Josip Kuzhe, “kumarxhiu” favorit për pankinën kuqezi
Një tjetër trajner kroat është kandidat për të drejtuar përfaqësuesen shqiptare. Josip Kuzhe, ish-trajneri i Dianmos së Zagrebit, Mainc 05, Ruandës etj, pëlqehet shumë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. 56-vjeçarin ia ka sugjeruar presidentit të Federatës, ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Oto Bariç. “Kuzhe është një trajner shumë energjik dhe i përgatitur. Te skuadra shqiptare ai do të bënte një punë shumë të mirë”, deklaroi pak ditë më parë Bariçi. Josip Kuzhe ka lindur më 13 nëntor të vitit 1952 në Vranja. Gjatë gjithë karrierës së tij si lojtar është aktivizuar vetëm me skuadrën e Dinamos së Zagrebit dhe në vitet 1971-1981 ka qenë një ndër mbrojtësit më të spikatur të ekipit më të madh kroat. Ai ka një eksperiencë të madhe si trajner, pasi që nga viti 1982 deri në vitin 2008 ka qenë gjithnjë i impenjuar. Kuzhe njihet si një takticien shumë i mirë, por është i njohur gjithashtu edhe për probleme që ka pasur me jetën private. Kuzhe për pak sa nuk u dënua në fund të viteve 80-të për shkak se gjatë kohës që ishte futbollist pati probleme serioze me kumarin, por kjo nuk zgjati shumë dhe kroati arriti të bënte kthesën. Është shumë autoritar dhe shpesh për këtë ka pasur probleme në ekipet ku ka punuar.