Urgjenca që institucionet e Kosovës t’ua vënë veshin kritikave të miqve amerikanë
Që nga përfundimi i luftës, po bëhen 11 vjet. Edhe pas kaq vjetësh, ende s’u gjet zgjidhja për t’u kapërcyer kriza ekonomike. Edhe qeveria Thaçi, sikurse edhe qeveritë paraprake, nuk e hartoi një plan të detajuar për të dalë nga kjo krizë e rëndë socio-ekonomike. Nuk u gjet ndonjë mekanizëm për politikat e punësimit, edhe pse për këtë gjë ka mundësi të bëhet shumë më shumë...
Shkaktari më i madh për një gjendje të tillë, padyshim, ishte dhe është krimi i organizuar ekonomik. Sipas Agjencise Anti-Korrupsion, kurba e korrupsionit, për çdo vit, po merr përmasa më të mëdha. Nëntëdhjetëpërqind e informacioneve nga kjo agjenci, kanë të bëjnë me dyshimet e bazuara në manipulimin me tendera. Organet e gjyqësisë, si kompetente për këtë punë, shumë pak janë marrë me rastet e lajmëruara nga agjencioni i lartpërmendur. Deri më sot, garnitura udhëheqëse e shtetit tonë mori shumë kritika për mosluftimin e duhur të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Edhe shumë raporte vjetore, të strukturave përkatëse evropiane, ishin shprehur me gjuhë mjaft kritike ndaj institucioneve tona shtetërore. Kritika e fundit erdhi nga Stejt-Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell. Ambasadori në fjalë, ka bërë një varg kritikash për inercinë e institucioneve tona, për t’i luftuar dukurive negative.
A ka kush ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kosovë? Ky është realiteti i hidhur yni që po e përjetojmë. Të gjitha partitë e mëdha politike, gjatë këtyre vjetëve, e shijuan pushtetin, por shumë pak bënë në luftimin e kësaj të keqeje që e ka kapluar shoqërinë tonë. Që i ka kapluar institucionet tona. Shumicën e energjisë së tyre e orientuan në luftën për pushtet, e shumë pak u kujdesën për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Gjitha këto janë tregues se jemi larg formimit të një shteti të mirfilltë ligjor. Në këtë drejtim, edhe janë shigjetuar kritikat e miqve tanë, të cilët bënë shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Organet e gjyqësisë dhe drejtësia ishin dy hallkat më të dobëta të pushtetit. Në këtë drejtim, faj të madh bart edhe administrata e UNMIK-ut. Në organet policore shumë ka munguar ndjenja e përgjegjëgjësisë. Të gjitha ato vrasje, disa prej të cilave ishin edhe për motive politike, kurrë deri më sot nuk e gjetën dritën e diellit. Njerëzit që gjenden në pushtet po tjetërsohen nga problemet dhe hallet me të cilat po përballet populli. Përfaqësuesit e institucioneve tona po jetojnë në një botë krejt tjetër: plot me pasuri, e në anën tjetër, më shumë se gjysma e popullatës është duke jetuar keq.
Prandaj, ka ardhur koha që kritikat e miqve tanë, e veçmas të atyre amerikanë, të merren shumë seriozisht. Në këtë kuptim, duhet të veprojmë urgjentisht në përmirësimin e imazhit të institucioneve tona shtetërore. Dhe, përgjithësisht, të imazhit të Kosovës. Mosluftimi i duhur i krimit dhe korrupsionit po shkon në favorin e Serbisë, e cila nuk është duke lënë gur pa lëvizur kundër Kosovës. Nuk është pa rëndësi se çfarë vendimi do të marrë GJND-ja, në gusht të këtij viti. Deri më tash, Serbia ka arritur t’i stopojë njohjet e reja të pavarësisë së Kosovës. Sidomos e ka bllokuar njohjen e Kosovës nga shtetet islamike. Bllokime i ka bërë kësaj edhe në fushën ekonomike. Eshte koha t’u themi stop të gjitha defekteve ne të cilat eshte katandisur aktualisht Kosova...
...