Meta: “I ofrojmë opozitës dialog për çdo kërkesë kushtetuese”
Eljona Ballhysa
Zëvendëskryeministri Ilir Meta ka përsëritur dhe njëherë dje ftesën për dialog me opozitën për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Ministri i Punëve të Jashtme është shprehur se maxhoranca ka vullnetin e plotë për të dialoguar me opozitën për kërkesat e tyre kushtetuese. Ai theksoi se për të dialoguar duhen dy palë dhe është i nevojshëm dhe vullneti i shprehur i opozitës. Këtë deklaratë Meta e bëri gjatë një konference për shtyp, ku reagoi për deklaratat e zotit Dinosha, liderit të UDSH-së në Malin e Zi, i cili është shprehur se qeveria shqiptare nuk po bën mjaftueshëm për pakicat shqiptare në Malin e Zi. Meta ka theksuar se qeveria shqiptare është interesuar për të gjitha pakicat kombëtare shqiptare, kudo ku ata ndodhen në rajonin e Ballkanit. Ministri i Jashtëm bëri të ditur se diplomacia shqiptare synon vendosjen e marrëdhënieve të mira me të gjitha shtetet e Ballkanit, duke përfshirë këtu edhe Serbinë. Vizita e delegacionit serb në Shqipëri ka nxitur pakënaqësi në qarqe të caktuara, ndaj dhe Meta ka sqaruar se ndihma e qeverisë shqiptare për komunitetin serb në Kosovë është ndihmë edhe për Kosovën në tërësi.
Opozita
Zëvendëskryeministri është pyetur dje nga mediat se çfarë do t’i ofrojë qeveria apo maxhoranca opozitës në mënyrë që ajo t’i japë fund bojkotit dhe të futet në Kuvend vitin e ardhshëm. Meta është shprehur se maxhoranca është e hapur të dialogojë çdo kërkesë kushtetuese të Partisë Socialiste. “Vullnetin më të hapur e më të sinqertë për të mbështetur çdo kërkesë legjitime, çdo kërkesë demokratike, çdo kërkesë kushtetuese; që do të thotë se jemi të hapur për të ofruar mbështetjen tonë në funksion të forcimit të shtetit ligjor, që do t’i shërbejë përshpejtimit të integrimit europian të vendit dhe absolutisht një debati konstruktiv dhe favorizues për integrimin e vendit. Dialogu kërkon të paktën dy palë. Dhe në këtë drejtim, ju e dini që qeveria dhe maxhoranca janë të palëkundura për të ecur përpara në rrugën e dialogut. Natyrisht që mbetet në vullnetin e palës tjetër që edhe ajo vetë të kuptojë filozofinë e dialogut dhe unë shpresoj që ata do ta kuptojnë”, - është shprehur zëvendëskryeministri Meta. Qeveria vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim duke u shprehur kundër kërkesës kryesore të opozitës, që është transparenca e procesit zgjedhor dhe hapja e kutive të votimit të disa qendrave në të cilat dyshohet se ka pasur manipulim të rezultatit të zgjedhjeve. Përfaqësuesit e qeverisë e shikojnë këtë kërkesë antikushtetuese.
Rajoni
Në konferencën e djeshme për shtyp Meta është pyetur për deklaratën e liderit të UDSH-së në Malin e Zi, zoti Dinosha, i cili ka akuzuar qeverinë shqiptare për mungesë vëmendjeje për pakicat shqiptare në Malin e Zi. Ministri i Jashtëm hodhi poshtë këto akuza duke u shprehur se “shqiptarët e rajonit kanë pasur dhe do të kenë mbështetjen e Shqipërisë. Vëmendja jonë ka qenë edhe deri në skajet më të largëta ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, deri edhe në Plavë e Guci, dhe do të vazhdojë e tillë kudo ku jetojnë shqiptarët. Edhe në Ukrainë, ku ju e dini që ka në komunitet shqiptarësh, edhe ndaj tyre do të vazhdojmë të jemi të vëmendshëm”, - është shprehur Meta. Ai ka shprehur keqardhjen për faktin se nuk kuptohet nga qarqe të caktuara diplomacia shqiptare në mbështetje të komunitetit serb në Kosovë si kusht për integrimin në familjen europiane. “Por më vjen keq se nuk po arrihet të kuptohet nga elemente të caktuara, në Shqipëri në radhë të parë, por edhe kudo tjetër, akti shumë kuptimplotë i qeverisë shqiptare në mbështetje të komunitetit serb që punon për t’u integruar në Kosovë dhe në institucionet e saj. Është shumë e rëndësishme për realizimin e një Kosove europiane, sa më shpejt që të jetë e mundur. Mbështetja që Shqipëria dhe qeveria e saj kanë dhënë për këtë komunitet dhe për komunën e Graçanicës, është në mbështetje të forcimit të institucioneve të Kosovës, është mbështetje për realizimin e atyre standardeve që afrojnë Kosovën me Bashkimin Europian, dhe kjo është në interes të të gjithë Kosovës.
