Metamorfoza njeri-insekt në ekspozitë grafike
E çuditshme sesi mund të hiqen paralelet mes dy botëve të ndryshme, apo të gjesh pikëlidhjet, apo ngjashmëritë e proceseve. Përditshmëria rutinore që të mbështjell si në një rrjet merimange, mërzia që të pushton si brumbujt, katin përdhes të një shtëpie, jetëgjatësia e një ndjenje sa një ditë-jetë e një pilivese.. Brenda dy javëve studentët e vitit të dytë dhe të tretë të Akademisë së Arteve materializuan të gjitha ndjesitë, që kishin krijuar në lidhje me insektet në një work shop-ekspozitë dedikuar grafikës. Aktiviteti nisi në datën 20 prill nën drejtimin e artistit grafist Christian Thanhauser dhe pedagogëve shqiptarë Ardian Isufi e Ali Oseku, për të kulmuar në ekspozitën ku u paraqitën 60 punime të studentëve në teknikën e ekspo-grafikës, por edhe nga teknikat të tjera alternative të grafikës. Edhe pse në ekspozitë Thanhauser u paraqit me një seri punimesh me peizazhe rurale, për studentët ai kishte zgjedhur temën “Insektet”. Një mundësi për të gërmuar brenda tyre dhe për të zbuluar mënyrën e përqasjes së situatave, heqjen e paraleleve dhe gjetjen e metaforave artistike. Në ekspozitën e hapur mbrëmë në galerinë e fakultetit të Arteve Pamore, FAP studentët ofruan ide dhe përqasje nga më të larmishmet. Megjithatë, qëllimi kryesor i këtij aktiviteti 2-javor ishte njohja me përpunimin e teknikës së gdhendjes në dru (ksilografi) dhe në njohjen e teknikës së vjetër të shtypit të Gutenbergut. Kështu që edhe refleksionet artistike të studentëve u përshtatën kryesisht në teknikën e ksilografisë. Për herë të parë studentët patën mundësi të shtypin në letra grafikë origjinale Japoneze, Gjermane etj. “Synimi kryesor është që nga diskutimet dhe debatet që vijnë si pasojë e shkëmbimit të eksperiencave akademike të formësohen qëndrime dhe reagime artistike të studentëve, duke marrë pikënisjen nga elementë të botës së insekteve dhe të trajtuara në fenomene natyrore apo ekologjike, në histori shoqërore apo sociale, pra gjetja e metaforave që shenjëzohen nga teknika të vjetra dhe tradicionale por në tistin e qëndrimit bashkëkohor”, - thotë pedagogu Ardian Isufi. Përveç teknikës bardhë e zi, studentët kishin përdorur edhe ngjyrat, kanë ndërtuar edhe fabula, duke iu referuar botës së insekteve, por edhe njerëzve. Një prej studentëve ka përqasur insektet me makineri të ndryshme industriale, i ka bërë ekskavatorë, makina garash.. Një tjetër mundohet të japë një mesazh ekologjisë. Një hapësire urbane, plot smog, i ka mbivendosur ca flutura të brishta, krijesa që gjithnjë e më rrallë i ndesh tani nëpër qytete. Studentet ishin tërhequr më shumë nga imazhi i fluturës, krahët e së cilës ia kishin mbivendosur trupave femërorë, për të vënë në pah brishtësinë e tyre. Ky proces hulumtimi do të dokumentohet nga fotografi dhe shkrimtari austriak Frank Tichy dhe Andrea Grill përkthyese dhe shkrimtare, të cilët po përgatisin një reportazh dhe gjithashtu do të realizohet një dokumentar i shkurtër nga pedagogët e ateliesë së Grafikës Petraq Papa dhe Ilir Kaso. A.M