mjekësor. Në rrinim shumë afër, rreth 20 metra larg nga vila ku rrinte Enveri. Para katër vitesh se Enveri të ndërronte jetë, duke parë përkeqësimin e shëndetit, kërkuam që që ekipi të zhvendosej brenda në vilë. Konfirmuam gjendjen që po bëhej kritike nga çasti në çast. Ia bëmë këtë shpjegim Nexhmijes, e cila ishte më e informuara nga ekipi i mjekëve dhe e pranishme në çdo ekzaminim. Të tjerët informoheshin jo plotësisht. Kuptohet që ata situatën e dinin sidomos pas vitit ‘82 dhe ‘83 kur gjendja u rëndua. Veçanërisht kur ra në koma dhe situata u bë shumë delikate. Dramatike do të thosha unë. Tanimë pothuajse gjithë familja e dinte, natyrisht ne nuk bënim shpjegime për secilin nga familjarët, ne ruanim si të thuash një rregull. Isufi ka qenë që komunikonte më shumë me familjarët, pasi ishte dhe mjeku i familjes. Ne të tjerët ishim të lidhur vetëm me pacientin. Nexhmija e dinte mirë. Nga udhëheqja e ka ditur Hysni Kapua deri sa vdiq. Pati një pauzë pas vdekjes së Hysni Kapos, që ne nuk dinim kujt t’i komunikonim situatën e shëndetit se dihej, që ai që duhej t’i komunikohej duhej të zgjidhej nga ajo familje.
Pas vdekjes së Hysni Kapos kush merrej drejtpërdrejt nga udhëheqja me shëndetin e Enverit?
Kartelën e Enverit deri sa ishte gjallë Hysni Kapua si dhe përbërjen e mjekëve të tij e dinte vetëm ai. Pothuajse të gjithë ne që ishim në ekipin mjekësor të Enverit më parë kishim qenë mjekë tek Hysniu. Në këtë aspekt ne njiheshim më parë nga afër me Hysniun. Kishim si me thënë një njohje reciproke me të. Kuptohet, komunikimi me të natyrisht nuk bëhej nga cilido, por zyrtarisht. Pra, ai dinte ekipin, dinte organizimin, dinte nevojat e përditshme. Personi tjetër që i kishte këto lidhje ishte Nexhmija, padyshim. Pasi vdiq Hysniu në shtatorin e ‘79 deri nga mesi i tetorit unë kam mbaj mënd që kërkonim për të marrë vesh emrin e personit nga udhëheqja që do ndiqte situatën e cila rëndohej dita ditës. Veç sigurisë për ecurinë e punës delikate, këtë ne e kërkonim edhe për aspektin tjetër,që kishte të bënte me kërkesat për personel, aparaturë, medikamente etj. Na duhej dikush pra, që ta drejtonte këtë punë. Ishte fjala për një komunikim me karakter shumë zyrtar dhe shumë strikt. Nga mesi i vitit ‘80 na u tha që kartelën e Enverit t’ia bënim të njohur Mehmet Shehut. Dhe ia paraqitëm atij me të gjithë situatën e zemrës, veshkave, tensionin. Ndërkaq i kërkuam një fond për të zgjeruar ekipin me ekspertë e specialistë rezervë. Shkoi te Mehmeti profesor Petrit Gaçja, shkoi dhe ish-ministri i Shëndetësisë Llambi Ziçishti i cili ishte dhe kryetari i ekipit tonë. (Pas burgosjes së tij, kryetar i ekipit u bë Petrit Gaçja). Siç na thanë kolegët pasi u kthyen nga takimi me Mehmetin,ai ishte tronditur shumë nga gjendja e sëmundjes së Enverit. Si duket nuk e dinte gjendjen shëndetësore. Kuptohet e dinte që kishte kaluar një infarkt dhe gjërat ishin rregulluar. Mënyra si mbahej Enveri që ishte mjaft aktiv atij nuk i kishte lënë pështypjen se situata kishte qënë kaq kritike. Ajo kartelë ishte shumë serioze, një kartelë paralajmëruese. Pra, Mehmeti u trondit në kuptimin e trishtimit siç na shpjegonte doktor Ylli. Më vonë kërkoi detaje e hollësi dhe tha merrni çfarë të doni, pasi aty kishim edhe disa kërkesa. Mbaj mënd që te zyra e Mehemtit i dërgoi Nexhmija, pasi ajo u tha që Mehmeti do të jetë personi i udhëheqjes, që do merrej me shëndetin e Enverit. Kur mori raportin e zgjeruar për situatën e fundit, Mehmeti urdhëroi që me të të njihej edhe Ramiz Alia. U ndodhën në dilemën e jashtëzakonshme pasi ky raport duhej të dihej vetëm nga njëri prej udhëheqësave. I dyti ishte shkelje. Të paktën kështu ishte kodi. I thanë, shoku Mehmet ne kemi një rregull që për këtë punë duhet të raportojmë vetëm tek njëri. Mirë, mirë u tha ai. Po shkoni te Ramizi dhe ia paraqisni situatën si ma paraqitët edhe mua. Dhe këta shkuan dhe tek Ramizi. Tani secili mund të ngrejë hipoteza të shumta, por e vërteta kështu ka qenë. Pra, nga familja e dinte Nexhmija dhe nga jashtë Hysni Kapua sa ishte gjallë dhe pas tij Mehmet Shehu e Ramiz Alia. Në fund e mori vesh edhe Adil Çarçani, sepse në fund doli një fond, por në të ne bënim dhe një manovrim në kërkesat tona vinim dhe ndonjë që mungonte në spital. Enver Hoxha ishte si ishte, kur shikonte aparaturat e shumta na thoshte, që këto aparatura mos i lini këtu po çojani spitalit. Dhe kështu bënim. Aparatin e EKO-s që unë bëja për udhëheqësit e merrja nga spitali dhe si mbaroja punë e çoja prapë aty. Bashkë me kërkesat për Enverin, ne bënim edhe manovrën për të marrë pajisje e aparatura për spitalet publike.