Është interesi i të gjithë popujve të Ballkanit dhe, pa dyshim, i të gjithë shqiptarëve, që kudo që janë, të mbështesin dhe të jenë protagonistë të proceseve integruese, atje ku janë vetë pakicë dhe atje ku kanë pakica të tjera. Ne nuk mund të synojmë standarde të dyfishta, pra të kërkojmë diçka tjetër për pakicat shqiptare dhe të mos tregojmë vullnetin për të mbështetur pakicat e tjera, qoftë edhe brenda në Shqipëri”, - është shprehur Meta.
Xhaçka: “Dialog po, por jo mbi kutitë e mbyllura”
Pas deklaratës së Metës për dialog me opozitën, ka reaguar dje deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka. Gjatë fjalës së saj Xhaçka theksoi se PS-ja nuk mund të pranojë të futet në dialog ku pezull qëndron kushti i moshapjes së kutive të votimit, çka përbën kërkesën kryesore të opozitës për t’i dhënë fund bojkotit të Kuvendit.
“Ilir Meta si fillim duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve dhe t’u japë llogari pse e ngeli Shqipërinë në klasë, pse dështoi me liberalizimin e vizave dhe e izoloi edhe më shumë vendin tonë duke e lënë Shqipërinë të fundit në Europë. Iliri Meta ta harrojë se mund të lajë gojën me fjalën dialog, madje do të ishte më mirë të mos fliste fare, sesa hap gojën u kujton njerëzve çka thënë kundër dialogut me Sali Gërdecin. Ne nuk mund të pranojmë kushte të ashtuquajtura ligjore për dialog, sepse jo vetëm ligji se ndalon Parlamentin të hapë kutitë, po as qeveria s’ka shpëtim duke i mbajtur ato mbyllur me pahir. Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet e hapur për dialog, por dialogu duhet të fillojë me zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit, e vërtetë që mund të zbulohet vetëm me hapjen e kutive. Iliri i Sali Gërdecit duhet ta dijë shumë mirë se tani është koha për veprim, jo për fjalë boshe. Dialog po, menjëherë, por jo mbi kutitë e mbyllura. Kështu që Iliri i Sali Gërdecit të hapë kutitë ose largohet bashkë me Saliun”, - është shprehur Xhaçka.
Topalli organizon pritje festive për drejtues të medias dhe gazetarë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, organizoi dje një pritje festive me drejtues të medias, gazetarë e analistë me rastin e festave të fundvitit. Në një atmosferë të ngrohtë festive të krijuar, kryetarja e Kuvendit u takua e bisedoi me përfaqësues të medias duke uruar mbarësi, suksese e sa më shumë lajme të mira në vitin që po vjen. Kryetarja e Kuvendit u ul me radhë në tryezat e miqve të ftuar, duke biseduar për politikën, gazetarinë por edhe për punën, familjen dhe pritshmëritë për vitin 2010. Duke falënderuar të gjithë për punën dhe përkushtimin e tyre në këtë mision sa të vështirë, aq edhe të rëndësishëm, kryetarja e Kuvendit tha se është e vërtetë se politika ushqen mediat çdo ditë me lajme, po aq sa është e vërtetë që edhe politika ushqehet me lajmet e medias çdo ditë. “Në fakt, - tha ajo, - politika dhe media janë si dy pllaka tektonike. Jo gjithmonë raportet i kanë shumë të ngrohta, por nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Unë e di se sa orë të zgjatura, sa punë të madhe, se me çfarë shpejtësie ju e përcillni lajmin. Në një farë mënyre unë jam e pasionuar pas medias. Kur kam pak kohë të lirë kaloj me radhë të gjitha stacionet për të ndjekur çdo lajm, çdo koment, çdo gjë të re që përcillet”, - është shprehur Topalli, e cila e cilësoi vitin 2009 një vit të mbarë. “Në jetën time politike nuk di një vit më të mbarë në termat politikë, të integrimit ekonomik për vendin tonë sesa ky vit. Kam parasysh anëtarësimin në NATO, mbylljen e ratifikimit të MSA-së, dorëzimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, përgjigjen pozitive të 27 vendeve te BE-së në miratim të kërkesës sonë, rezolutën e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave. Në një kohë kaq të shkurtër, ngjarje kaq të mëdha në procesin integrues Shqipëria nuk ka pasur, ndaj dhe e konsiderojmë një vit të suksesshëm dhe të mbarë. Për këtë dua t’ju falënderoj edhe ju dhe jam e sigurt se viti tjetër do të jetë një vit edhe më i veçantë. Gëzuar Vitin e Ri!” - është shprehur Topalli.
29 Dhjetor 2009