Revanshi, axhenda numër 1 e soc-komunizmit të kthyer në pushtet
Ende s’është mbyllur procesi i numërimit të votave e s’ka dalë një fletë formale me zbardhjen e emrave të deputetëve, por Edi Ramës s’iu durua dhe nisi kasnecët e vet nëpër ekrane, për të njoftuar se në rend të ditës për politikën e tij të re është revanshi. Erion Braçe shëtiti ekran më ekran dje gjithë pasditen, duke klithur mesazhin e kryetarit se e dua poltronën e kryeministërllëkut qysh në mesin e muajit korrik. S’ka fare kohë se po vjen kataklizma, deklaronte Erioni, dhe se vetëm (Mesia) Rama do ta shpëtonte vendin, nëse do të mandatohej menjëherë për në qeverisje. Parashikimi i Braçes ishte se financat do falimentonin, administrata do shndërrohej në grabitqare e fondeve publike e se fitimi i kohës do të ishte si strategji për të zvarritur daljen e rezultati përfundimtar.
Edhe pengesa e vogël e ligjit kushtetues s’është pengesë për Erion Braçen. Ai urdhëroi publikisht që brenda javës të plotësoheshin të gjitha procesverbalet e nëse KQZ-ja nuk do të plotësohej me 3 anëtarët që ata vetë i urdhëruan të largoheshin (një lojë kukullash që vlen një vëmendje të veçantë), atëhere - tha ai - Kolegji Zgjedhor do të marrë vendim brenda pak ditëve e gjithçka duhet filluar në korrik. Kushtetuta është një pengesë fare e vogël.
Teknologjia “kundërshtari të mirëkuptojë shkeljen e kushtetutës, sepse vendi s’duron dot” po shoqërohet edhe me tamtamet e medias së majtë, e cila po shpall parimisht se s’duron dot bashkëjetesë me asnjë institucion kushtetues. Kalemxhinjtë që ndihen triumfatorë kanë nisur të llogarisin se sa vota duhen për t’i ndërruar të gjitha institucionet kushtetuese e gjithashtu kanë nisur të shpërndajnë edhe receta se si do ta neutralizojnë presidentin e republikës.
Padurimi i kasnecëve të Edi Ramës u lexua qartas jo veç me nervozizmin e përgjithshëm të deputetëve të PS-së, por edhe me refuzimin për të nisur detajimin e negociatës për bashkëqeverisjen me LSI-në. Ben Blushi shpalli në mënyrë arrogante në një studio televizive se ndiheshin shumë mirë me një mazhorancë të gjerë e s’do të binin në asnjë kompromis për hir të ligjeve, pasi ata kishin marrë me vete “votëbesimin plebishitar” të shqiptarëve.
Për këtë, listat e spastrimeve janë përgatitur (prova e Korçës ka dalë paraprakisht), por ajo që të bën përshtypje është fakti që ende pa u mbyllur kutitë e votimeve, kandidatët për mazhorancë të re kanë nisur të flasin se si t’i shkatërrojmë institucionet kushtetuese, si të mos ndajmë pushtet me Ilir Metën e se si të punojmë për të vendosur një kontroll okult mbi opozitën.
Ringjallja e parimit leninist “gjithë pushtetin sovjetëve” mund të jetë një bazë e rëndësishme programore e soc-komunistëve, pinjoj të brezit të dytë të Bllokmenëve, por shpallja si pikë e parë e agjendës së mazhorancës së re, ende pa u mbyllur kutitë e votimit, flet për një pritshmëri të rrezikshme. Mirë do të ishte që këto falanga të merrnin një përgjigje fillestare qysh në tentativën e parë, atë të grishjes për të thyer kushtetutën, për hir të lojërave për pushtet brenda çiftit të padashur Rama-Meta.