Mungesa e të pandehurve, shtyhet sërish gjyqi për vrasjen e taksistit
Korçë- Vrasja e taksistit sërish në gjykatë, protestojnë familjarët për shtyrjen e procesit, kërkojnë drejtësi. Për të dytën herë shtyhet një nga proceset më të rëndësishme, aktualisht në Gjykatën e Korçës, ai që lidhet me rrëmbimin dhe më pas vrasjen barbare të një taksisti nga rrethi i Devollit. Ka vijuar gjatë mesditës të të premtes në Korçë seanca e radhës për 6 të pandehurit e vrasjes së taksistit Fredi Talelli nga fshati Piluri i rrethit të Devollit. Edhe në këtë seancë, si ajo e dy javëve më parë, kanë qenë të pranishëm vetëm dy prej të pandehurve, Arnest Xhaçka dhe Kastriot Papleka, ndërsa kanë munguar katër të pandehurit e tjerë, Elkjero Revani, Domeniko Kumria, Jurgen Zeqo dhe Amarildo Selmani, të cilët akuzohen për veprën penale “Grabitje me dhunë” dhe “Vrasje me paramendim në bashkëpunim”. Mungesa e katër prej të pandehurve ka sjellë revoltimin e familjarëve të taksistit të vrarë, të cilët kanë kërkuar mos shtyrjen e seancës gjyqësore. Seanca është ndërprerë për disa minuta dhe ka vijuar më pas me pyetjen e katër dëshmitarëve prezentë. Taulant Agolli, dëshmitari kyç i ngjarjes, miku i taksistit të vrarë, ka dëshmuar para trupit gjykues se ka qenë personi i fundit që e ka parë të gjallë vetëm pak orë para vrasjes Fredi Talellin. Sipas Agollit, 35-vjeçari Talelli ka qenë i shoqëruar nga dy persona të seksit mashkull dhe se vetë Agolli është përballur me ata në rrugën e fshatit Podgorie, në rrethin e Korçës. Dëshmitari pohoi para gjykatës se i ka bërë me shenjë të ndalonte viktimës, që ishte në drejtimin e mjetit të tij, por kjo nuk ka ndodhur. Ndërkaq ka munguar në seancë, bashkëshortja e taksistit të vrarë, Enkelejda Talelli, e cila është thirrur nga akuza për të dëshmuar për ngjarjen, çka e ka detyruar gjykatën të shtyjë seancën për një datë tjetër.
Fredi Talelli u vra më 24 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa trupi i tij u gjet pas 8 ditësh në një kanal në fshatin Korrite të Korçës. Mjeti i tij, i cili është grabitur, është gjetur më pas nga Policia e Elbasanit, i hedhur në lumin Shkumbin. Familjarët e viktimës, ashtu si në seancën e kaluar, kanë protestuar për shtyrjen e pafundme të këtij procesi, teksa kanë kërkuar mes lotëve dhe dëshpërimit, që drejtësia të vihet në vend sa më shpejt.